“Edi Rama e ka braktisur Tiranën - më 8 maj ndryshimi i mirëpritur”

Intervistë me kandidatin e mazhorancës për njësinë bashkiake nr. 9 në kryeqytet, Indrit Fortuzi Indrit Fortuzi, ish-futbollisti i njohur i Tiranës, kandidon për minibashkinë nr. 9, duke përfaqësuar Partinë Demokratike, si forcë politike e “Aleanca për Qytetarin”. Për atë, fitorja e tij, por edhe Luzim Bashës, si kandidat për kryebashkiak të Tiranës, janë të sigurta. Këtë siguri ai e mbështet në programin e tij, si pjesë e programit edhe të Luzim Bashës, por edhe në nevojën për ndryshim, në kushtet kur kryebashkiaku aktual Edi Rama ka vënë në plan të parë, aktivitetin e tij si politikan, duke harruar bashkinë e Tiranës. Premtimet e tij për banorët e njësisë nr. 9 janë ndërtimi i një shkolle dhe i një poliklinike për shërbimet shëndetësore si edhe realizimi i një fushe sporti në këtë zonë duke qenë se edhe vetë si sportist, ka një karrierë të shkëlqyer në futboll. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “55”, ai deklaron se dera e tij do të jetë gjithmonë e hapur për të mirëpritur qytetarët dhe për të zgjidhur hallet dhe problemet e tyre. Indrit Fortuzi fort në fitore dhe duke qenë tepër optimist për fitoren e kandidatit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha, i bën thirrje qytetarëve të Tiranës që, më 8 maj me votën e tyre të zgjedhin njeriun për të cilën Tirana ka nevojë. Duke dhënë një mesazh për të gjithë qytetarët që do të votojnë, Indrit Fortuzi kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, beson se në 8 maj Tirana do të miratojë programin e ndryshimit të madh, i cili i ka munguar prej kohësh kryeqytetit.
Ju jeni prezantuar si kandidat i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” cili është vlerësimi dhe komenti juaj për besimin dhe përgjegjësinë që iu ka ngarkuar mazhoranca?
Është hera e dytë që unë marr këtë propozim nga Partia Demokratike. Në vitin 2009- të më futën kandidat në listat e zgjedhësve për deputet. Unë kam qenë gjithmonë simpatizant i Partisë Demokratike dhe kandidimi është një vlerësim në radhë të parë. Ky vlerësim gjithashtu, përkthehet nga ana ime, si kontribut për të vënë të gjitha mundësitë dhe emrin tim, në funksion edhe të fitores së kandidatit Lulzim Basha, për kryebashkiak të Tiranës.
Gjatë takimeve dhe kontakteve me zgjedhësit e zonës në të cilën ju kandidoni, cilat kanë qenë pikat e programit tuaj, të rpezantuar për banorët e njësisë nr. 9?
Unë kam shkuar, jam takuar me njerëz sepse kur shkon takohesh me njerëz njihesh dhe më shumë me hallet e tyre me problemet e tyre. Ka banorë që kanë pakënaqësi, por ajo që të bën më shumë përshtypje që unë mbase dhe e kam premtuar është për në zonën poshtë, zonën informale që është pas shinave të trenit, në uzinën “Dinamo”. Kam premtuar bërjen e një shkolle dhe një poliklinike për ata njerëz sepse është një komunitet shumë i madh njerëzisht, sepse edhe nuk ka asnjë lloj ambulance, asnjë ndihmë për njerëzit që sëmuren dhe është një kohë shumë e gjatë për njerëzit për të shkuar në spital. Për mua kjo është emergjente dhe e detyrueshme. Nga ana tjetër edhe ndërtimi i një shkolle të re në këtë zonë përbën edhe lirimin e shkollave të tjera si “7 Marsi”, “De Rada”, “Sami Frashëri”. Mbipopullimi i madh që kanë po të bëhet një shkollë tjetër atje bie edhe fluksi i madh që kanë këto shkolla që përmenda. Pra nuk do ketë më proces mësimor që të zhvillohet pasdite, pse ka një fluks të madh nxënësish, sikurs ndodh rëndom tani. Ndërtimi i një shkolle atje është i domosdoshëm, besoj se edhe Lulzim Basha ka në projektin e vet për të bërë një shkollë dhe një poliklinikë në këtë zonë. Pastaj ka gjëra të tjera, siç janë ndriçimi dhe kanalizimet që janë gjëra që mund të bëhen. Krijimi i lulishteve, i ambienteve që njerëzit të merren edhe me sport, pasi unë vij edhe nga fusha e sportit duhet të zhvillohet edhe më tej. Personalisht kam evidentuar, kam shënuar, dhe kam informuar edhe kandidatin pë kryebashkiak Lulzim Basha, për të gjithë problematikën që ekziston të paktën në njësinë nr. 9. Problemet janë të ndryshme, por duhet të të mendohet për zgjidhje. Problemet imediate për mua janë plani i parë, megjithëse e kam ftuar dhe zotin Basha që në takimet e tij në Tiranë, në një nga ditët do të jetë edhe në këtë zonë.
