E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënon dy motra të mitura, ndjekje penale për një 21-vjeçar

Kërcënon me armë dy vajza të mitura, nis procedimi penal për një 21-vjeçar nga fshati Kishaj i Hasit. Mësohet se në ngarkim të të riut Genc Leshi, paraditen e së shtunës ka mbërritur në policinë lokale një denoncim për kërcënimin me armë të dy motrave të mitura. Mësohet se i riu ka kërcënuar me armë Flora dhe Feride Lleshin, përkatësisht 16 dhe 15 vjeçe, për shkaqe që ende nuk janë zbardhur nga policia. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur rreth orës 08:30 të së shtunës, në rrugët e fshatit, ndërsa dy vajzat po shkonin në arat e tyre, rreth 200 metra larg shtëpisë. Babai i të miturave, B.Lleshi, 60 vjeç, ka depozituar kallëzimin në Policinë e Hasit, ndërsa kjo e fundit ka bërë menjëherë një kontroll në banesën e 21-vjeçarit në fshatin Kishaj, por nuk ka gjetur prova materiale. Uniformat blu nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të armës, për të cilën kanë treguar vajzat e mitura. Policia e ka shoqëruar të riun për në komisariat dhe pas marrjes në pyetje është vendosur që i riu të hetohet në gjendje të lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›