Dëshmia, e vrava mjekun se dyshoja për një lidhje me gruan time
“Jam i penduar për vrasjen që kam bërë, por kam qenë i rënduar psikologjikisht. Një javë më parë më vdiq babai, dy muaj më parë më vdiq gruaja dhe para se të vdiste, ajo përmendi emrin e doktorit Fatmir Thaçi. Xhelozia më shtyu të vrisja mjekun”, - mësohet të ketë deklaruar një orë pas arrestimit autori 44-vjeçar, Ali Lorja. Ky mësohet të ketë qenë edhe shkaku i vrasjes së tij nga ish-polici, të cilit dy muaj më parë i kishte vdekur e shoqja, duke lënë pas burrin dhe fëmijët. Në momentin që ka kryer krimin, mësohet që autori t’i ketë deklaruar doktorit radiolog se “le të mbeten jetimë edhe fëmijët e tu, ashtu siç mbetën fëmijët e mi”. Burime policore bëjnë të ditur se gjatë marrjes në pyetje, vrasësi u deklaroi punonjësve të policisë se ai e kishte kryer krimin, pasi e konsideronte mjekun radiolog si përgjegjës për humbjen e gruas së tij.
Hetimet
Sipas burimeve nga policia, shkak i kësaj ngjarjeje të rëndë ka qenë një konflikt për motive të dobëta midis mjekut Fatmir Thaçi dhe 44-vjeçarit Ali Lorja. Gruaja e autorit të vrasjes, Liljana Lorja, ka punuar si infermiere në spitalin e Durrësit. Por ajo i dha fund jetës, duke u helmuar me fostoksinë në datën 8 korrik të këtij viti. Dyshohet se ka qenë pikërisht bashkëshorti i saj, Ali Lorja, që e ka shtyrë atë të ndërmarrë këtë veprim. Ai e akuzonte shpesh të shoqen se kishte lidhje jashtëmartesore me mjekun radiolog, Thaçi. Sherret e vazhdueshme kishin çuar nënën e dy fëmijëve që të konsumonte një sasi helmi fostoksinë dhe të humbte kështu jetën. Por, sipas burimeve të policisë, gjatë marrjes në pyetje, autori deklaroi se ndërsa ishte duke vdekur, gruaja e tij i përmendi pikërisht emrin e 54-vjeçarit Fatmir Thaçi. Të gjitha këto dyshime dhe humbja e gruas së tij, dyshohet se kanë çuar Lorjen që të kryejë krimin. Ai e kreu vrasjen e Thaçit në mëngjesin e ditës së djeshme me një pistoletë tip “TT”, brenda në zyrën e doktorit. Sipas burimeve nga policia, dyshohet se 44-vjeçari e kishte menduar krimin, pasi ditët e fundit ai ishte parë të hynte shpesh në spital dhe të pyeste për zyrën e doktorit.
8 korrik
Durrës, gjendet e vdekur infermierja, piu helm
Një 45-vjeçare u gjet e vdekur në qytetin e Durrësit, pasi kishte konsumuar një sasi helmi. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme, ndërkohë që sipas burimeve nga policia, viktima është Liljana Lorja. Edhe pse ajo u dërgua menjëherë në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore, sërish nuk arriti që të mbijetonte. Viktima ishte e martuar dhe ishte nëna e dy fëmijëve. Sipas mjekëve, 45-vjeçarja kishte konsumuar një sasi helmi që përdoret për ngordhjen e minjve. Policia ka kryer veprimet e para hetimore për këtë ngjarje dhe materialet e përgatitura do t’i kalojnë prokurorisë për veprën penale “shkaktim të vetëvrasjes”.
Mjekët
Jeta jonë e pasigurt, Fatmiri, një mjek dhe njeri i mirë
Kaotike ka qenë situata në spitalin e Durrësit pas vrasjes së mjekut Fatmir Thaçi në zyrën e tij. Mjekët janë shprehur të tronditur se ndihen të pasigurt për jetën e tyre. Gjithkush mund të hyjë në ambientet e spitalit dhe të qëllojë mbi ta për arsye nga më të ndryshmet. “Fatmiri ishte një mjek dhe njeri shumë i mirë”, - shprehen mjekë dhe infermiere, ndërkohë që shtojnë se e njihnin autorin pasi shpesh vinte dhe shkaktonte skena xhelozie dhe zihej me të shoqen kur ishte gjallë dhe punonte te recepsioni i spitalit. Njëra nga infermieret shprehet se nuk dëgjoi krisma, por mësoi nga kolegët se dikush kishte qëlluar në zyrën e tij mjek Fatmirin. Ajo shprehet se ndihen jo vetëm të tronditur prej ngjarjes, por edhe të pasigurt për jetën.