E Hënë, 2 Nëntor 2026

Letërsia post-moderne, ironia

05/06/2005  Umberto Eko

Nga 1965 e deri më sot janë sqaruar përfundimisht dy ide. Që nga intriga mund të gjendet edhe në formën e përmendjes së intrigave të tjera, dhe që përmendja do të mund të ishte më pak ngushëlluese se sa intriga e përmendur (do të jetë i 1972-shit, i almanakut Bompiani, i titulluar ‘Kthim te intriga’, qoftë edhe me anë të një rivizitimi ironik dhe plot admirim njëherësh, të Ponson dy Terrajt e të Ëzhen Sysë, e me një admirim më pak ironi të disa faqeve madhështore të Dymait).

A mund të shkruhet një roman jongushëllues, mjaft problematik dhe prapë se prapë i këndshëm?

Kjo qepje si dhe rigjetja jo vetëm e intrigës, por edhe e kënaqësisë, do të vihej në jetë prej teoricientëve amerikanë të post-modernizmit.

Për fat të keq, “post-modern” është një term që mund ta sjellësh e ta rrotullosh si të duash. Kam përshtypjen se sot ky term i shkon për mbarë atij që e përdor për gjithçka që i pëlqen.

Nga ana tjetër duket se ka një orvatje për ta bërë të shkasë përsëmbrapshti: në fillim dukej se u përshtatej disa shkrimtarëve e artistëve që kanë shkruar gjatë njëzet vjetëve të fundit, pastaj ca e nga ca shkoi deri andej nga fillimi i shekullit, pastaj edhe më tej dhe marshimi vazhdon, e prite kur të arrijë kategoria e post-modernes deri te Homeri.

Megjithatë besoj se post-modernia nuk është një prirje që mund të përshkruhet kronologjikisht, por një kategori shpirtërore, a më mirë një Kunstwollen, një mënyrë veprimi. Mund të them që çdo epokë ka post-modernen e vet, sikurse çdo epokë do të kishte manierizmin e vet) aq sa them me vete, a mos vallë post-modernia emri modern i Manierizmit, si kategori metahistorik. Besoj se në çdo epokë arrihet në çaste krize, si çastet e përshkruara nga Niçja në “Inaktualja e dytë” rreth dëmit të Avangardës historike (por edhe këtu kam parasysh avangardën si kategori metahistorike) do të lajë hesapet me të shkuarën. “Poshtë drita e hënës”, kjo moto futuriste është një program tipik i çdo avangarde, mjaft që të vesh diçka që t’i shkojë në vend të dritës së hënës. Avangarda e shkatërron të kaluarën, e shfrytëzon: “Zonjushat e Avinjonit” janë një gjest tipik i avangardës; pastaj avangarda shkon më tej, pasi shkatërron figurën, ajo e asgjëson, arrin tek abstraktja, te mungesa e formës, te pëlhura e djegur, në arkitekturë arrihet më e pakta te tenda e murit, te ca ndërtesa si yje ose thjesht si paralelpiped, në letërsi te shkatërrimi i baticës së kuvendimit e deri në kolazhin ala Borrous, deri te heshtja a te faqja e bardhë, në muzikë kemi kalimin prej atonalitetit te zhurma, te heshtja e plotë (në këtë kuptim Kejxhi, në fillimet e veta është modern).

Por arrin çasti kur avangarda (modernia) nuk shkon dot më tej, se tani ka krijuar një metagjuhë që flet për tekstet e veta të panumërta (arti konceptual). Post-modernia i përgjigjet modernes, duke kuptuar se e shkuara, meqë nuk mund të shkatërrohet, sepse shkatërrimi i asaj shpie në heshtje, duhet të rivizitohet; por me ironi e jo në mënyrë të pafajshme.

Për qëndrimin e post-modernes, unë mendoj si për qëndrimin e atij që do një grua po shumë të ngritur, dhe që e di se s’mund t’i thotë “të dua deri në dëshpërim”, sepse ai e di që ajo e di (dhe ajo e di se ai e di) që këtë e ka shkruar Lialaja (shkrimtare e romaneve rozë). Megjithatë këtu ka një zgjidhje. Ai mund të thotë: “po të flas siç do të fliste Lialaja: Të dua deri në dëshpërim”. Kështu, pasi ka shmangur pafajësinë e rreme, pasi ka shprehur qartë se nuk mund të flitet më sot në mënyrë të pafajshme, ai do t’ia ketë thënë gruas atë që donte t’i thoshte: se e do në një kohë kur s’ekziston më pafajësia. Në e pranoftë lojën gruaja, atëherë njësoj ka për ta marrë deklaratën e dashurisë. Asnjëri prej të dy bashkëbiseduesve s’do ta ndjejë veten të pafajshëm, që të dy do të kenë pranuar sfidën e të shkuarës, të asaj që është thënë më parë e që nuk shmanget dot, që të dy do të luajnë me ndërgjegje e qejf në lojën e ironisë...

