Kume: Sistemi spanjoll, të vegjlit favorizohen vetëm si koalicion
TIRANË- Ish-kryetari i KQZ-së dhe një nga njohësit më të mirë të çështjeve elektorale, Kristaq Kume, në një intervistë për "Shekullin" vlerëson sistemin zgjedhor proporcional-rajonal si tepër pozitiv për të shmangur trafikimin e votave, ashtu edhe për t'u zbatuar në praktikë. Megjithatë ai thekson se ky lloj sistemi nuk favorizon partitë e vogla, prandaj shprehet ai, e vetmja zgjidhje për to, do të ishte futja në koalicion me partitë e mëdha. Nga ana tjetër evidenton faktin se edhe ky sistem nuk përjashton mundësinë që partitë e vogla, nëpërmjet koalicioneve parazgjedhore me forcat e mëdha, të mund të përfitojnë në mënyrë të pandershme në kurriz të këtyre të fundit. Z.Kume, Kuvendi miratoi ndryshimin e sistemit zgjedhor nga mazhoritaro-proporcional në proporcional- rajonal. Cilat janë përparësitë e zbatimit të këtij sistemi? Bëhet fjalë për një ndryshim sistemi për të kaluar në një sistem proporcional-rajonal, i cili thërritet spanjoll, por që nuk është i tillë, por është i të njëjtit tip. Ndryshimi i këtij sistemi, i ardhur si rrjedhoje e problematikave të ndeshura gjatë zbatimit të sistemit të mëparshëm, është bërë me qëllim që në planin politik të eliminohet trafiku i votave, të eliminohet fenomeni i Dushkut, në planin teknik dhe administrativ të lehtësohet procesi i administrimit të zgjedhjeve. Ky sistem krijon kushte teorike për të kapërcyer problematikën e madhe të ndeshur gjatë zbatimit të sistemit mazhoritar të korrektuar me proporcional, dhe me anë të këtij ne do të realizojmë dhe një qeverisje më përfaqësuese, pra një përfaqësim më real në Kuvend, ashtu sikundër mundësi më të thjeshtëzuara dhe me të kuptuara nga elektorati, për të shprehur vullnetin e tyre direkt dhe në mënyrë të fshehtë. Partitë e vogla e kanë konsideruar këtë sistem si një mënyrë për t'i nxjerrë jashtë skemës politike…. Gjatë diskutimit të këtij sistemi unë kam vënë re se kanë ekzistuar dy probleme të mëdha: problem i parë ai i partive të vogla, sipas të cilave ky lloj sistemi i ngushton atyre hapësirat për të pasur deputetnë kuvendin e ardhshëm dhe për pasojë ato kanë kërkuar që të ketë një sistem të pastër proporcional, ose të vazhdonte ai sistem i cili kishte me vete fenomenin e dushkut dhe nëpërmjet tij të kishin mundësi që të merrnin deputet nëpërmjet ngjitjes që iu bënin partive të mëdha politike. Rajonali natyrisht ka probleme për partitë e vogla, është sistem goxha i mirë për të eliminuar nga skema politike partitë virtuale, gjë që është pozitive. Ndërsa ato parti që pretendojnë se realisht kanë elektorat, pra që kanë një rezervuar votash në elektorat, nëpërmjet aleancave paraelektorale mund të arrijnë që t'i marrin këto vota dhe për të siguruar një pjesëmarrje në parlamentin e ardhshëm. Pra ju thoni se e vetmja zgjidhje për të "vegjlit" është koalicioni? Natyrisht që po. Por kjo së pari varet nga madhësia e rajonit. Pra nëse ato do të dalin vetëm në rajone të ndryshme nuk do të mund të kapërcejnë dot pragun e nevojshëm. Për të pasur përfaqësim në Kuvendin e Shqipërisë nga rajoni përkatës, është e domosdoshme koalicioni. Në të kundërt votat e tyre nuk do të mund të vlerësohen. Për ta bërë më konkret, marrim si shembull tre qarqet: Kukës, Tiranë dhe Vlorë. Si do të bëhet zbatimi i këtij sistemi dhe sa shanse kanë të vegjlit që të përfitojnë deputet? Ajo që mbart me vete ky sistem pasi të pasqyrohet në kod, ka të bëjë me faktin se tashmë nuk ka më vend koncepti i pragut elektoral të fiksuar. Ky prag nga njëri rajon në tjetrin do të ndryshojë, pasi do të jetë variabël i numrit të zgjedhësve mbitë cilin do të përcaktohet dhe numri i deputetëve që do të ketë secila zonë zgjedhore ose qark. Pra në varësi të numrit të deputetëve që do të ketë një rajon do të dalë dhe pragu që duhet të kalojë një forcë politike për të pasur deputet nga rajoni përkatës. Përllogaritjet tregojnë se nëse do të bëhet një