Sheshi "Skëndërbej", prezantohet projekti belg para KRRT-së
Sipas kryebashkiakut Rama projektet e Winy Maas, pika referimi e modele të konceptimit bashkëkohor
Projekti belg për rigjallërimin e Sheshti "Skëndërbej" është prezantuar dje para anëtarëve të Këshillit të Rregullimit të Territorit. Kështu, gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të ditës së djeshme të KRRT-së së Tiranës u shqyrtuan 3 projekt-idetë që do t'i japin jetë qytetit. Anëtarët e Këshillit kanë pyetur në lidhej me këto projekte, ndërkohë që për miratim do të jetë një tjetër mbledhje. Kryetari i Bashkisë, njëkohësisht Kryetar i KRRT-së, i vlerësoi objektet e arkitektit Winy Maas si ndërtime pararojë të zhvillimeve arkitektonike në qytet, duke i cilësuar ato të një rëndësie të veçantë nisur edhe nga ndikimi pozitiv që do të kenë tek arkitektët lokalë, të cilët po rrisin dita -ditës cilësinë e tyre. Sipas tij, studim Urbanistik i miratuar i Qendrës së Tiranës "Tirana një kryeqytet europian", do të realizojë objekt polifunksional 7 kate, me 1 kat shërbime dhe3 kate parkim nëntokë, në rrugën "Murat Toptani". Projekti i parë i këtij arkitekti është quajtur "Toptani Arcades" nga vetë krijuesi dhe është vazhdimësi e projektit fitues në njërin prej konkurseve të zhvilluar nga Bashkia e Tiranës për objektet me rëndësi të veçantë të Master - Planit të Qendrës. Gjithashtu u prezantuar edhe projekt-ide për objekt polifunksional 3 dhe 9 kate, me 2 kate parkim nëntokë, në rrugën "Sami Frashëri".
Projekti i dytë është quajtur "Lake Side Hall" nga vetë krijuesi dhe pozicionohet në afërsi të Liqenit Artificial. Arkitekti ka treguar ndjeshmërinë e tij me shumë finesë edhe në këtë rast, duke vendosur një komunikim mes qytetit dhe peizazhit të Liqenit e të gjelbërimit të Parkut, nëpërmjet ndërtesës së propozuar prej tij.