Brenda mundësive të modelit
Nga Sami Neza
Ndoshta për herë të parë në një garë elektorale paraqiten përballë njëri-tjetrit dy modele qeverisjeje, ai i qeverisjes së një qyteti dhe që përfaqësohet nga Edi Rama dhe ai i qeverisjes së një vendi, e që përfaqësohet nga Sali Berisha.
Kryeministri i Shqipërisë, ardhur në pushtet pas tetë viteve në opozitë, nuk ka referenca në të shkuarën e tij në pushtet për asnjë çast. Tetë vitet e opozitës e kanë ndarë fort me qeverisjen e viteve ‘92-‘97, duke mos lënë gjurmë strukturash dhe mikromodelesh për modelin e aplikuar përgjatë viteve 2005-2009. Por duket se as nuk ka pasur nevojë për to, pasi përgjatë këtyre katër viteve ai ka shënuar rezultate të mëdha për shkak të eficensës së administratës së drejtuar prej tij.
Në njëfarë mënyre, ai ka model qeverisjeje dhe këtë model mund ta thërrasim “qeverisja liberale” e ekonomisë, ku përfshihen taksat e ulëta, rritja e pagave, investime të huaja dhe të brendshme në shifra të panjohura më parë. Ka indikatorë të qartë, përmes të cilëve mund të matësh performacën e këtij modeli dhe ndërkaq ka substanca të bollshme për të plazmuar së bashku pjesë të qeverisjes në sektorë tek një qeverisje e plotë.
Kryeministri ka qenë i qartë përgjatë katër viteve. Ai ka shtuar të ardhurat në buxhet përmes uljes së taksave, duke inkurajuar kështu pagesën e tyre në shtet dhe jo për ryshfet.
Ka identifikuar bizneset përmes reduktimit të procedurave të regjistrimit, të cilat më pas kanë paguar detyrimet e tyre në zyrat shtetërore. Ka ulur kontaktet mes administratës publike dhe konsumatorëve të shërbimeve të ofruara prej kësaj administrate nëpërmjet prokurimit elektronik, pagesës elektronike të taksave dhe tatimeve.
Nëpërmjet zyrave “one stop shop”, ka zbritur në minimum burokracinë që vononte qytetarët në marrjen e shërbimeve nga administrata. Ka liberalizuar marrjen e licencave dhe ka luftuar konfliktin e interesave deri para pak ditësh me shembuj konkretë. Të paktën dy prej bashkëpunëtorëve të tij nuk u përfshinë në listat e deputetëve për shkak të një perceptimi për konflikt interesi.
Kjo qeverisje i dha mundësi të shtonte investimet nga buxheti, të shtonte pagat dhe pensionet. Ndërkaq të gjitha bashkë kanë konturuar në disa vija qeverisjen liberale, e cila me sa duket rezulton të ketë sukses në Shqipëri pas disa qeverisjeve, pasojë e modeleve mikse, kryesisht të dështuara që nga vitit 1991 e këtej.
Nuk mund të pritet më shumë për një periudhë katërvjeçare, me një administratë me aftësi të vogla asimiluese, me zyrtarë të lartë, shpeshherë të dobët, si pasojë e koalicioneve politike me partitë e vogla.
Nëse Berisha fiton zgjedhjet, atëherë mbetet që gjurmët e modelit të forcohen më shumë edhe në sektorë të tjerë. Kryesisht atë të turizmit, si element i përfitimit ekonomik dhe në atë shëndetësor, si element i mirëqenies sociale, pa kursyer traditën katërvjeçare në probleme të tjera.
Ndërkaq përballë modelit të PD-së, me një gabim të madh në konsiderim, Partia Socialiste ka vendosur qeverisjen e Tiranës nga Edi Rama. Për nëntë vjet është mjaft vështirë të konturosh edhe një model laborator për qeverisje të mëdha me të dhënat që ofron drejtimi i Bashkisë së Tiranës. Shqipëria, ashtu si nuk ka pasur model të qeverisjes qendrore, nuk ka pasur as model të qeverisjes lokale, gjë të cilën Edi Rama dhe PS i kishin të gjitha mundësitë dhe kohën e mjaftueshme për ta shkruar. Tre vitet e para të Ramës u dukën se po krijonin vërtet një model, por në fakt vetëm se konsumuan aftësinë e ekipit të tij në imazh, duke krijuan model për ndërtimin e imazhit dhe jo një model për qeverisjen e qytetit, që ka gati një të katërtën e shqiptarëve.
Edi Rama nuk na dha dot një model për urbanizmin e qytetit të madh, ose urbanizmin në përgjithësi, nuk ofroi zgjidhje për legalizimin e qytetarëve dhe hapjen e fortë të tregut të imobiliarëve, nuk dha modelin e bashkëjetesës së qytetit të vjetër dhe atij të ri. Ky i fundit mbyti të parin, edhe para një muaji kur u rrënuan dhe themelet e kalasë së Tiranës. Nuk ndërtoi model të taksimit apo vjeljes së taksave lokale dhe nuk kreu as detyrën më të vogël që ka një drejtues lokal, të vërë në plan të parë qytetarët dhe në plan të dytë qytetin. Të gjitha ndërtimet me projekt, luksoze dhe në parametra, nuk i përkasin Tiranës së Ramës, por Tiranës së komunave ngjitur. Tirana e Ramës ka vetëm një bulevard dhe bregun e Lanës, i pari i trashëguar nga Italia e viteve ‘30 dhe i dyti i trashëguar nga Ministria e Ekonomisë Komunale e kohës së diktaturës. Pra, vështirë të konsiderohet edhe si tentativë për model.