E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Brenda muajit prill të vitit 2009, shqiptarët do të lëvizin pa viza”

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha vijon turin e takimeve në Qarkun e Elbasanit

TIRANE - Katër vitet e mandatit të dytë qeverisës të mazhorancës së djathtë do t’i bëjnë shqiptarët dëshmitarë të një mirëqenie që asnjëherë Shqipëria nuk e ka pasur, themelet e së cilës tashmë janë hedhur. Kështu u shpreh dje anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike dhe njëherazi ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha, gjatë një takimi të zhvilluar me banorë të komunës Shezë të Peqinit. Basha ka premtuar se në katër vitet që vijnë, pensionet e dyfishuara dhe infrastruktura moderne do të jenë një realitet i prekshëm për çdo shqiptar. “Në emër të kryeministrit Berisha, ju siguroj se në 4 vitet e ardhshme do të dyfishohen pensionet në fshat. Ju siguroj se në 4 vitet e ardhshme nuk do të ketë rrugë rurale që lidh fshatrat me qendrat e komunave që nuk do të jetë plotësisht e asfaltuar. Sot, ne kemi 400 milionë euro në bankat tona nga qeveria japoneze, amerikane dhe qeveri të tjera mike, për të nisur projektet në mbarë Shqipërinë”, tha Basha.
Në qarkun e Elbasanit, ministri Basha do të kryesojë grupin e punës të PD-së, në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit.
Në këtë takim, ministri Basha ka garantuar se brenda pranverës së ardhshme, qytetarët shqiptare do të jenë të lirë e të barabartë me çdo qytetar të Evropës. “Në katër vitet e ardhshme, ne do të bëjmë një progres galopant drejt ëndrrës tjetër të shqiptarëve, anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Brenda prillit të vitit që vjen mazhoranca e rivotuar e Sali Berishës nga qytetarët shqiptarë do të bëjë të mundur që çdo qytetar shqiptar që posedon pasaportën biometrike të Republikës së Shqipërisë, pa asnjë vizë në të, të lëvizë në çdo vend të Hapësirës Shengen si një qytetar i lirë dhe kurrë më, as pasaporta, as nderi e as dinjiteti juaj nuk do të nëpërkëmben”.
Duke cilësuar si shumë të rëndësishme pajisjen me letërnjoftimet elektronike, ministri Basha dënoi ashpër qëndrimet bojkotuese dhe bllokuese të Edi Ramës ndaj këtij procesi. Basha u shpreh se kreu socialist po përbalt procesin jetik të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti dhe pasaporta biometrike, vendimtare për përmbylljen e lëvizjes së qytetarëve pa viza në Evropën e Bashkuar.
Sipas Bashës, thirrjet e Ramës kundër këtij procesi bëhen për të tërhequr vëmendjen nga skandali i korrupsionit të KKRT-së së Tiranës ku, nga 30 leje, 19 prej tyre ia dha bashkëpunëtorit të tij të ngushtë.
Ministri i Punëve të Jashtme garantoi banorët e kësaj komune se katër vitet e mandatit të dytë qeverisës të mazhorancës së djathtë do t’i bëjnë shqiptarët dëshmitarë të një mirëqenie që asnjëherë Shqipëria nuk e ka pasur, themelet e së cilës tashmë janë hedhur. Ai premtoi se në katër vitet që vijnë, pensionet e dyfishuara dhe infrastruktura moderne do të jenë një realitet i prekshëm për çdo shqiptar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›