E Hënë, 2 Nëntor 2026

Krijimi i fermave bujqësore dhe rritja e pensioneve synimi im

05/06/2005  Kandidati i Partisë Demokratike në ZE 72, Leonard Grëmi

CV e kandidatit Leonard Grëmi

Lindur më 14.11.1959 në Libofshë

Ka mbaruar arsimin e mesëm pedagogjik në Fier

Diplomohet në Fakultetin e Shkencave Politike e

Juridike, dega filozofi-drejtësi

1983-1986 drejtues i organizatës së rinisë në Fier

1986-1989 gazetar i Zëri i Populli

1989-1993 pedagog i filozofisë dhe sociologjisë në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike

1993 e në vazhdim punon në sektorin e mediave private në mediat e shkruara dhe elektronike në Tiranë

Drejtor i gazetës Shekulli, Radio+2, televizionit A1

Gjuhë e huaj e mbrojtur anglisht, italisht

Gjendja civile: I martuar me 1 fëmijë

Cilët do të jenë ata që do të votojnë për ju dhe pse?

Ata që do të votojnë për mua do të jenë miq të mi, elektorati i zonës 72, banorë të katër komunave Libofshë, Mbrostar, Qendër dhe Pojan. Zgjedhësit nuk janë pronë e imja, të majtë apo të djathtë, ata janë të lirë dhe do të bëjnë zgjedhjen e tyre në bazë të vullnetit, dashurisë, miqësisë, bindjeve të tyre, mbushjes së programit të njërës forcë apo jo e shumë faktorë të tjerë. Unë nuk jam këtu për të mbushur mendjen elektoratit që duhet të më votojnë patjetër mua, pavarësisht se jam bir i kësja zone, por për t'u paraqitur atyre alternativën me të mirë.

Çfarë ka në thelb platforma juaj elektorale?

Ka në thelb ndryshimin për mirë. Ajo ka në thelb platformën që ka elektorati i djathtë, transformimin e zonës rurale nga qendra e varfërisë dhe mjerimit, në qendër të prodhimit dhe mirëqenies. Pika e parë e programit është krijimi i qendrave të prodhimit dhe menaxhimit të qendrave bujqësore dhe i tregtimit të tyre, rishikimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë për të bërë të mundur mbrojtjen e prodhimit vendas, rishikimi i taksave doganore, të cilat stimulojnë prodhimin e huaj për të depërtuar në vend që çon në shkatërrimin e prodhimit vendas, ngritja e shkollave të mesme bujqësore, krijimi i fermave bujqësore si dhe rishikimi pensioneve dhe barazimi i pensioneve midis fshatit dhe qytetit. Mandati im është politik që kërkon transformimin rrënjësor të politikës së madhe, e cila deri tani e ka trajtuar fshatin si një rezervat ku marrin votën dhe pushtetin, por një vend që shkelet e shkatërrohet dhe tashmë është më keq se fshatrat e viteve '90 që ishin qendra të internimit.

Cilat janë problemet më pikante të zonës dhe si do të veproni ju për zgjidhjen e tyre?

Problemet e zonës janë problemet e sigurimit të jetesës, varfëria ka arritur kulmin, fshatarëve thika u ka vajtur në palcë, ka mungesë të vendeve të punës, fuqia më e madhe e aftë për punë janë larguar të pashpresë. Njerëzit nuk kanë kushtet më minimale të jetesës si drita, uji, kanalizime të ujërave të bardha me të zezat, të cilat bashkëjetojnë në një vend me bagëtitë, ka mungesë të investimeve, ka mungesë tregu të prodhimit vendas. Në thelb kjo zonë është një qendër internimi, më të këqija se ato të viteve '90. Angazhimi im qëndron në 2 plane: e para, përpunimi i politikave dhe i sistemit ligjor që do të bëjë të mundur tërheqjen e investimeve kolosale për të ndryshuar infrastrukturën e fshatit, futja e kultivarëve dhe drejtimi i specializimit që kërkon tregu i brendshëm dhe tregu i huaj, rishikimi i të gjitha marrëveshjeve të tregtisë së lirë, që sigurojnë mbrojtjen e prodhimit vendas dhe uljen e taksave të karburanteve, që tashmë i paguajnë shumë rëndë fshatarët.

Cili është mendimi juaj për kandidatët rivalë, ndjeni apo jo rivalitet, keni besim te fitorja?

Jemi përpara një fakti interesant dhe vlerësimi që bën populli për kandidatët është sipërfaqësor, sepse pavarësisht se ne jemi duke kontaktuar me masën e gjerë të njerëzve, ata e kanë shumë të vështirë të njohin në thelb formimin politik që ka secili kandidat, kulturën e tij politike për të bërë shtet dhe për të kontribuar në bërjen e politikave që i shërbejnë zhvillimit të ekonomisë dhe rritjes së prodhimit në fshat. Njerëzit kanë pamundësi kohore për të njohur vlerat morale dhe intelektuale të secilit kandidat, kështu që fushata zgjedhore nëpërmjet propagandës që bëhet nga partia në pushtet i shërben disinformimit dhe manipulimit të opinionit publik dhe jo zbulimit të së vërtetës.

Cilat janë epërsitë tuaja në krahasim me kandidatët e tjerë?

Unë kam epërsi se vij nga fusha e studimeve politike dhe juridike, njohja e politikës makro dhe mikro, njohja e psikologjisë dhe mentalitetit të njerëzve të kësja zone. Jam bir i kësaj treve, lindur e rritur. Veç kësaj kultura ime politike për të kërkuar mandate politike para zgjedhësve është duke u demostruar atyre që ne mund të bëjmë politik dhe shtet që u shërben të gjithëve dhe jo duke u bërë shërbim njerëzve në rang miqësie, apo duke iu bërë shërbime për sadaka, apo duke iu dërguar zarfa, duke i zgjidhur në rrugë miqësore e shoqërore disa halle sporadike që kanë njerëzit. Kjo është rruga që ndjekin rivalët e mi, ndërsa rruga ime është të kuptojnë të gjithë që ne duam të bëjmë një shtet në shërbim të qytetarëve që fillon nga koka e politikës, ku prodhohen ligje e buxhete, që stimulojnë zhvillime masive dhe jo shitblerje interesash meskine për një shkollë, për një vend pune, për një nder, spital, apo një zarf me 10-20 mijë lekë të vjetra.

Irena Mërtiri

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›