E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, si parti e interesit kombëtar

Në të vërtetë, sot ne nuk kremtojmë thjesht themelimin e një partie, por sot ne kremtojmë themelimin e pluralizmit politik, lokomotivën e demokracisë dhe të qytetërimit të sotëm botëror. Historia e zhvillimit të qytetërimit të sotëm ka provuar se pa pluralizëm politik, nuk ka dhe nuk mund të ketë sistem demokratik, nuk ka dhe nuk mund të ketë sistem demokratik. Vërtet pluralizmi politik është njëshi kolektiv, por duke pasur në thelbin e tij lirinë e individit, për fjalën e lirë dhe shprehjen e bindjeve të tij, duke pasur në thelbin e tij lirinë dhe të drejtën e individit për t’u grupuar në forca politike të përzgjedhura me vullnetin e tij, për t’u ftuar brenda tyre për realizimin e aspiratave, bindjeve dhe ëndrrave të tij, pluralizmi politik është vetë individi i lirë, është vetë thelbi i shoqërisë së lirë.

Kështu që dita e sotme për çdo qytetar shqiptar, aq sa është historike për liritë, të drejtat dhe dinjitetin e tij individual, po aq historike dhe e rëndësishme është për kombin, vendin, për lirinë dhe sovranitetin e vërtetë të tyre.

Një shtetar i madh do të shkruante se “sovraniteti dhe demokracia janë e njëjta gjë”. Në realitet, në mungesë të demokracisë, pra, të lirive individuale për qytetarët, sovraniteti është si ai lisi i thatë pa degë, kurse liria kombëtare pa lirinë individuale, ngjason tërësisht me shkretëtirën pa jetë. Ne shqiptarët, më hidhur se kushdo tjetër, provuam se pavarësia pa demokracinë de facto është shtypje, poshtërim, nënshtrim individual dhe kombëtar, pra, thjesht dhe realisht nuk është pavarësi. Në këtë drejtim, data e themelimit të PD-së dhe e themelimit të pluralizmit politik kanë për Shqipërinë rëndësi realisht të njëjtë me ditën e pavarësisë së saj.

Por, përveç këtyre, çdo shqiptar feston sot gjithashtu ditën e themelimit 18 vjet më parë, të partisë së interesit të tij kombëtar, që është dhe duhet të mbetet interesi i parë për çdo shqiptar. Partia Demokratike do të faktohej si forca politike që do t’i jepte fund sundimit barbar të Partisë Komuniste shqiptare, të themeluar më 8 nëntor të vitit 1941 nga Beogradi, si seksion i partisë së tij, për qëllime dhe interesa tërësisht antishqiptare. Parti, e cila do të zhyste vendin në izolimin më të thellë në historinë e tij, do ta shkëpuste atë tërësisht nga trungu i tij perëndimor, do të nxiste armiqësinë dhe luftën barbare të klasave midis shqiptarëve. Partia Demokratike, në ditën e parë të themelimit të saj, shpalli interesin e çështjen kombëtare si yllin e saj polar, integrimin euroatlantik të vendit, rikthimin e Shqipërisë në trungun dhe gjirin e familjes së kombeve dhe vendeve që ajo i përkiste.

Dita e themelimit të Partisë Demokratike dhe pluralizmit politik më 11 dhjetor, në ora 23:00 të natës të vitit 1990, mund të quhet dita e shpëtimit dhe e shpresës së madhe, dita e rilindjes së vërtetë të dytë kombëtare. Ne, shqiptarët, erdhëm në vitin ‘90 të shekullit të kaluar si kombi që kishte përjetuar pushtime të gjata, copëtime të padrejta, si kombi që, në tërë historinë e tij mijëravjeçare, nuk kishte njohur, provuar pluralizëm politik, lirinë dhe epërsinë e vlerave të saj, pasurinë e saj të pafund. Në vitin ’90, ne erdhëm si në vitin zero të pluralizmit në tërësi, si në vitin e totalitarizmit më total, që Evropa kishte njohur në tërë historinë e saj. Regjimi diktatorial i Enver Hoxhës shkatërroi të gjitha format e tjera të pluralizmit, shkatërroi pluralizmin politik, fetar, kulturor, ekonomik.

Më 11 dhjetor, një orë para mesnate, me themelimin e Partisë Demokratike nuk lindi vetëm pluralizmi politik dhe i mendimit, por rilindi pluralizmi i shkëlqyer fetar, u rikthye në Shqipëri Krishti dhe Muhamedi, rilindi shpresa dhe dinjiteti, rilindi pluralizmi kulturor, rilindi Fishta, Konica, Niçja, Kafka, Dostojevski, Mileri, Dolçi, rilindi prona private dhe pluralizmi i saj, rilindi kombi dhe shpirti i tij perëndimor. Rroftë kombi shqiptar!

Studentët, me në krye Tribunin legjendar Azem Hajdari, intelektualët, pedagogët, punonjësit dhe punëtorët e Tiranës që themeluan 18 vjet më parë Partinë Demokratike, zhvilluan në sheshet dhe rrugët e Tiranës, me diktaturën më të egër në Evropë, një betejë epike, që ngjasonte me betejën e Davidit me Goliathin dhe e gjunjëzuan atë. Ata fituan, sepse kishin marrë vendimin më të rëndësishëm që mund të marrë njeriu në jetën e tij – vendimin për mbrojtjen e lirisë. Për ata, liria ishte e para.

Për shumicën e shqiptarëve, luleborën e dhjetorit të vitit ‘90 do ta ngrinin dhe thanin me shpejtësi ngricat e dimrit, ngricat e regjimit. Javën e parë, pas themelimit të saj, Partia Demokratike do të shpallej nga diktatori si armike e popullit shqiptar. Ai mobilizoi të gjithë potencialin, terrorin e tij kundër saj. Ramiz Alia dhe Sllobodan Milosheviçi shkrinë, bashkërenduan shërbimet dhe përpjekjet e tyre, ndihmuan njëri-tjetrin me të gjitha mënyrat që Shqipëria dhe Serbia të zëvendësonin me shpejtësi pluralizmin politik me pluralizmin burokratik. Të dy ata shpallën subjekte politike elektorale levat e partive simotra, por që në fakt ishin si nënë e bijë, pra, organizatat e rinisë, gruas, frontit, sindikatave.

Por, themeltarët për të cilët liria ishte e para, kishin në shpirtin e tyre shpresën për ta mbrojtur, zhvilluar dhe konsoliduar atë. Liria e sapolindur e dhjetorit jo vetëm nuk u tha, por përkundrazi, aroma e saj u përhap me shpejtësi të madhe në rrugicat, rrugët, sheshet, kopshtet, fushat, kodrat, malet e Shqipërisë, në mbarë qytetet dhe fshatrat e saj, pushtoi mendjen dhe zemrën e njerëzve më të shtypur të kontinentit. Lëvizja Demokratike e Dhjetorit ’90 do të shndërrohej me shpejtësi në uraganin më të fuqishëm të lirisë që ky vend kishte njohur ndonjëherë. Në mijëra e mijëra takime, mitingje, demonstrata, protesta dhe greva, ajo do të shënonte më 22 mars të vitit 1992 fitoren më të thellë dhe historike ndaj diktaturës staliniste dhe do t’i hapte rrugën e formësimit, ndërtimit të Shqipërisë së shekullit e mijëvjeçarit të ri.

*Marrë me shkurtime nga fjala e mbajtur mbrëmë në festën e krijimit të PD-së

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›