E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sollers: Ekzistencë me talent

05/06/2005  Legjenda Sollers

Një erudit i rafinuar. Një krijues që jeton në mes nesh kudo që të ndodhë dhe kudo që të ndodhemi ne. Ne jemi të ftuar të dëgjojmë natyrshëm zërat e tij të ndryshëm, të zbulojmë stilet e ndryshëm dhe të shohim artistin e vërtetë. Kështu do të mësojmë largpamësinë dhe do të admirojmë kalimin me anë të pushtetit të fjalës së tij, thuajse magjike, nga seriozja te groteskja, nga e fuqishmja te delikatja, nga e afërta dhe e dukshmja, deri te largësia dhe e padukshmja. Ne do të marrim pjesë si pa e kuptuar në luftën e tij kundër forcave tinëzare që duan ta verbojnë e ta memecërojnë njerëzimin, me të gjitha dredhitë e tyre brutale. Ne do të shohim si rrëzohet në ring kundërshtari i egër i shpirtërave të bukur, dhe pastaj si shkon tutje fitimtari modest, duke kontrolluar gjithçka, me anë të detektorit të së vërtetës, që ndodhet te fjala e tij. Por në krijimtarinë e Philipe Sollers-it, dy vepra estetiko-filozofike të një kalibri tejet të lartë, zënë një vend të veçantë. Këto janë “Lufta e shijes” dhe “Lavdërimi i infinitit”, në të cilat i jepet njerëzimit një tablo e koncentruar estetike e filozofike, që zë mbi dy mijë faqe dhe merr pamjen e vërtetë të një enciklopedie. Këtu, përveç shkrimtarit të hasur në të gjitha veprat e tjera, zbulohet esteti, kritiku, filozofi, arkitekti, piktori, dimensioni profetik, përmbledhtas gjeniu.

Rrallëherë mendja njerëzore ka depërtuar njëkohësisht nëpër kaq shumë fenomene të ndryshme. Lexuesi i vërtetë gjendet këtu, në një univers tjetër. Ai mund të kridhet në parajsën e Sezanit, në pasionet e Bekonit, në syrin e Prustit, në një Venedik tjetër, në dramën e Malarmasë, në dritën e Folknerit, në trupin njerëzor, në gratë e vogla të Parisit, në pafundësinë e Agustinit, në vetminë e Batajit, në heroizmin e Pikasos, në trupin e dashuruar, në fotografi, përsëri në trupin e dashuruar, në arkitekturën që mendon, në lamtumirën e shekullit të XX, e ku tjetër akoma. Po ashtu, me të njëjtën thjeshtësi dhe me të njëjtin sublimitet, ai mund të takojë Papën, Shekspirin ose Edipin dhe Krishtin.

Një festë e inteligjencës dhe emocionit. Ai pohon, madje, se edhe Prusti dhe Rembo, i telefonojnë atij herë pas here, për t’i dhënë kurajë. Sollers kërkon me ngulm lirinë më absolute të shprehjes dhe nuk ngurron të luftojë edhe në arenën politike, në kuptimin më të gjerë të fjalës.

Shkrimtari rri përballë vetes si përballë një sfinksi. “Unë luftoj, thotë ai, për t’i thurur lavdi forcës, fuqisë pohuese të pesë shqisave. Ai luan në piano, zbulon muzikën e fjalëve, vë veshin mbi tokë për të dëgjuar mesazhet sekrete dhe ngre perdet e jetëve të padukshme.

“Unë ndodhem para pak ngjarjeve, kjo është e gjitha”...

Fatmir Alimani

Tundimi i kohës e ka shtyrë Philipe Sollers të thotë fjalën e fundit te romani “Ylli i të dashuruarve”, të përkthyer nga Fatmir Alimani, botuar nga “Onufri”.

Gjithçka është çmenduri dhe matufosje, ky është programi qysh nga fillimi i realitetit tonë. Çdo gjë tjetër për legjendën Sollers është komedi e përkohshme, llomotitje teknike, përgënjeshtrime të të gjitha llojeve. Dëshpërimi dhe ligështimi, është adresimi kur romancieri i bën ftesë “idiotëve të dashur”. Sigurisht që tundimi i kohës ka shtyrë që Filipe Sollers të thotë fjalën e fundit te romani “Ylli i të dashuruarve”, të përkthyer nga Fatmir Alimani, botuar nga “Onufri”.

Sollers vazhdon të jetë surealisti i ekzistencës njerëzore në këtë botë, duke shkuar gjer te rrënjët. Rrënjë që i kërkon te fjala njeri. Kjo është filozofi e pastër.

Sepse, Sollers e cilëson qenien e tij vetëm për t’u argëtuar, për të luajtur. Ideja e fatalistit në dukje, por që gjen një mprehje shpirtërore, i bën llogaritë te ndërgjegjja.

Përfundimi i tij nuk është fatlum, ashtu siç shënon dhe përkthyesi i romanit Alimani. Kafshët dhe njerëzit, sidomos njerëzit, jepen si shfaqjet e rënda e më të përgjakshme.

Duke u ndalur po tek ato rrënjë, që ka parasysh romancieri, fisnikëria e kombeve, apo lajthitjet e tyre ndiqen nga fate të rënda. Ajo pjesa e fotografimit lidhet dhe me ekzistencën. Për Sollers “shumica e njerëzimit ende nuk e di se marifeti seksual është diçka shpirtërore etj.”.

