E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vehbi Alimuça, banka e panjohur private e ish-bosit të “VEFA”-s

Në vitin 1995 u regjistrua banka “Artedi”, Shqipëria nuk kishte ligj për bankat.

Habjon Hasani
Më 5 tetor të vitit 1995, ish-bosi i firmës piramidale, Vehbi Alimuça, ka regjistruar rregullisht në Gjykatën e Tiranës bankën e tij private të quajtur banka “Artedi”. Periudha në të cilën është bërë regjistrimi i kësaj banke përkon me një kontekst të mangët ligjor në Shqipëri përsa i takon krijimit të institucioneve bankare. Pra, Shqipëria nuk ka pasur një ligj për bankat private në kohën kur Alimuça ka regjistruar në gjykatë bankën e tij private. Kjo mangësi ligjore konstatohet edhe në vendimin gjyqësor për krijimin e bankës “Artedi”, ku gjyqtarja nuk ka specifikuar (të paktën në vendim) bazën ligjore ku ajo bazohej për lejimin e regjistrimit të kësaj banke. Nga ana tjetër, në statutin e kësaj banke, të cilin Alimuça e ka dorëzuar në gjykatë, konstatohet se objekti dhe qëllimi i bankës “Artedi” do të ishte kryekëput aktiviteti bankar. “Banka hap llogari rrjedhëse në lekë dhe në valutë, me kërkesën e klientëve të saj dhe me pëlqimin e saj në emër të personave juridikë shqiptarë dhe të huaj dhe kryen veprimtaritë përkatëse me këto depozita. Pranon depozita në lekë dhe në valutë nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, nga persona juridikë shqiptarë edhe të huaj dhe kryen veprimet përkatëse në lidhje me këto depozita. Jep kredi afatmesme e afatshkurtra në lekë dhe në valutë. Kryen këmbime valutore dhe veprime të tjera bankare në valutë”, - shkruhet e zezë mbi të bardhë në statutin e kësaj banke të panjohur.
Fantazmë
Ekzistenca e një dokumenti që provon se ish-bosi i VEFA-s ka regjistruar një bankë private në një kohë që në vendin tonë nuk ekzistonte ndonjë ligj për sektorin privat bankar duket se i shton edhe më tej dyshimet mbi aktivitetin e kësaj banke të panjohur. Por duket se banka ka qenë e panjohur edhe për Farudin Arapin, ish-kreu i grupit mbikëqyrës për transparencën e firmave piramidale që prej vitit 1998, i cili i tha pak ditë më parë “Albania”-s se nuk kishte dëgjuar asnjëherë për këtë bankë. “Kam konsultuar një numër të madh shkresash dhe dokumentesh të të gjitha firmave piramidale. Me sa mbaj mend, nuk kam hasur ndonjëherë në dokumentet e kësaj banke. Nuk më kujtohet kjo bankë. Është i çuditshëm fakti se ajo është regjistruar rregullisht në gjykatë në vitin 1995, sepse vetëm nga fundi i vitit 1996 nisën të miratoheshin ligjet e para që linin shteg për krijimin e institucioneve bankare private”, - u shpreh për “Albania”-n pak ditë më parë Farudin Arapi. Sipas tij, për çdo subjekt tregtar ishte e pamundur që në vitin 1995 të krijohej një bankë private, ndërsa shton se po aq e pamundur do të ishte edhe për gjykatën që ta regjistronte si bankë private në një kohë që ligj nuk kishte për bankat private.
Lidhjet
Në aktivitetin tregtar të zotit Alimuça, përveç bankës të panjohur “Artedi”, spikasin edhe disa kompani që ai i ka krijuar në vitet 1993-1996, kompani në të cilat Alimuça ka qenë në ortakëri me disa kompani të fuqishme ruse dhe hungareze. Një prej kompanive më të mëdha të Alimuçajt ka qenë kompania “Alba Vefa Kuban sh.p.k.”, një kompani ku Alimuça zotëronte 51 për qind të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër ishte në pronësi të një korporate ruse të quajtur “Krasnodarglavlavsnab”, e cila ishte në pronësi të Vladimir Melnikov, një oligark dhe sipërmarrës i fuqishëm rus i rajonit të Krasnodarit. Korporata në fjalë ruse ishte e përqendruar në biznesin e industrive teknologjike dhe në biznesin e mineraleve, por edhe në tregtinë ndërkombëtare të gazit të lëngshëm. Departamenti i tregtimit të gazit të kësaj korporate në vitin 1996 ishte në ortakëri me kompaninë e fuqishme ruse “Gazprom”. Sërish në vitin 1996, korporata ruse ortake me Alimuçën, e quajtur “Krasnodarglavlavsnab”, fitoi një koncesion prej 60 milionë dollarësh në Serbi për shfrytëzimin e minierës së Trepçes, e cila sot ndodhet në territorin e Kosovës. Por, një tjetër ortakëri e fuqishme e bosit të VEFA-s ishte ajo me hungarezët. Në vitin 1993, Alimuça krijoi firmën “Hungovefa”, të cilën e kishte në bashkëpronësi me dy sipërmarrës hungarezë, që rezultojnë se kanë qenë ndër eksportuesit më të fuqishëm të Hungarisë të atyre viteve dhe bashkortakë me disa biznesmenë të fuqishëm rusë të kohës.

