Bregu takon homologen malazeze
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu u takua të hënën në Malin e Zi me homologen e saj Gordana Durovic. Sipas Bregut Shqipëria është e angazhuar për të arritur një një nivel të lartë marrëdhëniesh mbi parime e standard të fqinjësisë së mirë, por edhe ato të integrimit evropian. “Konstatojmë se edhe Mali i Zi ndan të njëjtin vlerësim për marrëdhëniet me vendin tonë, gjë që është konfirmuar në të gjitha vizitat e takimet e nivelit të lartë të zhvilluara kohët e fundit”, tha Bregu në fillim të takimit. Nga ana e saj Durovic tha se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë perspektivë të qartë evropiane. “Siç e dini, më 14 tetor Komisioni Evropian paraqiti paketën e zgjerimit. Momenti i gjetur është shumë i përshtatshëm për një diskutim mbi aspektet e zgjerimit. Kam besimin se të gjitha kushtet e anëtarësimit do të përmbushen brenda një periudhë realiste për të dy vendet”, tha Durovic.