E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Do rregulloj trafikun në Tiranë, brenda 1 viti nisin punimet për Tramvajin

19-04-2011 / Redi Agolli

Shqetësimet e vazhdueshme që i janë bërë prezent nga qytetarët e Tiranës për transportin publik dhe trafikun, Lulzim Basha i ka parë sot nga afër. Ai ka udhëtuar gjatë paradites me linjën Kombinat-Kinostudio, ku qytetarët i kanë bërë të ditur se u duhet çdo ditë të udhëtojnë mbi 45 minuta deri në qendër të Tiranës dhe në kushte shumë të këqija. “Udhëtimi për në qendër zgjat 1 orë e gjysëm. Mbi gjysëm orë duhet të rrish në trafik deri sa të kalojë ora 8. Ka aksidente shumë kjo rrugë”, i tha një banore Bashës në autobus. “Unë jam nga Tepelena dhe kam ardhur në vitin 98 në Kombinat. Kombinatin e kam gjetur me këto autobuza dhe po vazhdojmë të ecim po me këto autobuzë. Ishalla e bën atë punën e tranvajit që të shpëtojë i gjithë ky komunitet”, i tha një banorë Bashës. “Këta janë autobuza të shkatërruar dhe nuk dimë të hipim njëherë si njerëz. Vishemi, shkojmë për në punë e vijmë qelbur”, tha një banore tjetër. “Unë jam studente dhe duhet të iki në shkollë. Në orën 9 më fillon mësimi. Unë në orën 9 jam këtu”, tha një studente.
Basha ka paraqitur platformën e tij, ku parashikohet edhe tramvaji. Po kështu, Basha tha se orari i transportit në periferi do te jetë i njëjtë me atë në qendër. Edhe në skajet e Tiranës do të ketë shërbim transporti në orët e vona të natës. “Taksat paguhen, çmimi i biletave paguhet, por nuk ka menaxhim i cili në qendër të vëmendjes të ketë cilësinë e udhëtimit të qytetarëve të Tiranës. Tramvaji do të jetë një zgjidhje brenda arterieve kryesore. Brenda 12 muajve të parë do të nisin punimet për tramvajin Kinostudio-Kombinat. Duhet patjetër që shërbimi urban në periferi të vazhdojë deri në oraret që vijon edhe në qendër të qytetit”, tha Basha.
Për të lehtësuar trafikun, Lulzim Basha parashikon në platformën e tij ndërtimin e Unazës së Madhe, një nënkalim tek 21 dhjetori, vendparkime nëntokësore etj. Po kështu, Basha tha se qytetarët e Tiranës do të udhëtojnë me një biletë të vetme në të gjitha linjat.
“Ka 11 vjet në Bashki dhe nuk ka ardhur njëherë për të na parë. Edhe ne njerëz të gjallë jemi. Jetojmë tek konvikti i Tenkologjikut, jemi 20 veta jetim. Unë aktualisht jam me dy vajza me një dhomë dhe banjo poshtë. Jam kryefamiljare”, tha një jetime. “Jam i vendosur që në krye të Bashkisë, Unazën e Madhe të Tiranës të filloj ta ndërtoj një orë e më parë dhe jam i vendosur që të mos lejoj ndërhyrjen e politikës të bllokojë më procesin e ndërtimit të Unazës së Madhe. Eficenca e menaxhimit të trafikut tregohet edhe me ndërhyrje të vogla, siç do të jenë nënkalimet tek 21 Dhjetori dhe riparimi i këtij rreth-rrotullimi sepse mënyra se si ky investim është bërë është e gabuar dhe jep impakt të drejtpërdrejtë në bllokimin e trafikut që në hyrje të Tiranës. Ndërtimi i parkimeve të nëndheshme do të jetë pjesë përbërëse e platformës time në ndërhyrjet në qytet”, tha Basha në rrethrrotullimin e “Doganës” në Laprakë. “Nga Zogu i Zi deri tek rreth rrotullimit të Doganës ka vdekje për ditë duhet nënkalime ose mbikalime” tha një banor.”Do të nisim urgjentisht investimet për të ndërtuar nënkalime për të lidhur këto pjesë rruge. Sistemi i transportit do të thjeshtohet në mënyrë që qytetari me biletën e prerë, brenda 1 ore, brenda 2 ore, brenda 3 ore, sipas tarifës, të ketë mundësi të qarkullojnë në të gjithë qytetin me një biletë”, u përgjigj Basha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›