E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hap pusin, gjen skeletin e një njeriu

Zbulohen pjesë të skeletit të një njeriu në Katund Sukth të Durrësit. Ka qenë një banor i zonës, që merret me hapjen e puseve në fshat, i cili duke gërmuar ka ndeshur në mbetjet skeletore. Ndërsa po gërmonte për të hapur një pus uji me pagesë për një bashkëfshatar, Skënder Preza ka vënë re kockat e një skeleti, disa metra nëntokë. Prania e prangave të vjetra gjermane pranë pjesëve të skeletit e ka bërë dhe më të mistershme ngjarjen. Gërmuesi ka menduar fillimisht se po zbardhte një krim të fshehur, por ekspertët mjekoligjorë, nga këqyrja paraprake e mbetjeve skeletore, ku dalloheshin qartë pjesë të kafkës dhe gjymtyrëve, thonë se krimi duhet të jetë shumë më i hershëm në kohë. Do të jenë rezultatet e analizave në laboratorin kriminalistik ato që do të përcaktojnë kohën dhe shkakun e vdekjes, si dhe moshën e personit të cilit i përkiste skeleti. Paraprakisht dyshohet se eshtrat mund t‘i përkasin ndonjërit prej të ekzekutuarve pa gjyq të kohës së diktaturës, ose të jenë dhe më të hershme në kohë, duke u zhvendosur në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Njeriu që e zbuloi skeletin gjatë gërmimit të tokës për të hapur pusin, Skënder Preza, thotë se nga gjendja e dhëmbëve, por dhe nga ato çfarë ka dëgjuar nga ekspertët e policisë që erdhën në vendin e ngjarjes pas njoftimit të tij, skeleti i përket një njeriu në moshë të madhe, por nuk mund të përcaktohej gjinia të cilit i përkiste skeleti. Preza kur ka parë kockat e para, ka menduar se kanë qenë të ndonjë kafshe të groposur, por më pas prania e kafkës dhe e prangave të vjetra pranë pjesëve të skeletit e ka trembur, por njëkohësisht e kanë bërë të mendojë se po ndihmonte në zbardhjen e një krimi të fshehur në kohë. "Unë hap puse. Të gjithë në zonë më thërrasin për këtë punë, nga e cila fitoj 250-300 mijë lekë të vjetra", tregon Preza, ndërsa mbetet kureshtar për të mësuar më shumë për fatin që ka pasur në rrjedhën e jetës njeriu, skeletin e të cilit e gjeti pasditen e së premtes teksa punonte për ndërtimin e një pusi në oborrin e një shtëpie të re. Në zonën ku u gjet skeleti, banorët nuk dinë që të ketë pasur varreza të vjetra ndonjëherë. Madje zona ka nisur të popullohet gjatë viteve ‘60 e në vazhdim. Në Katund Sukth, Skënderi e ka ndërprerë punën për çeljen e pusit. Vendi është bllokuar nga policia. "Mbase do të gërmojnë dhe më për të gjetur ndonjë skelet tjetër", thotë një banor i fshatit, duke menduar se nëntokë mund të gjenden dhe të tjera skelete, që mund të jenë pjesë e një varri masiv të panjohur. Tronditja dhe kureshtja ka prekur shumë banorë të fshatit. Edhe të tjerë duan të dinë a do të zbulohet vallë identiteti që fshihet pas atyre kockave që kërkojnë një varr për t‘u prehur dhe lotët e fundit të ndonjë familjari a të afërmi të mbetur ende gjallë. "Jemi njerëz e të gjithë duam të kemi një varr, një shtëpi të fundit ku të na kujtojnë ndonjëherë ata që ngelen pas nesh", thotë një grua rreth të 60-ve. Ndërkohë që në godinën në ndërtim ku po hapej pusi ka rënë heshtja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›