Vrasja e 17-vjeçarit, policia: Mund të parandalohej

KUKËS/ Pas hetimeve të kryera mbi vrasjen e Arlind Haxhiut oficerët shprehen se dy grupet rivale vijojnë konfliktin
KUKËS - Vrasja me thikë e 17-vjeçarit Arlind Haxhiu nga bashkëmoshatari i tij B.GJ, të dy nxënës të vitit të tretë të gjimnazit "Havzi Nela" të qytetit të Kukesit, mbrëmjen e 21 marsit ka tronditur rëndë mbarë opinionin në qytet. Ndërkohë që oficerët e policisë që kanë hetuar rreth kësaj ngjarjeje pohojnë se kjo vrasje mund të parandalohej nëse institucionet dhe shoqëria do të kishin marrë mbi vete përgjegjësitë që u ngarkon ligji, por edhe morali qytetar.
"Nga pyetja e dëshmitarëve ka rezultuar se në gjimnazin e Kukësit kishte rreth një vit që ishin krijuar dy grupe rivale adoleshentësh në mesin e të cilëve ishin edhe vrasësi e viktima, ku grupet disa herë ishin rrahur dhe përleshur me njëri-tjetrin, madje edhe duke përdorur armët e ftohta, por në ndonjë rast edhe pistoletat", deklaron Shkëlqim Pepkola, shef i seksionit Kundër Krimeve ndaj Personit, i cili ka hetuar rreth kësaj vrasjeje. Megjithatë Pepkola sqaron se viktima ishte një nga djemtë më të urtë të grupit, por i ndiqte ata për sedër adoleshentësh.
Ndërkohë që edhe vrasësi, sipas hetimeve, nuk rezulton të jetë nga personat më aktivë të grupit. Për këtë indiferentizëm Pepkola bën në radhë të parë përgjegjës drejtorinë e shkollës, por edhe atë arsimore, të cilat nuk janë shqetësuar rreth këtij problemi, policinë, familjet e nxënësve dhe shoqërinë në përgjithësi që kanë qëndruar indiferentë ndaj këtij fenomeni që mori jetën e një 17-vjeçari duke shokuar të gjithë banoret e Kukësit.
"Grupet rivale ishin përleshur tri ditë rresht, përfshi edhe ditën kur ndodhi vrasja në prani të shumë qytetarëve, por këta të fundit kishin qëndruar indiferentë, ndërkohë që më pas shokohen kur ndodh ngjarja.
Nxënësit e gjimnazit të Kukësit, por edhe ata të arsimit 9-vjeçar shkojnë me pistoleta e thika në shkollë, ndërkohë që mësuesit nuk denoncojnë rreth këtij fakti", thotë në vijim Pepkola. Kreu i Seksionit Kundër Krimeve ndaj Personit, shpreh dyshimet se ngjarje të tilla mund të përsëriten nëse institucionet përgjegjëse dhe mbarë opinioni do të tregohen indiferentë.
"Dy grupet rivale, ku në njërin prej tyre ishte viktima dhe në tjetrin vrasësi, ende nuk e kanë pushuar luftën mes tyre. Ata po e vazhdojnë atë për momentin përmes rrjetit social "Facebook" ku secili ka vendosur fotot në bazë grupi", sqaron Shkëlqim Pepkola.
Mbrëmjen e 21 marsit, pas një grindjeje mes adoleshentësh ka mbetur i vrarë pas një goditjeje me thikë 17-vjeçari Arlind Haxhiu, nxënës i vitit të tretë të gjimnazit të Kukësit. Autori i vrasjes që është arrestuar nga policia, ka qenë bashkëmoshatari i tij B.GJ, nxënës në të njëjtën shkollë.
Si vrasësi edhe viktima ishin pjesëtarë të dy grupeve rivale të krijuara prej një viti në gjimnazin e Kukësit. Përleshjet mes dy grupeve kishin filluar paraditen kur ndodhi vrasja, për të rinisur sërish pas përfundimit të ndeshjes së futbollit midis Përparimit e Veleçikut të Koplikut, ku pikërisht në afërsi të fushës sportive dhe konviktit "20 Dëshmorët" në përleshje mes njëri-tjetrit, njëri prej pjesëtarëve të grupit pikërisht B.GJ., pasi kishte marrë një thikë nga shtëpia ka goditur Arlind Haxhiun dhe ka plagosur tre të tjerë. Goditja ndaj Haxhiut ka qenë vdekjeprurëse, i cili ka humbur jetën në vend pas një goditjeje që ka marrë në zemër. Policia ka arrestuar autorin e kësaj vrasjeje.
Gjimnazi i qytetit të Kukësit është ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri, ku numri i nxenesve është tej çdo normative të lejuar. Në një takim të zhvilluar në Kukës kohë më parë, zv.ministri i Arsimit, Halit Shamata, pati deklaruar se gjimnazi i Kukësit dhe ai i Rrogozhinës janë nga më të mëdhenjtë në vend.
Drejtuesit e shkollës kanë kërkuar që gjimnazi të ndahet në dysh, por kjo kërkesë e kolektivit pedagogjik nuk ka gjetë zgjidhje për mungesë ambientesh, megjithëse kërkesat kanë qenë të përvitshme duke filluar që nga tetori i vitit 2005. B.Shala