E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brenda 12 orësh ndodhin tri vetëvrasje

Fier, vetëvaret pas vdekjes së djalit

Fier- I ka dhënë fund jetës pas një fatkeqësie familjare. Një 75-vjeçare nga fshati Jaru i komunës Levan në rrethin e Fierit është gjetur e vetëvarur me litar në kasollen e bagëtive nga familjarët e saj. Sipas policisë, viktima është Fatime Meta, e cila nuk i ka shpëtuar dot shtrëngimit të litarit dhe ka gjetur vdekjen. Ngjarja ndodhi mesnatën e së enjtes, kur e moshuara ka dalë në verandë, ndërsa të tjerët ishin duke fjetur dhe më pas i është drejtuar kasolles së bagëtive, vetëm pak metra më tej shtëpisë. Të afërm të familjes Meta tregojnë se kanë ndjerë lëvizjet e dyshimta të 75-vjeçares, por nuk e kanë ndjekur pas për ta kontrolluar. “Menduam se kishte dalë për ajër të pastër, gjë që prej disa ditësh e bënte shpesh”,- tregojnë familjarët, duke shtuar se prej kohësh ajo vuante nga depresioni nervor pas një fatkeqësie familjare. Ndërkohë, bashkëfshatarë të viktimës shprehen se e moshuara nuk kishte marrëdhënie të mira me familjen e saj. Një fqinjë e Fatimes thotë se përplasja e mentalitetit dhe gjendja mendore jo shumë e qëndrueshme, bënin që gruaja të kishte kontradikta të vazhdueshme me nusen e djalit. “Shpesh herë dëgjoheshin të bërtitura nga shtëpia e Fatimes. Ne nuk ndërhynim dot se e dinim që ajo kishte probleme depresive dhe shumë herë grindej edhe me fqinjë këtu afër”,- thotë një nga fqinjet. Sipas saj, problemet mendore të viktimës iu rënduan pas vdekjes së djalit të vogël. “Ajo shpesh herë dilte nga shtëpia dhe krejtësisht e çekuilibruar kërkonte djalin që nuk jetonte më. Më vjen keq që bëri një gjë të tillë, sepse ishte një grua e dashur dhe punëtore”,- vazhdon më tej ajo.

L.Çeçoaliaj

Depresioni, vetëvaret në plevicë 22-vjeçarja

Devoll- Vetëvaret një 22-vjeçare në rrethin e Devollit. Policia mendon se shkaku i këtij vetëflijimi është bërë gjendja depresive e të resë, e cila ka tentuar dhe dy vjet më parë të kryejë këtë akt me çiften e babait. Ngjarja është regjistruar rreth orës 09.00 të mëngjesit të djeshëm. Sipas burimeve zyrtare të policisë, Jolanda Topi, banore e fshatit kufitar të Vidohovës në rrethin e Devollit ka përfituar nga shtëpia bosh kur prindërit e saj kanë shkuar për të punuar në arë, për t’i dhënë fund jetës. “22-vjeçarja që vuante nga probleme depresioni ka zgjedhur plevicën ku familja mbante bagëtitë për t’u vetëvarur”,- thonë burimet policore. Sipas tyre, ka qenë babai i saj që e ka gjetur të renë të vdekur, ndonëse trupi i saj ishte ende i ngrohtë. Menjëherë është njoftuar policia, ndërsa e reja është transportuar në spital, por për shkak të rrugës së gjatë janë nevojitur rreth tre orë. Kur ka mbërritur në spitalin e Bilishtit ka qenë shumë vonë dhe për të nuk është mundur të bëhet asgjë. Nga hetimet paraprake mendohet që shkak i kësaj vdekjeje të jetë bërë depresioni.

Xh. Baka

Mbërrin në gjendje koma, vdes për pak minuta në spital

ELBASAN- Një 13- vjeçar është vetëhelmuar mesnatën ndërmjet të enjtes dhe të premtes në një prej fshatrave të Elbasanit. Fëmija ka pirë një preparat ende të papërcaktuar nga policia dhe ka gjetur vdekjen pak minuta më pas në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Burime të policisë bënë të ditur, se Ardian Halili, lindur e banues në fshatin Selitë, komuna Mollas, është vetëhelmuar duke humbur jetën. Edhe pse ai është dërguar menjëherë në spitalin kirurgjikal të Elbasanit, nuk ka mundur të shpëtoje. Paraprakisht mendohet se 13- vjeçari e ka pirë aksidentalisht helmin. Gjithsesi, vazhdojnë hetimet për të zbardhur përfundimisht këtë ngjarje me pasojë vdekjen e 13- vjeçarit. Sipas të dhënave të para, familja Halili jetonte në një varfëri ekstreme por ende nuk dihet nëse veprimin e pirjes së helmit 13- vjeçari e ka kryer aksidentalisht apo ka dashur t’i japë fund jetës nisur nga gjendja e vështirë në të cilën jetonte familja e tij. Një grup hetimor është duke hetuar për këtë rast mjaft tronditës. Po kështu mjeku ligjor është duke kryer ekspertizën e trupit të 13- vjeçarit për të përcaktuar llojin e helmit që ka sjellë vdekjen e të miturit. B. Nergjoni

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›