E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania e Franca, bashkëpunim me Shqipërinë për luftën ndaj krimit të organizuar



Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka kërkuar bashkëpunim të mëtejshëm me Francën dhe Anglinë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe proceset integruese të Shqipërisë, gjatë takimit me ambasadoret e vendeve përkatëse. Ditën e djeshme, Basha priti në dy takime të veçanta ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mclleeham dhe ambasadoren e Francës, Maryse Daviet. Gjatë këtyre takimeve, numri një i Ministrisë së Brendshme bashkëbisedoi me ambasadoret britanike dhe franceze mbi bashkëpunimin e deritanishëm mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar e Francës në luftën kundër krimit të organizuar dhe veprimtarive të tjera të paligjshme, me të cilat përballen agjencitë ligjzbatuese. Me rëndësi është edhe procesi i integrimit të vendit në BE. Në takimet e zhvilluara u diskutua, gjithashtu, për perspektivën e afërt të proceseve integruese të vendit dhe për ecurinë e përmbushjes së kritereve për përfitimin e liberalizimit të vizave me vendet e Evropës Perëndimore. Gjatë takimit me ministrin Basha, ambasadorja Mclleeham i dorëzoi atij letrën përshëndetëse të ministrit të Brendshëm britanik, Alan Johnson, i cili pasi i përcjell përgëzimet e tij për emërimin në detyrën e ministrit të Brendshëm, thekson se Mbretëria e Bashkuar vlerëson Shqipërinë si partnere në luftën kundër krimit të organizuar dhe deklaron gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit kundër kriminalitetit në të dyja vendet. Ndërkohë edhe, ambasadorja Daviet, gjithashtu, dorëzoi në takim letrën përshëndetëse të ministrit të Brendshëm të Francës, Brice Hortefeux, i cili përgëzon ministrin Basha për marrjen e detyrës dhe siguron për perspektivën e ndërtimit të një bashkëpunimi sa më të frytshëm mes të dyja vendeve. Për Shqipërinë, një nga proceset themelore është lufta ndaj krimit dhe bashkëpunimi i mëtejshëm me vendet e BE për t’i dhënë një goditje të fortë atij. Një gjë e tillë do të ndihmojë vendin që të jetë i sigurt dhe t’i japë mundësinë shtetasve shqiptarë, që të mund të përftojnë nga liberalizimi i vizave dhe të lëvizin lirisht në vendet e Bashkimit Evropian.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›