PS, Balla: Pronat, ligj për interesat e Berishës
Partia Socialiste i kërkoi dje Kryeministrit Sali Berisha të japë shpjegime në lidhje me nismën e re të qeverisë për shitje e pronave shtetërore në fshatrat turistike. Deputeti socialist, Taulant Balla në konferencën e djeshme për shtyp deklaroi se: “PS i kërkon sot Sali Berishës të zbardhë publikisht autorësinë, kush janë përfituesit apo kush favorizohen nga ky ligj. Ne kemi dyshimet tona që ky projektligj bëhet në favor të interesave familjare të tij dhe të ministrave të oborrit. Ne kërkojmë që deri ditën e nesërme, Qeveria të publikojë listën e familjarëve dhe zyrtarëve të lartë të Qeverisë që përfitojnë nga ky ligj i posaçëm që privatizon përfundimisht bregdetin shqiptar”. Ai shtoi se: “Në rast se Sali Berisha nuk do të sqarojë për qytetarët shqiptarë se kush janë përfituesit familjarë dhe qeveritarë të këtij ligji, atëherë nesër ne do të zbardhim para qytetarëve shqiptarë cilat janë interesat që qëndrojnë pas këtij projektligji”. Partia Socialiste kërkon në të njëjtën kohë që: “Kryeministri të sqarojë para qytetarëve shqiptarë se pse në muajin korrik menjëherë pas zgjedhjeve miratoi në KRRTRSH studime pjesore për ndërtime në Gjirin e Lalzit, ndërsa tashmë po miraton një ligj që këto toka t’i shiten atyre që po ndërtojnë apo kanë ndërtuar mbi to”.