E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tensioni me Serbine Thaci kritikon ashper EULEX-in

Qeveria e Kosovës ka shprehur vendosmërinë për të vazhduar shtrirjen e autoritetit në veri dhe për të mbrojtur dhe ruajtur sovranitetin e shtetit në këtë pjesë. Në mbledhjen e rregullt të qeverisë, e cila ka nisur me një minutë heshtje për policin e vrarë, Kryeministri Hashim Thaçi theksoi se ia kemi borxh Enver Zymberit, e mbi të gjitha fëmijëve të tij dhe gjithë Kosovës që sovranitetin e Kosovës, kufijtë e saj t’i ruajmë dhe t’i mbrojmë përgjithmonë.

Shefi i qeverisë kosovare me këtë rast ka kritikuar ashpër misionin evropian për sundim të ligjit, EULLEX i cili sipas tij ka hezituar dhe ka refuzuar të mbështesë vendimin e qeverisë për të vënë kontroll në dy pikat doganore.

“Ky hezitim dhe refuzim ka qenë dhe është në kundërshtim të plotë me rolin e tyre për çka institucionet e Kosovës i kanë ftuar në Kosovë. Prandaj në kuadër të autoritetit tonë sovran në kuadër të kompetencave tona dhe obligimeve të dokumente ndërkombëtare ne nuk do të lejojmë përjetësisht që sovraniteti ynë të cënohet. Të përdoret vendi ynë për kalimin e mallrave të kontrabanduara, është në kundërshtim me vlerat dhe parimet evropiane perëndimore. Nëse misioni EULEX mendon se lejimi i kontrabandës, krimit të organizuar dhe cenimi i sovranitetit është diçka normale, që duhet toleruar, atëherë le të na japin vetëm një shembull konkret në cilin shtet të BE-së lejohet kontrabanda e krimi dhe strukturat paralele të armatosura dhe ilegale”-tha Thaçi.
 
Hezitimi i EULEX-it, sipas Thaçit, është i pashpjegueshëm dhe kërkon përgjigje. Ai tha se institucionet e Kosovës kundërshtojnë me forcë çdo ide për ndryshim të kufijve. Thaçi kërkoi nga Bashkimi Europian që t’i përmbahet zotimit për të mos lejuar vrima të zeza në Europë dhe Ballkan, një nga të cilat ai tha se se ka qenë për disa vite veriu i Kosovës.

Nga ana tjetër, faktori ndërkombëtar ka shprehur keqardhjen  për moskoordinim të veprimeve të Prishtinës me komunitetin ndërkombëtar. Në një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Uashingtoni i bën thirrje qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë të vazhdojnë të punojnë urgjentisht drejt qetësimit të situatës aktuale.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›