Banka e Shqipërisë: “Aktiviteti privat bankar startoi në vitin 1998”

Miratimi i ligjit "Për Bankën e Shqipërisë" dhe ligjit "Për sistemin bankar në Republikën e Shqipërisë" në prill të vitit 1992, i njohu Bankës së Shqipërisë funksionin e mbikëqyrjes bankare. Kjo periudhë shënon edhe krijimin e Departamentit të Mbikëqyrjes Bankare për kryerjen e funksioneve të mbikëqyrjes së bankave të nivelit të dytë, të orientuara tashmë në ekonominë e tregut, si dhe përgatitjen e sistemit rregullator të mbikëqyrjes bankare. Gjatë vitit 1992, që konsiderohet viti i fillimit të mbikëqyrjes bankare, si funksionet, ashtu edhe veprimtaria e Departamentit të Mbikëqyrjes kanë qenë në fazën e organizimit dhe të krijimit të bazës rregullative, në zbatim të ligjit. Vitet 1993 dhe 1994 janë periudhat në të cilat janë hartuar rregulloret e para të mbikëqyrjes bankare dhe janë vendosur normat e mbikëqyrjes bankare për bankat shtetërore që trajtonin problemet e bankave me kapital shtetëror. Në mbështetje të kërkesave të ligjit "Për sistemin bankar në Republikën e Shqipërisë"; të parimeve të përcaktuara nga Komiteti i Bazelit për mbikëqyrjen bankare, si dhe të eksperiencës së vendeve të tjera, u hartua dhe u miratua rregullorja "Mbi kërkesat që duhen plotësuar për të marrë licencë për të vepruar si bankë në Republikën e Shqipërisë". Gjatë vitit 1994 u bë organizimi i Departamentit të Mbikëqyrjes dhe ndarja e tij në tre sektorë: Sektori i Metodologjisë dhe Licencimit; Sektori i Informacionit dhe Analizës; Sektori i Inspektimeve në Vend. Gjatë vitit 1995 puna u përqendrua kryesisht në kontrollin e zbatimit të rregulloreve të mbikëqyrjes bankare, në plotësimin e mëtejshëm të kuadrit rregullativ dhe në rishikimin e rregulloreve ekzistuese, me qëllim zbatimin e standardeve ndërkombëtare të mbikëqyrjes bankare, të përcaktuara nga Komiteti i Bazelit. Gjatë viteve 1995-1996, sistemi bankar ndryshoi përbërjen e tij, duke u shtuar me banka të përbashkëta, degë të bankave të huaja dhe banka të reja private, të vendosura në Shqipëri. Zgjerimi i sistemit bankar me banka private solli ndryshime në llojshmërinë e operacioneve dhe të shërbimeve bankare. Dështimi i bankave shtetërore, në rolin e ndërmjetësit në një ekonomi tregu bëri të domosdoshëm privatizimin e tyre, proces i cili filloi gjatë vitit 1997 dhe vazhdon akoma. Kjo periudhë u shoqërua edhe me krizën financiare të vitit 1997, e cila pati efektet e veta në sistemin bankar në tërësi dhe sidomos në bankat shtetërore. Vlen të theksohet se, pavarësisht nga situata e rënduar në tërë vendin, sistemi bankar shqiptar vazhdoi të tërhiqte interesin e investitorëve të huaj. Këtë e dëshmon fakti që gjatë këtij viti, dy banka të reja filluan aktivitetin e tyre dhe një bankë mori licencën paraprake. Viti 1998 mund të cilësohet si viti gjatë të cilit janë bërë hapa cilësorë si në përmirësimin e kuadrit rregullator të mbikëqyrjes bankare, ashtu dhe të inspektimit të bankave dhe të degëve të bankave të huaja. Kjo u diktua nga ndryshimet në sistemin bankar, që konsistuan në hyrjen në treg të bankave dhe degëve të bankave, me veçori specifike për nga natyra e pronësisë dhe e aktiviteteve që ato ushtrojnë dhe, në veçanti, nga Parimet Bazë për një Mbikëqyrje Efektive Bankare, që Komiteti i Bazelit publikoi në shtator të vitit 1997.
(Marrë nga raporti i Bankës së Shqipërisë)

Bankat private të regjistruara deri në vitin 1998

1. Banka Kombëtare Tregtare (bankë shtetërore)
2. Banka e Kursimeve (bankë shtetërore)
3. Banka Italo-Shqiptare (bankë e përbashkët shqiptare e huaj)
4. Banka Arabo-Shqiptare Islamike (bankë e përbashkët shqiptare e huaj)
5. Banka Dardania (bankë private)
6. Dega e Bankës Kombëtare Greke (degë e bankës së huaj)
7. Banka Tirana (bankë private)
8. Banka Tregtare Ndërkombëtare (bankë private)
9. Dega e Bankës Aplha Credit (degë e bankës së huaj)
10.Banka Amerikane e Shqipërisë (bankë private)

16 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›