Në këtë sipërfaqe, autori i shkrin të gjitha, pa kurrfarë barriere mendimi, duke mos menduar për shekuj, e për rrjedhojë dhe për njerëzit, për të vërtetat dhe të pavërtetat kur vjen fjala tek origjina.

“Nëse nuk ka më shekuj, nëse nuk ka më njerëz, nëse nuk ka më të vërteta, as të pavërteta, çfarë ka atëherë? Ne nuk jemi dënuar të bëhemi palaço. Ne jemi një klishe ripërtypëse. Përse jemi bërë klishe? Sepse kemi kaluar anash kohës. Sepse ne nuk jemi të aftë t’i prekim fjalët brenda gjërave. Sepse sot është shumë vështirë të arrish të jesh vetëm me dikë. Sepse reklama ju ndjek, ju falsifikon, ju persekuton. Sepse bota dhe njeriu formojnë së bashku një boshllëk. Sepse fanatikët kanë ardhur përsëri në fuqi në Lindje; sepse numri i vetëvrasjeve është rritur së tepërmi në Perëndim, sepse xhelozia është organi qendror, nënshtresa vezake, meka, tempulli, kisha, këshilli administrativ, sindikata, sekti, partia; sepse Bota është një teatër, në të cilin puna, familja, atdheu, prona, shoqëria janë kotësi tragjike”.

Te “Ylli i të dashuruarve”, autori gjen dhe frymëzime të njëkohshme poezie, kur vë në dukje se “kam arritur fare afër funksionit që i kam dhënë tashmë romanit të sotëm, që duhet të jetë zgjimi i poezisë, në të gjitha anët njëkohësisht”.

Një burrë i ri dhe një grua e re kanë vendosur të ndërpresin kontaktet sociale. Ata duan të përjetojnë moshën e artë. Pastaj pafundësia e akomave nuk është aspak arbitrare, por vetëm për të treguar pashtershmërinë e natyrës. Është fjala për një përkufizim të ri të ekzistencës, të erotizmit dhe të mendimit. Është fjala për një shenjë drejt një mbretërie tjetër. Drejt mbretërisë ku ekzistenca është një talent. Më në fund rrjedhimi: ”Ja pse, përveç meje, epoka jonë është memece”.

Biografia

Filip Sollers ka lindur në Bordeuax, në vitin 1936. Në letërsi ai hyri me romanin, "Një vetmi e çuditshme", që e shkroi në moshën 20-vjeçare, libër që u botua më 1958-ën dhe u përshëndet menjëherë nga shkrimtarë të shquar si Aragon dhe Moriak.

Që në këtë libër të parë u vu re interesimi i tij për të bërë zbulime fizike dhe metafizike. Më 1960, ai themeloi revistën "Tel Quel", që u gjend në qendër të të gjitha debateve; rreth strukturalizmit, psikanalizës, majtizmit.

Kjo nuk e pengoi atë aspak që të vijonte krijimtarinë e tij letrare. Në romanin që pasoi, të titulluar "Parku", pa fjalë të mëdha dhe pa ngjarje të zhurmshme, gjithçka ndodh me një saktësi të rrallë, por tragjedia qëndron në faktin se nuk ndodh kurrë asgjë. Për këtë libër, në vitin 1961, ai u laurua me çmimin Medicis. Pastaj botoi librat "Dramë", më 1965, "Logjikë", "Numrat", më 1968, "H" më 1973 dhe "Parajsë", më 1981. Në vijim angazhohet në shtëpinë botuese “Gallimard” dhe themelon revistën "Infini". Pa braktisur kritikën e tij sociale, ai eksperimenton në vitin 1983 me romanin "Femrat", një formë rrëfimi më klasike. Le të citojmë akoma më tej librat e tjerë si “Marrëzitë franceze” 1988, "Festë në Venecia", 1991, "Sekreti", 1993, "Studio", 1997, "Pasion fiks", "Moxarti misterioz dhe Dante", në vitin 2000 etj.

Çfarë thonë tekstet e vjetra?

Që duhet të presim qëndrueshmërinë e qetë të trupit. Që duhet zgjedhur një vend plot me ujë, zbukuruar prej të gjitha llojeve të luleve, të pasur në rrënjë e në fruta; dhe që prodhon madje vetvetiu të gjitha llojet e frutave.

Që nuk ka ndryshim nëse gjendesh te një tempull ose pranë një lumi, ose akoma në një fshat, ose madje në një qytet.

Mjafton që vendi të jetë i këndshëm dhe të të lejojë të jesh i vetëdijshëm për gjithçka.

Që e rëndësishme është të jesh gjithnjë i kënaqur nga stili i jetës së zgjedhur.

Që duke medituar mundemi të zbulojmë përsosmërisht ilaçin vendimtar kundër robërisë.

Që shenjat në brendësi dhe në pjesën e jashtme tregojnë çastin e volitshëm.

Që rrënja e fjalës “njeri” do të thotë të luash, të argëtohesh.

Që këngëzimi i rrokjes është i ngjashëm me rregullimin e frymës.

Që praktika gojore nuk mund të ketë sukses, nëse nuk transmetohet prej atyre që këndojnë me zë të ulët, dhe nëse kënga nuk është më së pari një dëgjim.

Që ekzistenca e përshtatshme dhe e zgjuar, plot lumturi, gjendet në një dhomë sekrete plot dritë.

Që çlirimi e ka origjinën te sekreti....

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›