Kujtohet me vonesë presidenti, bën thirrje për kartat, por nuk kritikon qendrimin bllokues të Edvinit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i bëri thirrje sot partive politike që të ndikojnë tek qytetarët për t'u pajisur me kartat e identitetit. I pyetur nga gazetarët lidhur me mosmarrëveshjet mes maxhorancës dhe opozitës për pajisjen e shtetasve me dokumentat elektronikë, Kreu i shtetit tha se "në këtë situatë ka vend për angazhim, por nuk besoj se ka vend për pesimizëm. I bëj thirrje bashkëqytetarëve që të shkojnë të aplikojnë dhe kjo nuk është vetëm në funksion të zgjedhjeve, por dhe për shumë aksese që ju keni në administratë, por mbi të gjitha për të respektuar vetveten, pasi secili duhet të identifikohet", iu përgjigj interesimit të medias Presidenti Topi, pas pjesëmarrjes në Progamin festiv për kremtimin e lindjes së Profetit Muhamed, organizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar dhe Fondacioni SEMA. Ai kërkoi nga partitë politike "që t'i bëjnë thirrje përkrahësve të tyre, popullit, që mund të jetë ndoshta edhe indiferent me partitë, të shkojnë të aplikojnë në mënyrë që zgjedhjet e 28 qershorit të jenë një ditë feste për Shqipërinë dhe për demokracinë". Kreu i shtetit mendon se "ende partitë politike, administrata duhet të gjejnë angazhimin dhe besoj se është angazhimi, për të ardhur më pas në një kohezion të të gjitha forcave politike. Besoj se të gjithë kanë mundësinë, shansin të angazhohen dhe prononcohen, kjo është gjëja më e thjeshtë që mund të bëjë një politikan".
...