E Diel, 1 Nëntor 2026

Brenda mitit të Aleks Fergusonit

Aleksander Chapman Ferguson është trajneri më fitimtar i historisë (43 trofe, 33 me Djajtë e Kuq) së futbollit britanik. Trajneri i Mançester Junajtid, që ndodhet në krye të kësaj skuadre që nga viti 1986, ka lindur në Govan, në Gllasgou, në ditën e fundit të vitit 1941. Është përjashtuar shumë herë nga shkolla dhe ka punuar si punëtor i thjeshtë në zanate të "rëndomta". Është i besimit katolik dhe njëkohësisht supersticioz. I ri ishte tifoz i Rejnxhërsave, me të cilët edhe ka luajtur. Si lojtar, debutoi në moshën 16 vjeç me skuadrën e "Queens Park". Pasi luajti si sulmues me të paktën 6 skuadra, në moshën 32 vjeç, në vitin 1974 mori edhe detyrën e tij të parë si trajner part-time me East Stirlingshire, ku fitonte jo më shumë se 40 sterlina në javë. I vetmi klub që e pushoi Aleks Fergusonin ishte St Mirren në vitin 1978, zyrtarisht për dhunime të disa pikave të kontratës, mes të cilave përfshiheshin edhe disa pagesa të paautorizuara për disa futbollistë. Çështja përfundoi në gjyq dhe Ferguson u akuzua se kishte kërcënuar sekretaren e klubit, sepse lojtarët kishin kërkuar rimbursim për disa shpenzime që nuk lejohej. Kampionatin e parë e fitoi me skuadrën e Aberdenit në vitin 1979-1980. Futbollistët e kësaj skuadre, me të cilët fitoi plot tri tituj dhe një kupë UEFA, që i çoi te fitorja pas 15 vjet dominimi të Rejnxhërs dhe Selltik, e quajtën "Furious Fergie". Legjenda tregon se ka gjobitur John Hewitt vetëm sepse e kishte parakaluar në rrugë dhe sepse e kishte lënë më shumë se një herë bolierin e çajit, jo në vendin e duhur në dhomat e zhveshjeve në shenjë proteste. Ndërkaq, në dhomat e zhveshjeve hidhte shpesh gjithandej tharëse flokësh e këpucë. Pas humbjes 2-0 me Arsenalin në Kupën e Anglisë në vitin 2004, e gjuajti Bekamin me këpucë në fytyrë, duke i shkaktuar edhe një plagë në vetullën e majtë. Të dy, si Ferguson si "Spice Boy" e cilësuan një aksident këtë ngjarje. Bekam, në autobiografinë e tij "Sipas mënyrës sime", shkruante se: "Në të kaluarën më trembte mendimi se duhej të takohesha vetëm për vetëm me të. Sapo e kisha përballë, para se të flisja dridhesha i tëri". Me Bekamin, Ferguson ka pasur një marrëdhënie dashuri-urrejtje, ku në mes sigurisht që hynte edhe martesa me Viktorian. Një herë e gjobiti bukuroshin anglez me një shumë prej 50 000 sterlinash, sepse Bekam i kishte kërkuar leje, pasi djali i tij nuk ndihej mirë, ndërsa në darkë Aleks e kishte parë që ishte shfaqur në televizion në një sfilatë mode në Londër bashkë me gruan, "Posh Spice". Në një intervistë të dhënë më 2007-ën, Fergusoni tha: "Bekam nuk ka qenë kurrë për ne një problem. Por gjërat ndryshuan sapo ai u martua. Më parë ishte një djalosh i mrekullueshëm, që stërvitej deri në mbrëmje vonë. Martesa e çoi brenda botës së spektaklit, duke i vështirësuar njëkohësisht edhe gjërat. Që nga ai moment jeta e tij nuk ishte më e njëjta. U bë i famshëm dhe futbollit nuk i kushtoi më aq shumë rëndësi". Mes ndodhive në dhomat e zhveshjeve, më argëtuesja është e ashtuquajtura "hairdryer traitment", e cilësuar kështu nga tabloidët dhe futbollistët. Thuhet