“Brenda 4 viteve Peqini me infrastrukturë moderne – do të ndëshkojmë alternativën e shpifjes dhe trillimit”
Kryeministri Berisha çel fushatën elektorale në Peqin, prezanton kandidatin për kryetar bashkie, Ilir Rrushi
Fushata elektorale e kryeministrit Sali Berisha u ndal dje në qytetin e Peqinit ku prezantoi kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Ilir Rrushi. Përmes një mitingu madhështor në sheshin qendror të qytetit, Berisha foli për arritjet e qeverisë, ndërsa premtoi se brenda katër viteve të ardhshme, Peqini nuk do të ketë asnjë rrugë pa shtruar.
“Jam këtu gjithashtu për tu zotuar solemnisht para jush, se në 4 vitet që vijnë, qeveria shqiptare do të financojë, do të mbështesë çdo projekt të qytetit të Peqinit, të komunave të Peqinit, për të ndryshuar, për të përmirësuar jetën tuaj, infrastrukturën tuaj, mirëqenien e familjeve tuaja, për një Peqin të zhvilluar. Në 5 vitet që shkuan në qarkun e Elbasanit, qeveria ka ndërtuar dhe rindërtuar 400 kilometra rrugë, nga të cilat 60 kilometra në rrethin e Peqinit, rreth në të cilin përveç rrugës kombëtare nuk ka pasur asnjë kilometër rrugë të asfaltuar në komunat e tij. Sot në komunat e Peqinit, po ndërtohet një infrastrukturë moderne e njëjtë me qytetin e Peqinit, e njëjtë me lagjet e Elbasanit dhe të Tiranës dhe unë ju garantoj ju, se 4 vitet që vijnë ju qytetarët e Peqinit, banorët e komunave të këtij rrethi, do të keni infrastrukturën më moderne, infrastrukturë të standardeve Europiane. Katër vitet që shkuan, ne kemi ndërtuar 17 ujësjellës dhe kanalizime, ndër të cilat ujësjellësi prej 2 milion dollarësh i qytetit të Peqinit. Në katër vitet që vijnë, do të garantojmë ujë për të gjithë banorët e Peqinit kudo që jetojnë. Në 4 vitet që shkuan, në qarkun e Elbasanit kemi ndërtuar dhe rindërtuar 75 shkolla, në rrethin e Peqinit 18 shkolla dhe ju garantojmë se në katër vitet që vijnë me qeveritarët tuaj vendorë, do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë , në mënyrë që fëmijët tuaj të mësojnë në shkollat me nivele dhe standarde Europiane. Katër vitet që shkuan ne kemi ndërtuar mbi 60 qendra shëndetësore në qarkun e Elbasanit, ndër të cilat 16 në rrethin e Peqinit. Shërbimi shëndetësor ndaj jush dhe qytetarëve shqiptarë është zotimi ynë solemn. Janë përfunduar rrugët Pajove-Sheze-Belsh 17 kilometra, Peqin-Ballagat 15 kilometra, janë ndërtuar 7 ura dhe po ndërtohen një seri rrugësh të tjera. Gjatë katër viteve që vijnë Peqini, nuk do të ketë asnjë rrugë të pa asfaltuar. Peqini do të ketë lidhjen e vet direkte me Tiranën e cila do të kalojë nëpër Baldushk. Peqini do të ketë lidhjen e vet me Rrogozhinën. Infrastrukturë moderne në të katër anët e këtij vendi është zotimi ynë. Ne kemi dëshmuar se kemi punuar me përkushtim të madh në këto vite, me mund dhe djersë, ia kemi dalë ti faktojmë njëri-tjetrit, tu dëshmojmë fëmijëve tanë se ne shndërruam disa nga ëndrrat më të bukura , më fisnike të shqiptarëve në realitet”, u shpreh Berisha.
Kryeministri tha se falë mundit dhe djersës, me reformat e qeverisë u bë e mundur anëtarësimi i Shqipërisë në NATO si dhe liberalizimi i vizave Shqipëri-BE. Por, suksesi i reformave të qeverisë “Berisha”, nuk u ndal me kaq, pas proceseve të integrimit, u bë e mundur që të rimëkëmbej ekonomia dhe të rriteshin pagat e pensioneve me dyfishin e tyre.
