“Vllaznia-Tirana, finale e parakohshme”
Vllaznia-Tirana i kalon përmasat e një derbi. Kjo për faktin se rivaliteti mes këtyre dy skuadrave ka ekzistuar jo vetëm në fushën e lojës por edhe mes tifozerive. S’ka njeri në Tiranë e Shkodër që të mos diskutojnë për këto ditë mbi për gjendjen aktuale të të dyja skuadrave. Ndërsa ish-mbrojtësi i Kombëtares Hysen Zmijani rindez edhe më shumë këtë takim kur pohon se Vllaznia luan gjithë sezonin. “Mund të them se është mundësia e fundit për kuqeblutë për të ndryshuar. Jo se me një fitore me Tiranën mund të ndryshojë gjithçka, por një fitore për mendimin tim me një ekip rival do të rrisë edhe në aspektin psikologjik ekipin e Vllaznisë. Unë kam besim se Vllaznia ka atë kontigjent lojtarësh për të përballuar me sukses këtë sfidë, por duhet shumë e shumë punë dhe për këtë duhet të punojnë dhe të marrin përsipër përgjegjësitë të gjithë, pa përjashtim”, ka pohuar ai në një intervistë për gazetën “Panorama”.
Ndërsa më kampin bardheblu sfidën me kuqeblutë e shikojnë si ndeshjen më të rëndësishme të këtyre javëve. Kjo për faktin se një fitore në Shkodër këtë të premte do të zgjonte edhe më shumë premisat e skuadrës kampione në fuqi për të luftuar edhe këtë sezon për titullin kampion. Diferenca prej 8 pikësh me Dinamon e vendit të parë nuk shihet si e pamundur për t’u arrirë por duke parë kalendarin (Dinamo pret Gramozin në shtëpi) një humbje ose barazim në “Loro Boriçi” të Shkodrës do të krijonte jo pak probleme edhe psikologjike për bardheblutë e kryeqytetit. Takimi do të luhet ditën e premte në orën 17:00 dhe do të transmetohet nga paketa me pagesë “Supersport”, e cila ka të drejtën e transmetimit të disa ndeshjeve të kampionatit shqiptar të futbollit.