se Ferguson merrte një futbollist dhe i gjuante shumë fort në fytyrë sa i thaheshin menjëherë flokët e lagur. Jo gjithmonë gjërat kanë shkuar mirë për Fergusonin te Mançester Junajtid kur erdhi në vitin 1986. Në sezonin ‘89-‘90 kaloi një periudhë të gjatë humbjesh. Tifozët e "Djajve", për të cilët nuk ishte bërë ende një idhull, vendosën një tabelë të madhe në "Old Traford", ku shkruanin: "Tre vjet justifikime dhe budallallëqe". Në ato ditë rrezikoi edhe largimin. Sot, Aleks është konsideruar një mit i gjallë bashkë me legjendën Mat Busbi. Madje, objektivi i tij është që të kalojë 25 vitet e këtij të fundit në krye të Mançester Junajtid. Sezoni 2001-2002 që përkonte me 60-vjetorin e tij duhej të ishte i fundit, por në shkurt të 2002-shit firmosi një kontratë edhe për tre vite të tjera me Mançesterin. Tani që jemi në 2009-ën nuk ka më ndërmend të tërhiqet: "Do të qëndroj deri sa të kem shëndet", thotë. Ndoshta do të largohet në vitin 2011, kur të mbushë 70 vjeç. Baza e metodës së Fergusonit është disiplina absolute dhe dedikimi total i skuadrës ndaj këshillave të trajnerit. Është thënë gjithmonë se në bazë të këtyre parimeve, trajneri është ai që duhet të fitojë më shumë se të tjerët, madje edhe se sa lojtarët më të rëndësishëm. Në realitet, Sër Ferguson nuk qëndron mes trajnerëve më të paguar. Në një klasifikim të kohëve të fundit, mbi fitimet e trajnerëve në Premier League, thuhet: Hidink, 5.2 milionë sterlina, Benitez 5, Venger 4.5, Ferguson 3.6. Ai ka pasur fatin të stërvitë idhujt më të mëdhenj të tifozerisë në 25 vitet e fundit, si Erik Kantona, Devid Bekam, Kristinano Ronaldo. Përveç futbollit, pasionet e tij janë golfi, pianoja, për të cilën merr leksione private dhe kuajt. Si mbështetës i flaktë i Partisë Laburiste, Ferguson ka thënë: "Jam i pasionuar pas politikës po aq sa pas futbollit. Nuk e harroj kurrë nga kam ardhur dhe sa me fat jam". Aleks nuk flet për BBC që nga viti 2004, kur televizioni anglez prodhoi një dokumentar "Father and son", në të cilin censurohej sjellja e trajnerit dhe djalit të tij Xhezon, menaxher i disa futbollistëve të Mançesterit. Çështje konflikti interesash. Ai ka marrë titullin Sër që nga viti 1999, kur Mbretëresha Elizabet ia dorëzoi në shenjë mirënjohjeje për merita të veçanta sportive dhe sociale. Thuhet se me Murinjon kishte marrëdhënie shumë të mira. Pas ndeshjeve pinin ndonjë gotë verë bashkë të zgjedhur prej Fergusonit. Është martuar në vitin 1966, kur ishte sulmues i Dunfermiles me Kethi Holding dhe kanë tre fëmijë: Mark, dhe binjaket Daren e Xhezon. Vetëm Daren merret me futboll si ai: është trajneri i Peterborough United Fc. Ka luajtur edhe një periudhë të shkurtër te Mançesteri dhe stërvitej nga i ati. Kethi Fergusonit, gruas me të cilën jeton prej 40 vjetësh, i është dedikuar edhe një këngë nga tifozët e "Djajve të Kuq", ku thuhet: "Every single one of us loves Cathy Ferguson". Në fakt, ishte ajo që e bindi të mos tërhiqej dhe të vazhdonte para për t‘i dhënë madhështinë që meriton Mançester Junajtid. Edhe pse e humbi finalen e Romës, ai është një legjendë për këtë skuadër.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›