Zgjedhjet nuk mund të zhvillohen kur t’i dalë frika Edi Ramës

Deklaron nga Saranda kreu i grupit kuvendor në PD, Astrit Patozi
TIRANE - Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi gjatë një vizite në komunat Ksamil të Sarandës dhe Vërgo të Delvinës sqaroi se Shqipëria nuk do t’i zhvillojë zgjedhjet kur t’i dalë frika Edi Ramës.
“Shqiptarët nuk do të shkojnë për të votuar kur t’i lindë ndonjë ditë shpresa Edi Ramës se mund t’i fitojë zgjedhjet. Ne do të bëjmë zgjedhje të lira dhe të ndershme atëherë kur e përcakton Kushtetuta dhe ligjet e vendit”, tha Patozi.
Në Ksamil, Patozi deklaroi se vetëm granti i akorduar kësaj komune ka qenë 190 milionë lekë, një shumë kjo 3 herë e gjysmë më i lartë se viti më i mirë i qeverisjes socialiste. Investimet e 3 viteve të fundit në këtë zonë janë përqendruar në shëtitoren e Komunës, Unazën e plazhit, ambulancën dhe kopshtin.
Në turin e tij në Delvinë nënkryetari demokrat premtoi zhvillim për banorët e komunës Vërgo i bazuar në projekte konkrete. Aty do të kalojë aksi rrugor Kardhiq - Delvinë që lidh këtë zonë me qytetet e tjera të vendit.