OSBE, Miesch: Zgjedhjet, proces transparent
Raporteri i OSBE-së, deputeti zviceran Christian Miesch në takimin e zhvilluar me kryeparlamentares Jozefina Topalli ka deklaruar se zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri ishin më transparente se në çdo vend tjetër evropian. “Vlerësimi ynë u pasqyrua në raportin final, ku u theksua se zgjedhjet arritën angazhimet kryesore të OSBE-së. Edhe në vende me demokraci më të vjetër si në Zvicër ka ende probleme teknike në zgjedhje, por kjo nuk e cenon legjitimitetin e tyre”, tha ai. Duke u ndalur në situatën aktuale politike, kryetarja e Kuvendit nënvizoi rëndësinë e pjesëmarrjes së opozitës në Parlament, ku siç theksoi ajo është vendi i dialogut dhe i kompromiseve. Raporteri Miesch theksoi se: “Bojkoti i opozitës nuk është zgjidhje”.