Veliaj në Has: “Shqipëria, peng i keqqeverisjes së Berishës”
Në një takim të G99-ës me qytetarë dhe banorë të Hasit, kreu i kësaj partie, Erion Veliaj, theksoi faktin se shqiptarët, pavarësisht preferencave të kaheve politike, janë ndarë artificialisht dhe që problemet e tyre janë të njëjta. Veliaj tha se Shqipëria e ëndrrave të shqiptarëve është kthyer në peng të keqqeverisjes së Berishës. “Sot udhëkryqi ku gjenden shqiptarët nuk është majtas apo djathtas, por lart ose poshtë. Ajo që po shohim sot është se Shqipëria, si pasojë e keqqeverisjes së Berishës, po shkon poshtë. Kjo nuk është Shqipëria e ëndrrave dhe sakrificave të prindërve tanë. Në datën 28 qershor mund ta ndryshojmë këtë”, - tha Veliaj.
Gjatë takimit Veliaj adresoi dhe disa nga problemet më të rënda me të cilat zona si Hasi përballen, si varfëria dhe mundësia e arsimimit dhe punësimit të brezit të ri. Duke folur për historitë e vështira të fëmijëve që duhet të punojnë për të përballuar jetesën, ai bëri kontrastin me fëmijët e privilegjuar të qeveritarëve dhe këshilltarëve, të cilët, sipas tij, nuk kanë shkelur në shkolla apo spitale publike. “Sot nuk mund të ketë dy Shqipëri, një të vogëlushes Eleonora nga zona juaj, që pastron qytetin dhe pastaj shkon në shkollë, dhe një Shqipëri të fëmijëve të Berishës dhe Balliut. Ne duam një Shqipëri dinjitoze, ku gjithsecili që ka dëshirë dhe talent do të ketë mundësi për të punuar dhe për të ndërtuar jetën me punë të ndershme dhe ku fëmijët tanë do të kenë shanse të barabarta”, – tha kryetari i G99-s.
17 Prill 2009