“Kryebashkiaku Edvin Rama, plan selektiv për diskriminimin e lagjeve të vjetra të Tiranës”
Zëdhënësi i Grupit Parlamentar të PD-së ripërsërit akuzën për mosdorëzimin e Planit Rregullues të Kryeqytetit
TIRANE - Zëdhënësi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe kandidati për të drejtuar degën e kryeqytetit të kësaj force politike, Aldo Bumçi ka denoncuar dje përdorimin selektiv të pronave të kryeqytetit për zhvillimin e projekteve të tij private, dhe jo për integrimin urban të zonave të kryeqyteti. Duke denoncuar segregacionin ndaj lagjeve të vjetra të kryeqytetit, Bumçi ka theksuar se drejtimi i Edvinit është primitiv e s’ka asgjë të përbashkët me perspektivat e zhvillimit modern që ofrojnë sot metropolet evropiane.
“Rama e ka mbajtur Tiranën pa plan, sepse e ka përdorur për grupin e tij dhe e ka copëtuar me studime pjesore siç është Plani Francez për qendrën që u hartua vetëm për kullat e kryetarit. Ky është një nga shembujt se si prona dënohej me moszhvillim apo të kthehej në lulishte në qoftë se nuk ja jepje kryetarit apo ortakëve të tij. Gjatë hartimit të planit francez shumë pronarë të vjetër të qytetit kanë ngritur shqetësimin e tyre për mënyrën sesi përcaktoheshin njollat e ndërtimit në këtë zonë.
Nëse kishe lidhjet e duhura ekonomike dhe politike me kryetarin e bashkisë prona përcaktohej zonë me pallate shumëkatëshe. Nëse nuk i kishe këto lidhje prona përcaktohej si lulishte ose zonë me intensitet të ulët ndërtimi. Të gjithë pronarët kanë të drejtë të zhvillojnë pronën e tyre, por që të shmanget që dikush të marrë përfitimin maksimal dhe tjetri ngjitur asgjë për shkak se atij i takon lulishte, kur ambienti i gjelbër është në funksion të ndërtimit dhe i shërben atij, nga ana e bashkisë kryhet ai proces që njihet si ‘Menaxhim i tokës’. Lejet nuk jepen për çdo truall në mënyrë individuale, por bëhet integrimi i pronave për të krijuar një njësi/strukture ndërtimi të përbashkët. Në këtë mënyrë të gjithë pronarët përfitojnë në mënyrë të drejtë”, u shpreh Bumçi.