Ju thatë se prioritet tuaja primare do të jenë ndërtimi i një shkolle dhe i një poliklinike në këtë zonë? Në çfarë aspektesh do investoni tjetër ju për këtë zonë?
Në këtë minibashki ka disa lagje që nuk kanë ndriçim, ka disa lagje që nuk kanë kanalizime, është një pjesë e rrugëve që është bërë deri diku dhe pjesa tjetër është lënë pasi ka votuar për Partinë Demokratike. Pra ka disa që shihen me syrin e nënës dhe disa me syrin e njerkës. Ka dhe nga ato diferencime kuptohet. Edhe njerëzit janë të bindur që duhet bërë një lloj ndryshimi sepse mendoj se në krye të bashkisë së Tiranës është një person që nuk po mendon më për Tiranën. Ai i është futur politikës dhe po bën një luftë më shumë politike sesa për qytetarët. Njerëzit kanë nevojë për ato njerëz që punojnë dhe mendojnë 24 orë për qytetarët, që të zgjidhin problemet e tyre. Mirëqenia e një shteti, kombi rregullohet kur rregullohet mirëqenia e çdo lloj personi e çdo lloj familjeje ashtu rregullohet dhe mirëqenia e qytetit.
Duke qenë se problematikat e banorëve të kësaj zone ju i keni evidentuar, për sa i përket një plani apo një platforme konkrete tuajën për këtë zonë a mund të na thoni diçka më tepër rreth saj?
Platforma ime konkrete normalisht i përket problemeve imediate, që ka në zona të veçanta. Përveç programit madhor që ka Lulzim Basha, programet e mia do të jenë të integruara me programin e zotit Basha, pra është një program i vogël. Ngritja e problematikave dhe zgjidhja e këtyre problematikave në këto zonave. Në një zonë është shkolla, në një zonë është poliklinika, në një zonë tjetër është rruga, në një tjetër zonë është integrimi i pjesës së romëve, të shkojnë nëpër shkolla e të mos rrinë rrugëve, të ketë një lloj rritjeje mirëqenieje të nivelit të jetesës. Ka disa zona që kanë nevojë për kosha plehrash, për pastërti. Kjo minibashki ka edhe disa zona që kanë nevojë për një lulishte për një vend ku të pushojnë pleqtë, që të rrinë nëpër stola. Pra janë gjëra që ekzistojnë.
Duke qenë se vini edhe nga fusha e sportit çfarë do i premtoni banorëve të njësisë nr. 9, për sa i përket ambienteve sportive në këtë zonë?
E di që është shumë e vështirë dhe mbase një nga premtimet që mund të bëhet i fundit është krijimi i disa ambienteve sportive. Ne kemi pas luajtur nëpër lagje dhe aty jam bërë futbollist, në lagje bëhesh vërtet futbollist. Ne s’kemi ambiente të tjera. Të gjitha hapësirat janë zënë me parkingje. Falë edhe bashkëpunimit për një projekt me Lulzim Bashën, do të ndërtojmë një fushë sportive.
Në një analizë të programit tuaj elektoral, cilat janë pikat tuaja të forta në këtë garë përballë rivalit tuaj?
