E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu merr shqetësimet për mospërfilljen e Edi Ramës

12/06/2009  Fushata e PD-së në Tiranë

Kandidatja e Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës, njëherësh ministre e Integrimit, Majlinda Bregu, ka zhvilluar një tur takimesh me qytetarë të njësisë 9 në kryeqytet, me të cilët bisedoi rreth problemeve të zonës dhe mundësive të zgjidhjes së këtyre problemeve në mandatin e ardhshëm të PD-së. Bregu përshkoi më këmbë rrugën nga zyra elektorale pranë stacionit të trenit deri në thellësi të rrugës “Don Bosko”, në afërsi të shinave të trenit. Gjatë ecjes elektorale Bregu mori falënderimet e banorëve lidhur me procesin e legalizimeve si dhe ecurinë e procesit të integrimit. Ministrja Bregu siguroi banorët se realizimi i reformave të nisura nga qeveria “Berisha” do të bëjë që brenda 2010-s shqiptarët të lëvizin pa viza në Europë. “Brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë shqiptarët do të lëvizin pa viza në Europë dhe po brenda këtij mandati do të bëhemi vend anëtar i BE-së”, - tha Bregu para banorëve. Nga ana e tyre përfaqësues të bizneseve të vogla të zonës shprehën shqetësimin e tyre lidhur me dyfishimin nga bashkia të taksave të gjelbërimit dhe tabelave. Përfaqësuesja e autoshkollës “Bici”, që ndodhet në rrugën pranë shinave, tha se në këtë zonë kanë munguar investimet e Bashkisë së Tiranës, çka ka bërë që rruga të jetë në gjendje shumë të rëndë dhe se pavarësisht kërkesave të shumta kryebashkiaku Edi Rama as nuk ka denjuar të dëgjojë problemet e ngritura prej tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›