E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Brenda muajit maj përfundon procesi i pajisjes me pasaporta elektronike”

Kryeministri Sali Berisha garanton se procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimin elektronik po ecën me ritme të shpejta
 
TIRANE - Qeveria miratoi dje në mbledhjen e radhës, vendimin për subvencionin e transportit të shtetasve shqiptarë, të cilët ndodhen në komuna me distancë të largët nga qendra e aplikimit, për pajisjen e tyre me letërnjoftimin elektronik. Vetëm dy ditë më parë numri i personave që kanë aplikuar kanë arritur në 17 mijë në ditë dhe tendenca është të shkohet drejt 20 mijë aplikime në ditë. Kapacitetet janë të plota për ta përfunduara brenda muajit maj.
Kreu i qeverisë Sali Berisha, duke prezantuar këtë vendim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, tha se qeveria do të paguajë transportin e shtetasve në komunat dhe fshatrat e tyre që janë larg qendrave të aplikimit për pajisjen me letërnjoftimin elektronik.
“Me riorganizimin e Gjendjes Civile, në disa komuna pati një heqje të tyre, për shkaqe objektive administrative dhe është në rishqyrtim e riorganizim krijimi me kohë të pjesshme i zyrave të gjendjes civile në këto komuna, por, derisa të krijohen, zgjedhësit e këtyre komunave do të kenë të paguar transportin për në komunat, ku ndodhen qendrat e aplikimit. Natyrisht, kjo do të aplikohet jo vetëm për këto komuna, por edhe për fshatrat e një komune që ndodhen larg. Ka komuna shumë të hapura që, realisht, në këmbë janë mbi tre orë dhe këtyre zgjedhësve qeveria do të marrë përsipër t’u paguajë transportin për në qendrën e aplikimit”, u shpreh kryeministri.
Berisha informoi se procesi i aplikimit ecën me ritme të shpejta dhe se gjatë 2-3 ditëve të fundit janë ndërmarrë dy hapa shumë të rëndësishëm në këtë drejtim.
“I pari, ka të bëjë me blerjen e kuponëve nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare dhe përgëzoj këto dy institucione për kapacitetet që dëshmuan për të gjithë pensionistët me pension minimal në qytet dhe të gjithë pensionistët e fshatit që nuk kanë pasaportë. Kjo ka nisur që dje dhe ka një interesim në rritje të tyre. Regjistri elektronik është një avantazh i jashtëzakonshëm. Ministria e Brendshme për një kohë të shkurtër, prej rreth një viti, duke krahasuar regjistrin elektronik të gjendjes civile me listën elektronike të pensionistëve ka arritur të identifikojë të gjithë ata që përfshihen në këtë kategori dhe nuk kanë letërnjoftim. Kjo bëri të mundur që të përllogariten shumë mirë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore po blen kuponët për këtë kategori dhe qeveria, në datën 1 maj, do të shtojë në fondin e Institutit të gjithë shpenzimet që ai po bën paradhënie. E njëjta gjë po bëhet me studentët. Është në përfundim verifikimi i listës së studentëve që nuk kanë pasaportë. Pesë ditë më parë, ka filluar edhe procesi për kuponët për personat që janë në asistencë sociale”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kryeministri konsideroi se masat e qeverisë kanë qenë jashtëzakonisht të efektshme dhe numri i personave që kanë aplikuar kanë arritur në 17 mijë në ditë dhe tendenca është të shkohet drejt 20 mijë aplikime në ditë. Firma e prodhimit të kartave ka hapur 58 qendra të reja aplikimi më shumë, sesa ishte parashikuar në kontratë.
Duke i quajtur spekulime primitive dhe mashtrim ndaj qytetarëve deklarimet e opozitës që e konsiderojnë çmimin e letërnjoftimit si taksë vote, Kryeministri tha se blerja e një malli nuk është taksë dhe se qeveria ka paguar në masën 80-100 për qind të çmimit të saj për rreth 700 mijë qytetarë.
“Këto janë zhvillime shumë pozitive. Ata që spekulojnë me të ashtuquajturën taksë vote, bëjnë një akt sharlatanizmi të paprecedent dhe përpiqen të mashtrojnë si ordinerë qytetarët. Çmimi i saj nuk ka qenë kurrë çmimi i prodhimit të mallit. Çmimi i prodhimit të mallit bazohet mbi koston dhe ka mënyrën e tij të llogaritjes. Qeveria jo vetëm nuk ka vendosur taksë mbi çmimin e prodhimit, përkundrazi për rreth 700 mijë qytetarë ka paguar çmimin në masën 80 deri në 100% të tij dhe merr nga 200 lekë deri falas. Në një kohë, kur në të gjitha vendet përreth, këto karta janë shituar edhe deri në 50 euro dhe këtu nuk po flas për vendet e pasura, megjithëse edhe për këto vende, me të ardhura mujore deri në 2 mijë euro, çmimi prej 50 euro nuk është pak. Ne po e japim me 1.5 euro. Po përpiqen të mashtrojnë qytetarët. Çfarë mund t’u thuash qytetarëve që i kanë blerë pasaportat me çmimin 5 mijë lekë dhe nuk janë një apo dy, por 2 milion shqiptarë dhe këtë çmim e kemi gjetur nga qeveria socialiste. Apo për certifikatat me fotografi. Ndaj ky është një spekulim shumë primitiv,” u shpreh kryeministri Berisha.
Çmimi i blerjes së kartave, vijoi më tej kryeministri, nuk ka asnjë taksë, përkundrazi është subvencionuar për 700 mijë persona që janë konsideruar në nevojë, për të cilët qeveria, ka edhe meritën e madhe, pasi ka dyfishuar të ardhurat e tyre.

Ministria e Brendshme konfirmon se kanë aplikuar mbi 600 mijë persona

Fluksi ka mbërritur në 17 mijë aplikime në ditë

TIRANE - Ministria e Brendshme ka bërë dje me dije se përkundër pretendimeve të opozitës, procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike po ecën shumë mirë. “Ne konsiderojmë se vendimi më i fundit i qeverisë për kompensimin financiar të disa kategorive të caktuara ka dhënë rezultatin e pritshëm. Tashmë kemi kapur pothuajse maksimumin e aplikimit ditor për letërnjoftime elektronike, duke shkuar në 17 mijë aplikime në ditë”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja.
Sipas tij deri në datën 21 prill 2009 kanë aplikuar për letërnjoftime elektronike në rang vendi 600 mijë qytetarë ndërsa janë prodhuar 470 mijë letërnjoftime elektronike.
“Kemi të prodhuara letërnjoftimet për aplikimet e kryera nga qytetarët deri në datën 10 Prill 2009. Përfitojmë nga rasti t’u bëjmë thirrje edhe njëherë qytetarëve të paraqiten në qendrat e aplikimit për t’u pajisur me letërnjoftime elektronike, për të vijuar të njëjtin ritëm aplikimi ditor, pasi në këtë mënyrë garantohet suksesi i këtij procesi”, deklaroi Konja.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›