Ilir Meta: Prioritetet e “Aleancës për Qytetarin” janë punësimi dhe zhvillimi ekonomik
Kreu i LSI-së prezanton në Buçimas kandidatin për kryetar komune, Roshi Tollozhina, i cili rikandidon për një mandat të dytë
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim,z. Ilir Meta i shoqëruar nga deputeti i Partisë Demokratike në Pogradec, z. Fatbardh Kadili, ka prezantuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për Komunën Buçimas, z. Roshi Tollozhina i cili rikandidon për një mandat të dytë në këtë komunë. Në praninë e mijërave të pranishmeve, z. Tollozhina duke kërkuar vazhdimin e projekteve që ka për këtë zonë, u shpreh se, “së bashku ne mund të bëjmë edhe më shumë për komunën tonë sesa në këtë mandat të parë”.
Me moton “Të vazhdojmë së Bashku” z. Tollozhina ka renditur disa nga projektet e tija të cila janë në vazhdim. Sipas tij, disa nga projektet që janë në vazhdim janë hapja e disa çerdheve të reja, rikonstruksioni i shkollave, furnizimi me uji të pijshëm, dhe përfundimi i kolektorit të ujërave të zeza për mos derdhjen në liqen. Ndërsa, gjatë prezantimit të kandidatit Tollozhina, kreu i LSI-së Ilir Meta, vlerësoi se “Aleanca për Qytetarin”, ka në thelb të programit të saj elektoral, punësimin dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.