Pika ime e fortë është figura ime si person, emri im që është një emër i dëgjuar dhe është i akumulueshëm nga të gjithë. Nuk kam qenë i konsumuar të paktën as në aspektin politik, as në aspektin institucional ose të kem qenë ndonjë ndërmarrës ose ndonjë drejtor ose diku tjetër. Arma ime më e fuqishme është edhe sinqeriteti, çiltërsia dhe marrëdhëniet e mia që unë kam pasur siç kam pasur në fushën time me kundërshtarët dhe me tifozët ashtu duhet ta kem dhe tani. Pretimi im nuk varet nga diçka tjetër por varet në dorën time, të paktën, unë do t’i pres njerëzit me hallet dhe problemet e tyre dhe në qoftë se nuk mundem t’ia zgjidh vetë sepse minibashkia nuk është se ka diçka në dorë, por zërin e tyre do të transportoj më me forcë aty ku duhet. Pra, dera ime do të jetë gjithmonë e hapur për qytetarët.
Nga takimet që keni pasur me banorët e zonës, cilat kanë qenë reagimet e tyre dhe çfarë ata ju kanë rezervuar në këto takime?
Gjatë këtyre ditëve të fushatës elektorale, ka pasur dy lloj reagimesh brenda unazës dhe jashtë saj. Familjet më të qytetëruara ose me familjet tiranase ka qenë një lloj takimi mbase si i përditshëm sepse duke qenë familje tiranase njihemi, pasi kanë një lloj emri. Më kanë pritur si djalin tyre, e familjes së tyre, pra ka qenë një takim normal. Por ajo që më ka bërë më shumë përshtypje ka qenë në zonat jo informale ku shumë fëmijë njerëz kanë dëgjuar emrin, ishte një emër i njohur, por nuk më kishin takuar sepse nuk kishin pasur mundësi të më takonin sepse mund të kenë qenë në rrethet e veta. Takimet me ta ishin si një lloj kënaqësie, një lloj gëzimi i i dyfishtë sepse mund t’i vinte edhe kandidati por i vinte edhe Fortuzi si futbollist. Ishte një lloj kënaqësie e veçantë sepse në momentin që ne lemë sportin na duket sikur njerëzit na harrojnë, sikur jemi jashtë vëmendjes, por këto gjëra sikur të ngrenë pak moralisht dhe ndihesh vërtet mirë që ke lënë diçka që njerëzit të kujtojnë.
Sa besoni te fitorja juaj dhe te kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha?
Të them të drejtën një nga pikat e mia të forta si karakter si personalitet është të jem gjithnjë fitues. Unë kam qenë me ekipet që kanë qenë gjithmonë fitues por kam parë dhe jam me të vërtetë optimist sepse shikoj një lloj reagimi që të gjithë njerëzit kanë nevojë për një ndryshim, kanë nevojë pasi janë të mërzitur të lodhur nga kjo politike e qeverisjes së Tiranës. Mendoj që njerëzit kanë shumë nevojë për këtë ndryshim dhe këtë reagim e shoh te sytë e njerëzve dhe jam shumë optimist për fitoren e Bashës.
Cili është mesazhi juaj për të gjithë zgjedhësit që do të votojnë në datën 8 maj për zgjedhjet lokale?
Të shkojnë të gjithë të votojnë dhe të kuptojnë diçka, që ka ardhur dita që vetë njerëzit të zgjedhin kush është njeriu që duhet të drejtojë të paktën qytetin e tyre, që të jetë njeriu që duhet t’u zgjidhë problemet që ata kanë gjatë ditës. Duhet të zgjedhin njeriun i cili të mendojë për hallet e tyre. Zoti tu japë forcë ditën e votimit që të shkojnë të votojë sepse nga një votë është shumë e rëndësishme dhe mos bëhen neglizhente që vota e tyre të shkojë kot, sepse vota e tyre do vendosë një pjesëmarrje shume të madhe dhe pjesëmarrja e tyre do përcaktoje edhe vendimin që do të merret për kryetarin e bashkisë së Tiranës.
...