“Pajisja me karta identiteti, thelbësore për integrimin e vendit në BE“

Kryetarja e Kuvendit, takim me qindra gra e të reja të Gramshit
TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vizituar dje qytetin e Gramshit ku është takuar me qindra gra dhe vajza. Brenda një periudhe të shkurtër, kjo ishte hera e dytë që Kryetarja e Kuvendit vizitonte këtë qytet, duke shprehur në të njëjtën kohë kënaqësinë për ndryshimet e mëdha që qyteti i Gramshit ka pësuar, të dukshme këto në zhvillimin e infrastrkturës, rikonstruksionit të shkollave dhe shërbimeve të tjera publike. Gratë e Gramshit e falenderuan Kryetaren e Kuvendit për përkushtimin dhe vullnetin e saj këmbëngulës në mbajtjen e premtimeve, premtime këto të bëra realitet me ndërtimin e rrugëve të kësaj zone, shumë të rëndësishme për një jetë normale të komunitetit. Kryetarja e Kuvendit ka shfrytëzuar këtë takim me gratë e gramshit për tu bërë thirrje atyre që të shkojnë dhe të aplikojnë për letërnjoftimit dhe kartat e identitetit.
“Shfrytëzoj këtë rast për t’i bërë ftesë çdo mikeje, çdo gruaje, çdo nëne, çdo vajze, që deri tani nuk ka pasur mundësinë për të shkuar për të aplikuar, shkoni dhe aplikoni! Thuajini bashkëshortëve tuaj dhe bashkë me ta shkoni dhe aplikoni! Thuajini fëmijëve tuaj dhe bashkë me ta shkoni dhe aplikoni! Thuajini nënave dhe baballarëve tuaj dhe bashkë shkoni dhe aplikoni!’’, tha Krytarja e Kuvendit.
Topalli e lidhi rëndësinë e pajisjes me karta identiteti të qytetarëve dhe me integrimin e vendit në Bashkimin Europian, duke premtuar se “të rinjtë shqiptarë vitin e parë të mandatit tonë të dytë do të lëvizin të lirë si të gjithë të rinjtë e tjerë europianë, nënat do të lëvizin të lira të takojnë fëmijët, vëllezërit, motrat, gjyshet do të lëvizin pa viza për të parë mbesat e nipat e tyre. Të gjithë shqiptarët do të lëvizin të lirë’’, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Topalli u shpreh më tej se “Bashkë, këtë vend do ta bëjmë edhe më të bukur. Bashkë do të nxjerrim familje të tjera, shumë familje të tjera nga varfëria. Bashkë do të ndihmojmë çdo grua në nevojë, çdo nënë në vështirësi. Bashkë do të kujdesemi edhe më shumë për çdo fëmijë. Bashkë do të rrisim edhe më shumë të ardhurat në çdo familje, do të rrisim më tej mirëqenien. Bashkë do të jemi më të forta, më të sigurta“.
Nga ana e tyre gratë gramshiote nuk nguruan të shprehin entuziazmin e tyre për ngjarjen historike të anmtarësimit të Shqipërisë në NATO, ngjarje të cilën ato e konsideruan si një fazë të re të zhvilllimit të vendit. Kryetarja e Kuvendit falenderoi grate dhe të rejat e Gramshit, për besimin dhe mbështetjen që ato me kontributin e tyre në fusha të ndryshme të jetës, si nëna e bashkëshorte të suksesshme, po i japin reformave për ndryshimin e Shqipërisë.
Kryetarja e Kuvendit u shpreh më tej se “Unë jam krenare kur shoh se Shqipëria ka ndryshuar, jam krenare që ne arritëm të vemë në vend dinjtetin e mësueseve, infermiereve, pensionistëve duke rritur rrogat dhe pensionet. Më shumë do të bëjmë në mandatin e ardhshëm, sepse gratë e meritojnë, nënat e meritojnë, familjet e meritojnë, e mbi të gjitha fëmijët e meritojnë”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Gratë e gramshit e vlerësuan Kryetaren e Kuvendit si një model për përballimin e sfidave të ashpra të pjesëamrrjes së gruas në politikë, dhe një lidere për mbrojtjen e të drejtave të tyre në jetë, profesion dhe familje.