Digjen traversat e hekurudhës Shkodër-Tiranë
Regjistrohen vatra të reja zjarri në të gjithë vendit. Dje në mesditë janë djegur një pjesë të traversave në hekurudhën e linjës Shkodër-Tiranë. Vatra kanë qenë në afërsi të Lezhës, në fshatin Tresh dhe mësohet se janë dëmtuar një pjesë e traversave duke ndërprerë transportin hekurudhor në këtë linjë. Makinat e zjarrfikëses mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të shuar flakët e zjarrit dhe pas disa orë përpjekjesh, situata është normalizuar. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e rënies së zjarrit dhe nga hetimet e para dyshohet se banorët e zonës kanë tentuar të djegin mbeturinat pranë traversave, ndërsa zjarri është përhapur e favorizuar dhe nga era. Ndërkohë një zjarr i rënë rreth orës 15:00 të së shtunës në kodrën me ullishta përgjatë rrugës nacionale Fier-Vlorë, në afërsi të Levanit ka rrezikuar zonën e banuar. Zjarrfikëset për orë të tëra kanë mbajtur flakët larg banesave dhe lokaleve të zonës. Zjarri është sinjalizuar rreth orës 15:00 nga drejtues të rastësishëm të automjeteve, të cilët kanë njoftuar policinë. Konfirmohet se zjarri ka përfshirë rreth 10 hektarë dhe ka shkaktuar djegien e disa qindra rrënjëve ullinj. Dyshohet se zjarri është vënë në mënyrë të qëllimshme, ndërsa policia po heton për gjetjen e autorëve. Ndërkohë në fshatin Shtoj të Shkodrës, një zjarr i fuqishëm ka shkrumbuar rreth 10 hektarë me të mbjella. Flakët kanë krijuar panik te banorët, të cilët janë detyruar të evakuohen nga shtëpitë dhe zona. Vatra e zjarrit është parë në pjesën rrethuese të një are me misër, por brenda pak minutash flakët janë përhapur me shpejtësi dhe situata ka dalë jashtë kontrollit, duke u bërë kërcënuese për shtëpitë e fshatit. Ndërsa në fshatin Dëshiran, të Elbasanit, një vatër zjarri ka rënë në një ullishte dhe për pasojë janë shkrumbuar disa dhjetëra rrënjë ullinj. Mësohet se zjarri mund të ketë rënë nga shkaqe natyrore, por po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.