Salihi, në top-11 e javës
Leonard Karaj
Hamdi Salihi është pjesë e skuadrës më të mirë të kësaj jave në Bundesligën e Parë austriake.
Është njeriu i javës në Austri. Shënoi golin e tretë në fitoren e Rapidit ndaj Matersburgut duke zënë vend në formacionin më të mirë të Bundesligës austriake për javën e dymbëdhjetë. Madje Hamdi Salihi rezulton të jetë edhe sulmuesi i vetëm i këtij formacioni që për këtë javë është ndërthurur me skemën 4-5-1, me shkodranin si “pyka” e repartit ofensiv. Në ndihmë të tij në repartin e mesfushës janë rreshtuar Açimoviç, Kavak, Baumgartlinger, Cziomer dhe Hofman. Në mbrojtje janë rreshtuar, Katzer, Sonleitner, Ortlenker dhe Seidl, teksa porta i është besuar Njëshit të Riediat Gebauer.
Salihi është vlerësuar me notën 7.7, jo më e larta faktikisht në këtë skuadër ku me notën 10, absolute janë vlerësuar mbrojtësi i majtë i Rapidit, Markus Katzer dhe mesfushori i djathtë sërish i Rapidit Stefen Hofman. Por rekordet e Hamdi Salihit nuk mbarojnë këtu. Ndonëse nuk është ende golashënuesi më i mirë i këtij kampionati (ndodhet në vendin e 3-të me 7 gola) shkodrani ka një mesatare të frikshme në shënimin e golave. Gjatë këtij sezoni, me Riedin dhe Rapidin ai ka shënuar 1 gol për gati 100 minuta lojë. Madje për t’u theksuar është fakti se përkundrejt pesë lojtarëve të tjerë në listën e golashënuesve të cilët kanë luajtur gjithmonë si titullarë, Salihi nga 12 ndeshje në vetëm 7 pesë prej tyre ka luajtur që nga minuta e parë. Ndërsa në pesë të tjera është futur në lojë si zëvendësues por gjithsesi ka mundur të ambientohet shpejt duke shënuar. Momentalisht shkodrani është sulmuesi i vetëm i kombëtares shqiptare që jo vetëm aktivizohet tek skuadra e tij por edhe shënon në mënyrë frekuente. Ndërsa Berisha e Kapllani në Gjermani shpesh herë nuk janë as në stol tek skuadrat e tyre.