“Me mundin, djersën, punën tuaj dhe mbarë qytetarët shqiptarë, me reformat e qeverisë shqiptare, së bashku ia dolëm që Shqipërinë ta bëjmë anëtare të NATO-s nga vendi më i izoluar në Europë. Me mund, me djersë dhe sakrifica, reforma të thella, besim të madh tek njëri-tjetri, besim të madh tek liria, ne ia dolëm të heqim vizat për shqiptarët, të lëvizim sot të lirë në mbarë Europën. Me mund, me djersë, me sakrifica, ne ia dolëm që ekonominë, më të falimentuar të Europës, ta shndërrojmë sot në ekonomi që qëndron në krye të rritjes ekonomike për Europën. Së bashku ia dolëm të dyfishojmë pensionet e ulëta. Çdo fermer shqiptarë merr sot 110 për qind më shumë sesa merrte 5 vjet më parë. Çdo punonjës në Shqipëri merr sot, mbi dy herë më shumë sesa merrte 5 vjet më parë. Sot ekonomia shqiptare është një nga ekonomitë më entuziaste”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë premtoi zbatimin e politikave eficente për fermerët.
“Fermerët e Peqinit, fermerët e Myzeqesë dhe mbarë Shqipërisë, me mundin, djersën dhe përkushtimin e tyre, ia dolën që vitin e kaluar të dyfishojnë eksportet e tyre, ti bëjnë të njohura ato në rajon dhe në mbarë Europën. Në 5 vitet që shkuan në qarkun e Elbasanit, qeveria subvencionoi 4 mijë hektarë dru frutorë, ullishte, vreshta, mollë dhe dru frutorë të tjerë, nga të cilët rreth 400 hektarë janë vetëm në rrethin e Peqinit. Këtë vit janë aplikuar dhe kanë fituar të drejtën edhe për 110 hektarë të tjerë. Zotohem para jush dhe mbarë fermerëve të Peqinit, se katër vitet që vijnë ne do të subvencionojmë 1600 hektarë vetëm në rrethin tuaj”, tha kryeministri.
Por, edhe këtë herë, shefi i ekzekutivit shqiptar do të pohonte se krahas alternativës për qytetin dhe qytetarin, krahas alternativës që mendon për zgjidhjen e problemeve dhe halleve të tyre, është edhe një linjë tjetër, e cila vetëm shpif e trillon çdo ditë.
“Kjo është alternativa jonë, e mundit e djersës, e nderit dhe dinjitetit. Alternativë në të cilën ne ia kemi dalë që ëndrrat e mëdha ti shndërrojmë në realitet. Vetëm nga viti 2005, Shqipëria si në asnjë vend tjetër në Europë, ka ulur varfërinë me 33 për qind, nga 18 për qind që ishte, në 12 për qind, nga viti 2008 Shqipëria është i vetmi vend që ka dyfishuar ndihmën ekonomike. Krahas kësaj alternative ekziston dhe ajo e shpifjes e trillimit e mashtrimit. Në këtë shesh jeni qytetarë të moshave të ndryshme, por për të gjithë ata që janë mbi 30 vjeç nuk e harrojnë kurrë se kur ne me guxim dhe kurajë, me një trimëri dhe vendosmëri të pa shoqe shembëm në Tiranë dhe qytetet e këtij vendi Murin e Berlinit, diktatori i fundit komunist do ti thoshte botës së shqiptarë janë 1 milion të papunë, 1 milion hajdut, 1 milion spiunë, dhe këtë e bënte për të poshtëruar shqiptarët. Sot pas 20 vitesh, një pinjoll i tyre në krye të Partisë Socialiste zoti Edvin Rama, kalon nga tribuna në tribunë duke bërtitur se Shqipëria ka 1 milion të papunë. Në një kohë kur vetëm javën e fundit, Brukseli pohoi se Shqipëria është nga më të paktat vende në Europë, në të cilat edhe në kulmin e krizës papunësia jo vetëm që nuk u rrit, por papunësia u ul dhe kjo është meritë e juaja, kjo është meritë e reformave që mbështetët ju. Nuk mund të lë sot pa ju rrëfyer një gjë personale të