E Hënë, 2 Nëntor 2026

Brenda dhjetorit do të përfundojë frigoriferi për prodhimet e zonës

05/06/2005  Dritan Prifti kandidat i LSI në Zonën Eelektorale 72 Libofshë, Fier

Lindur më 27 gusht 1968

Është diplomuar për gjuhë të huaj (anglisht) më 1990

Ka punuar në INSIG, në departamentin e marrëdhënieve me jashtë

Më 1993 vazhdon Universitetin në Nju Meksiko, në USA, për master

1996 Kthehet në Shqipëri dhe kryen aktivitet privat për 1 vit

1997 Shef i kabinetit të ministrit në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale

1998 Shef kabineti i ministrit të Financave

1999-2000 Mbaron një tjetër master për administratë publike, qeverisje në USA

2000- Shef i kabinetit të Kryeministrit Meta dhe pas 6 muaj drejtor i Përgjithshëm i KESH, rreth 1 vit

Pas zgjedhjeve të 2001, deputet i zonës elektorale 70 të asaj kohe (Libofshë)

Emërohet ministër Shteti për energjetikën

Anëtar i Komisionit të Punëve Publike, Industrisë dhe Energjetikës dhe transportit

Së fundi anëtar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave Publike në parlament

Z.Prifti, ku konsiston kandidimi juaj?

Epërsia ime në krahasim me kandidatët e tjerë është se unë kam qenë pranë halleve dhe problemeve të banorëve të kësaj zone. Fakti është shumë i thjeshtë, unë jam nga Libofsha, babai im është rritur këtu dhe e njohin të gjithë familjen time dhe rrënjët e saj. Kam zgjidhur probleme dhe halle në rreth 500 familje të zonës sime elektorale, kështu që kam qenë pranë tyre kur ka qenë nevoja për një dokor, për një bursë, për një pension, pagesë kempi, për një shkollim jashtë shtetit. Epërsia ime kryesore është fakti që unë kam qenë pranë njerëzve, dhe ky është avantazh. Cilësi që është pranë saj është marrëdhënia ime me njerëzit, kam një thjeshtësi dhe një qartësi në komunikim. Kam marrëdhënie dhe lidhje të zgjeruara në administratën shtetërore, por edhe jashtë shtetit. Njerëzit këtë e shohin me interes, sepse shpeshherë ata kanë nevojë për ndihmë, unë kam njohje kudo. Rrethi im i gjerë është sërish një avantazh që s'e kanë kundërshtarët e mi. Tjetër avantazh është fakti se unë jam nga Libofsha, kam një familje që njihet mirë këtu, që nga prindërit, gjyshi, gjyshja, këtu është rritur babai im. Avantazh tjetër është shkollimi im, që më ka pajisur me disa gjëra që ta kem më të thjeshtë punën time si deputet, mos të kem mangësira për sa u përket aspekteve profesionale të punës.

Cilat janë problemet e zonës suaj dhe a do t'i mbani ato?

Në fakt, unë nuk bëj premtime që nuk i mbaj, por vetëm ato që i realizoj. Premtoj se brenda 3 muajve të parë të mandatit do të përfundojë ndërtimi i një depoje të madhe frigoriferike në Mbrostar. Do të jetë një depo frigoriferike me sipërfaqe ndërtimi 10 mijë metra katrorë, pra do të jetë shumë e madhe dhe do të arrijë të magazinojë të gjitha produktet e zonës sime elektorale, pse jo madje edhe nga Lushnja. Ky premtim, jam i bindur se do të realizohet, sepse kam qenë në Vjenë para 2 javësh, ku kam mbyllur bisedimet me një konsorcium austriako-gjerman për këtë investim prej 3.5 milionë euro që do të fillojë shumë shpejt. Me këtë unë i garantoj një treg të sigurtë elektoratit tim, pasi po të shohësh sot, gjithandej sheh toka të papunuara sepse janë shumë larg tregut. Gjithashtu, unë do të përqëndrohem në rimëkëmbjen e bujqësisë. Do të garantojmë që në stinën që vjen të ketë një sistem kullimi dhe vaditjeje modern. Kam bërë një studim të detajuar nga ekspertët më të mirë se si mund të rimëkëmbet bujqësia, çdo gjë me zëra kostosh dhe unë garantoj një bujqësi tjetër. Do të përfundoj rrugën që lidh Libofshën me Fierin, e vetmja rrugë e papërfunduar, me prurjen e ujit 24 orë në të gjitha fshatrat e largëta të zonës. Rrugët e tjera lidhëse ato të Mbrostarit dhe ato të rrugëve lidhëse nëpër fshatra. Dikur gjysma e fshatrave nuk furnizohej me ujë të pijshëm, sot nuk ka fshat pa ujë 24 orë.

Prisni të dilni fitues në këto zgjedhje?

Unë nuk e diskutoj fare fitoren, por objekti im do të jetë që të kem rezultatin më të thellë në të gjithë Shqipërinë, pra të jem deputeti më i votuar në të gjithë Shqipërinë. Unë nuk diskutoj fitoj apo nuk fitoj, pasi këtë e kam të sigurtë, ngado që shkoj, të njohur apo të panjohur më presin me kënaqësi të veçantë, flasin me mua me thjeshtësi dhe besim. Edhe nga sondazhet që kam bërë kam dal mbi 50%. Puna ime në këtë muaj fushatë do të përqëndrohet në thellimin e rezultatit. Nëse para 4 vitesh unë isha deputeti i tretë më i votuar, tani pretendoj të jem i pari.

Ç'mendim keni për kandidatët e tjerë?

Këtu në fakt janë 2 kandidatë, që mendoj se do të jenë pranë me vota, është kandidati i PD, Leonard Grëmi. E njoh se ka qenë pjesë e shtabit tim elektoral 4 vjet më parë. Ai nuk është i djathtë, unë nuk e di se si kandidon për të djathtën. Megjithatë, nuk është çështja ime kjo. Ai është djalë i mirë, por, pavarësisht, se është nga zona, i ka qëndruar larg asaj dhe nuk ka eksperiencë politike. Është një njeri që vjen nga një biznes që ka punuar për të tjerët dhe nuk ndjej rivalitet, pasi PD historikisht këtu ka qenë 18% dhe nuk mendoj se Grëmi do ta rrisë elektoratin opozitar. Nga PS është znj.Rajmonda Stefa. Në fakt, të them të drejtën shumë vetë mendojnë se ka rivalitet në këtë aspekt, meqë Libofsha ka qenë një bastion socialist,por unë them se Libofsha ka qenë dhe do të mbetet një bastion me socialistët e vërtetë me LSI, dhe jo me PS. Unë nuk kam nevojë të bëj fushatë për znj. Stefa, pasi nga mënyra se si e njohin njerëzit këtu, nuk ka opinion të mirë në popull. Shihet si një person që nuk ka edukatë, si një person që fjalorin e rrugës e përdor kudo. Njihet si njeri që bën vetëm keq dhe jo mirë, njihet si njeri që nuk ka mbështetje as në PS në nivelet e larta. Kështuqë, unë mendoj se as te Stefa unë nuk shoh rivalitet, madje shumë shpesh flasin se ajo ka ardhur në Libofshë për të humbur. Pasi provuan disa kandidatë të tjerë si Igli Toska, apo Petro Koçin dhe ata nuk pranuan të kandidonin këtu dhe Stefa u vu si një person që të mos mbetej zona bosh dhe mendoj se ka ardhur dhe me qëllim për të humbur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›