ndarje e Shqipërisë diku me 12 rajone, në qoftë se do të adoptohej kjo ndarje, atëherë pragu elektoral në Shqipëri do të lëvizë nga 4 deri në 25%. Pra në Kukës pragu mund të jetë diku tek 6 deri 7 për qind. Kështu, partive të vogla do t'iu duhet që të kapërcejnë këto pragje, të cilat natyrisht janë të vështira për t'u kapërcyer në rast se ato do të konkurrojnë të vetme. Kjo e bene të domosdoshme faktin që partitë të mundësojnë krijimin e koalicioneve parazgjedhore. Në qarkun e Tiranës, i cili për shkak të popullsisë ka dhe më shumë deputetë, sa të favorizuara janë partitë e vogla për të hyrë të vetme në zgjedhje? Niveli i pragut është në funksion të numrit të votave që duhet marrë për çdo deputet. Pra nuk duhet të ngatërrojmë faktin se në qoftë se në një rajon pragu është 10 për qind dhe në një rajon tjetër pragu është 25 për qind, në të parin partitë e vogla janë domosdoshmërish më të favorizuara sesa në të dytin. Jo, sepse për të arritur 10 përqindëshin, po e zëmë, do të duhen 10 mijë vota, ndërsa për të arritur pragun 25 për qind do të duheshin 30 mijë vota. Kemi një marrëveshje, megjithëse ende jo publike të PD-së me aleatët e vet për zgjedhjet e 2009. Është mënyra më e mirë kjo dhe a mund të kemi në parlament përfaqësim të forcave politike në bazë të votave reale apo ato përsëri do të përfitojnë në kurriz të partive të mëdha? Zgjidhjet dhe taktikat elektorale janë nga më të ndryshmet. Kjo do të varet nga situatat politike në të cilën do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme dhe nga zgjidhja që do të adoptojnë partitë politike. Unë them se partitë e vogla do të ishin shumë të favorizuara. Unë do të thosha se partitë e vogla do të ishin shumë të favorizuara në qoftë se për to të zbatoheshin skema si ato që janë propozuar apo që kanë rënë dakord në parim si një marrëveshje xhentëlmenësh partitë e vogla të djathta me PD-në. Kjo është vërtetë shumë favorizuese për partitë e vogla, sepse ato sigurojnë përfaqësimin me deputetë në Kuvend. Kurse rruga më e vështirë për të pasur deputetë në Kuvend nga partitë e vogla do të ishte bërja koalicion i tyre me njëra-tjetrën, kjo sepse pesha elektorale e tyre është e diskutueshme. Kemi një realitet krejt tjetër në të majtën, ku LSI, PAD dhe PDS kërkojnë që të krijojnë një koalicion. Sa i favorizon ky sistem? Ky sistem kërkon që të realizohen koalicione, sepse në këtë mënyrë arrin që të valorizosh votat, pra të kthesh votat në deputetë. Por sesi mund të realizohen këto koalicione, unë mendoj se kjo do të jetë pjesë e zhvillimeve politike të ardhshme. Ka rëndësi që të kihet parasysh se cila do të jetë zgjidhja që do të adoptohet në Kodin e Zgjedhor. Sa më e madhe që të jetë zona zgjedhore, aq më shumë rriten shanset që partitë e vogla të marrin edhe vetë në koalicion brenda tyre deputetë. Sa më të vogla të jenë zonat, aq më shumë zvogëlohen hapësirat që këto parti të marrin deputetë. Si do të bëhet ndarja e deputetëve në çdo zonë zgjedhore, pra në çdo qark? Ka formula të ndryshme për të zgjidhur problemin e mandateve që do t'u vihen në dispozicion garuesve në zgjedhjet e ardhshme. Pra nuk ka vetëm një zgjidhje. Cila forcë politike është më e favorizuar me këtë sistem. Pra Partia Socialiste në rast se ajo hyn e vetme në zgjedhje, ashtu sikundër dhe ka deklaruar deri më tani apo PD e cila ka arritur një marrëveshje paraprake me aleatët e vet për të hyrë së bashku në koalicion? Ajo forcë e madhe politike që hyn në zgjedhje në koalicion merr më shumë vota, kjo sepse ajo do të marrë dhe ato vota të partive të vogla të cilat do të garonin më vete dhe që nuk do të kalonin dot pragun përkatës. Por natyrisht kjo ka mbrapa shfaqjen e së njëjtës situatë me atë që ne kemi pasur deri më sot, pra me sistemin zgjedhor mazhoritaroproporcional. As më shumë dhe as më pak është e njëjta gjë. Pra më parë liheshin zona të lira, ndërsa këtu nuk do lihen zona të lira, por do të lihen vende të lira në renditjen në listë.