jetës sime. Sot është ditëlindja e Muhamedit, ndaj dhe sot duke ju uruar ju këtë datë të shënuar, në historinë e besimit do t’ju rrëfej një gjë shumë të dhimbshme nga jeta ime personale. Kam lindur në një familje fshatare në Tropojë, prindërit e mi dhe njerëzit e mi, kanë qenë shumë punëtorë. Punonin në atë tokë në trojet e tyre, prodhonin çdo gjë që mund të prodhohej në atë fshat. Kishin dhe tepricat e tyre, të cilat si të gjitha prodhimet edhe i shisni. Erdhi një ditë sikundër edhe në të gjitha fshatrat e Shqipërisë, që ata mbetën me bukë misri, me kripë dhe jo shëllirë se nuk kishin djathë, me 1 kilogram sheqer dhe 1 kilogram vaj. Unë herë pas herë shkëputesha dhe shkoja për t’i vizituar, jo prindërit se ata i kisha me vete, por atje ishin njerëzit e tjerë të mi të dashur dhe çdo herë që shkoja, do të shkoja nga Tirana në orën 10 të mëngjesit dhe do të largohesha në orë 11 po të paradites, vetëm e vetëm për të mos i turpëruar dhe sikletosur, sepse në sofrën e tyre, nuk mund të shtrohej gjë tjetër përveçse bukës së misrit, kripës dhe sherbetit me sheqer. Ata e dinin pse unë largohesha në ora 11 sa herë që shkoja. Por dua t’ju them këtu se nëse mjerimin e qanin me lot të ftohta, rrënimin e besimit, ndalimin e besimit dhe të fesë njerëzit e mi e qanin me lot të padukshëm çdo ditë. Nuk mund të pajtoheshin kurrë sesi diktatori mizor do t’ju merrte atyre rrugën e Zotit për tu ofruar rrugën e tij të vetme, rrugën e Enverit. Ndaj dhe dua t’i them zotit Rama ne në këtë shesh jemi besimtarë të feve të ndryshme, ka dhe ateistë, dhe kemi tolerancë për të gjitha. Por mirë nuk bën që nxore nga arkiva e zezë e Partisë së Punës rrugën e vetme për të lënduar, ndjenjat e atyre qindra dhe mijërave shqiptarëve, që kur ua ndaloi diktatori Zotin qanin me lot të padukshme çdo ditë, se nuk i luteshin dot atij si duhet. Ndaj dhe ju ftoj ju, ftoj të gjithë besimtarët shqiptarë, ftoj çdo shqiptarë të ecim në rrugën e Zotit, sepse për çdo njërin prej nesh ka një rrugë në të cilën ne ndërtojmë jetën tonë si qytetarë të lirë, ka një rrugë në të cilën ne jemi arkitekt të jetës sonë, mbrojmë familjet tona, ndërtojmë të ardhmen tonë. Dhe njëherë ju ftoj me 8 maj të gjithë, të votojnë së bashku, për t’i treguar njëri-tjetrit se liria, se vota është zemra e lirive tona, se liria është pasioni ynë, se do të respektojmë çdo votë se do të numërojmë me dinjitet çdo votë , për ti treguar edhe atij zotërisë, që u përpoq të fuste vizat tuaja në kuti edhe atij që përdor besimin e atyre shqiptarëve për të bllokuar dhe jo për të zhvilluar, se ky vend, se këta qytetarë, pavarësisht nga bindjet e tyre, janë qytetarë Europianë, janë të vendosur të ndërtojnë në Peqin, në Tiranë, kudo në Shqipëri Europën dhe të ardhmen e tyre Europiane. Dhe njëherë ju falënderoj dhe ju uroj 8 majin ditën e zgjedhjeve të lira, ditën e fitores së shkëlqyer të ‘Aleancës për Qytetarin’, fitores së qytetarëve, fitores suaj në Peqin dhe në mbarë Shqipërinë”, vijoi më tej kryeministri Berisha.
Gjithashtu, kreu i qeverisë prezantoi në Peqin dhe kandidatët për kryetarë të komunave, si Komunën e Pajovës, Albert Kreci, për Komunën Përparim Agim Xhaja, për Komunën Sheze Jashar Tabaku, për Komunën Gjocaj Isuf Toli dhe të Komunës Karinë Reshat Çela.