Por të dy do t’ia dalin prapë të flasin edhe një herë për dashurinë.

Ironi, lojë metagjuhësore, paraqitje në katror. Nga kjo rrjedh që, nëse modernen, kush nuk e kupton lojën, s’ka ç’bën tjetër veç të mos e pranojë, me post-modernen mund të ndodhë që të mos kuptohet loja e të merret gjithçka seriozisht. Kjo sjell pastaj detyrën (rrezikun) e ironisë. Ka gjithnjë nga ata që e marrin kuvendimin ironik sikur të ishte serioz. Mendoj se kolazhet e Pikasos, të Huan Grisite të Brakut ishin modernë; prandaj njerëzit normalë nuk i pranonin. Ndërsa kolazhet që bënte Maks Ernesti, duke montuar copa gravuresh të tetëqindës, ishin post-moderne; ato mund të lexohen edhe si një rrëfim fantastik, si rrëfimi i një ëndrre, pa u kujtuar se paraqisin një kuvendim në gravurë, e ndoshta në vetë kolazhin. Në qoftë se kjo post-modernia, atëherë është e qartë pse qenë post-modernë Sterni ose Rabëleja, pse është post-modern sigurisht Borhesi, pse te po i njëjti artist mund të jetojnë bashkë, ose të ndjekin njëri-tjetrin në largësi të vogël, ose të alternohen, çasti modern dhe çasti post-modern. Le të shihet se ç’ndodh me Xhojsin. Portreti është historia e një orvatjeje moderne. Dublinasit, sado që vijnë më parë, janë më modernë se Portreti. Uliksi rri në kufi. Fajgens Uejk është tashmë post-modern, pse të paktën hap muhabetin post-modern, që të bëhet i kuptueshëm kërkon jo mohimin e asaj që është thënë tashmë, por të rimenduarit e saj ironik.

Për post-modernen janë thënë thuajse qysh në fillim të gjitha (janë thënë në ese si “letërsia e shterimit” e Xhon Bartit, që është e 1967-ës). S’është se jam krejt në një mendje me dëftesat shkollore që u ndajnë teoricienët e post-modernizmit shkrimtarëve e artistëve, duke caktuar kush është post-modern e kush s’është bërë ende. Por më intereson teorema që nxjerrin teoricientët e kësaj prirjeje nga premisat e veta: “Shkrimtari im ideal post-modern nuk irriton e nuk përbuz as prindërit e vet të nëntëqindës, e as gjyshërit e vet të tetëqindës. E ka bluajtur mirë modernizmin, por nuk e mban në kurriz si ndonjë barrë. Ky shkrimtar, ndoshta nuk mund të shpresojë a të mallëngjejë adhuruesit e Xhejms Miçënerit e të Irving Uollasit, e s’po zëmë ngoje analfabetët e lobotomizuar të mas-medias, por mund të shpresojë të bëjë për vete e të argëtojë, të paktën ndonjëherë në të rrallë, një publik më të gjerë, nga rrethi i atyre që Tomas Mani i quante të krishterë të parë, të përkushtuarit ndaj Artit... Romani post-modern ideal duhet të kapërcejë debatet në mes realizmit e irrealizmit, formalizmit e “kontenutizmit”, letërsi e pastër e letërsi e angazhuar, prozë rrëfimtare për elitën e prozë rrëfimtare për masën...

Një numër i Kalibanos boton një të Lesli Fidlerit më 1981 dhe kohët e fundit revista e re “Kufiri i hijes” boton një diskutim të tij me autorë të tjerë amerikanë. Fidleri provokon, është afërmendsh. Lëvdon i fundmi i Moikanëve, lëvdon prozën aventureske (Il Gothic) atë letërsinë dokudo të përbuzur prej kritikëve, por që ka ditur të krijojë mite dhe të popullojë imagjinatën e më shumë se një brezi. Pyet a do të dalë prapë ndonjë libër si “Kasollja e Xha Tomit”, që mund të lexohet me po atë pasion në kuzhinë, në sallon të pritjes dhe në dhomën e fëmijëve.

E vë Shekspirin në anën e atyre shkrimtarëve që dinin të zbavitnin bashkë me romanin “Iku bashkë më erën”. E dimë të gjithë se është kritik shumë i hollë e s’ka si ta besojë këtë vërtet. Por thjeshtë do që të rrëzojë gardhin që është ngritur në mes artit dhe kënaqësisë. E nuhat se të bësh sot për vete një publik të gjerë dhe të popullon ëndrrat e tij, do të thotë ndoshta të jesh avangardë, dhe na lë prapë të lirë të themi se të popullosh ëndrrat e lexuesve s’do të thotë patjetër t’i ngushëllosh lexuesit. Mund të dojë të thotë t’u futësh ankthin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›