E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia; Kapacitetet hidrike të Shqipërisë furnizojnë gjithë Ballkanin



Nëse burimet hidrike të Shqipërisë do të shfrytëzoheshin me kapacitet të plotë, Shqipëria nuk do të kishte nevojë të importonte asnjë kilovat energji, madje do të eksportonte energji elektrike duke furnizuar gjithë Ballkanin. Ekspertët austriakë të kompanisë “iC consulenten” që kanë 15 vjet në Shqipëri, pasi kanë studiuar terrenin shqiptar, kanë arritur në përfundimin se në Shqipëri mund të ndërtohen 2000 HEC-e të vegjël që do të prodhonin energji të mjaftueshme edhe për eksport konstant për vendet e Ballkanit. Hannes Posch Menexher, “Ces Clean Energy Solutions”, deklarohet se Shqipëria po ecën në rrugën e duhur, për sa i përket ndërtimit të HEC-ve të vegjël. “iC consulenten” synon krijimin e një qendre në Shqipëri për të dhënë konsulencë në gjithë Ballkanin

Burimet hidrike në Shqipëri janë të mjaftueshme për të prodhuar energji, jo vetëm për të furnizuar konsumatorët shqiptarë, por edhe të vendeve fqinje të Ballkanit. Në këtë përfundim kanë arritur ekspertët austriakë, që prej 15 vitesh kanë studiuar mundësitë e shfrytëzimit të kapaciteteve ujore në vendin tonë. Nëse këto kapacitete hidrike do të shfrytëzoheshin optimalisht në Shqipëri, mund të ndërtohen rreth 2000 HEC-e të vegjël privatë, çka do shtonte prodhimin vendas. Duke krijuar mundësitë për eksport të energjisë, Hannes Posch i “Ces Clean Energy Solutions” (nën degë e iC consulenten) tregon se nga pikëpamja inxhinierike ndërtimi këtyre HEC-ve është i mundur, pasi ndërtimi gjeografik i Shqipërisë dhe burimet ujore janë të përshtatshme për ndërtimin e këtyre HEC-eve. “Shqipëria ka kapacitete të mëdha hidrike dhe është vend në listën e 3 vendeve të Evropës për këto pasuri ujore. Shqipëria mund të kthehet nëse këto kapacitete ujore do të vihen në shfrytëzim, në vendin që do t’i japë energji gjithë Ballkanit”, - ka deklaruar Hannes Posch. Ai ka theksuar se qeveria ka ndërmarrë politikat e duhura për të ndërtuar sa më shumë HEC-e të vegjël.

“E rëndësishme është se vendi po ecën në drejtimin e duhur, pavarësisht problemeve që hasen gjatë procesit të zhvillimit. Shqipëria është ndër vendet e Ballkanit, që këto vite ka ndërtuar HEC-e me kapacitete të mëdha, dhe ne ndaj jemi këtu për të dhënë konsulencë. Këtu mund të ndërtohen shumë HEC-e. Shqipëria mund të ndërtojë deri në 2000 mijë HEC-e dhe ne mund të japim ndihmën e duhur për të bërë këtë. Në Austri janë ndërtuar 3000 mijë HEC-e të vegjël privatë”, - ka deklaruar Posch. Ai ka theksuar se e rëndësishme është procesi i privatizimit të HEC-eve të vegjël dhe “iC consulenten” është në Shqipëri për të dhënë konsulencën, për të përdorur teknologjinë dhe kjo kompani synon krijimin e një qendre të teknologjisë në Ballkan.

Projektet energjetike po shtohen me shumë interes nga kjo kompani për t’u asistuar, ndërkohë që në fillimet e saj në vitet 1994 kur erdhi në Shqipëri ka asistuar në projekte të financuara nga Banka Botërore dhe IFC që kishin të bënin kryesisht me projektet e furnizimit me ujë. Peter Woetzinger, përfaqësues i “iC consulenten” në Shqipëri, tha se kjo kompani ka bërë projekte dhe supervizime në shumë rrugë si ajo Qafë-Thanë - Pogradec, punime në projekte shkollash me financim të OPEC. Aktualisht po zbatohet një projekt për disa shkolla me financim të BE-së. “iC consulenten” ka marrë pjesë në projekte të rëndësishme në sektorin e burgjeve dhe drejtësisë, ka bërë rehabilitimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Gjykatën e Krimeve të Rënda, e shumë projekte të tjera të rëndësishme. Aktualisht “iC consulenten” për shërbime të EU është duke kontraktuar katër projekte në fushën e infrastrukturës së sigurisë, drejtësisë dhe edukimit. Nga ana tjetër, Maria Kollman, drejtoreshë e menaxhimit e “Austrian Internacionl Consultants” vuri theksin se puna e tyre në Shqipëri synon të krijojë bashkëpunim me vendet e Evropës Lindore dhe Ballkanin, për të sjellë në këto vende grupime të ndryshme të ekspertëve, si inxhinierë, ekspertë të taksave, juristë, specialistë të financave për të sugjeruar se çfarë kërkojnë këto tregje dhe tregu i Shqipërisë. “iC consulenten Zt. GsmbH”, një kompani konsulence në fushat e shërbimeve inxhinierike, ka nisur të punojë në Shqipëri që në mesin e viteve ’90, duke qenë pjesë e aktiviteteve të studimeve, projektimeve dhe supervizioneve me financime të institucioneve ndërkombëtare (Banka Botërore, Bashkimi Evropian, Qeveria Austriake etj). Dje kjo kompani festoi 15 vjet të sukseseve në projekte të fushave të ndryshme në Shqipëri (turizëm, ujësjellës, rrugë, ndërtesa publike, asistencë teknike etj). Suksesi i kësaj kompanie austriake lidhet me përafrimin e shërbimeve që kanë kërkuar agjencitë ndërkombëtare dhe me kuptimin e qartë strategjik të nevojave të tregut në Shqipëri. Si rezultat i zhvillimeve të reja në tregun Shqiptar, “iC consulenten” nga Vjena themeloi kohët e fundit dy kompani bija të lidhura drejtpërdrejt me tregun e shërbimeve të Shqipërisë. Kompania e pare bijë “iC consulenten” sh.p.k. do të realizojë konsulencë inxhinierike për tregun lokal, kurse kompania e dytë CES sh.p.k. do të fokusohet në dinamikën e tregut të energjisë në Shqipëri. Duke pasur mbështetjen dhe eksperiencën austriake, këto dy kompani bija do të ndjekin me ritme të shpejta avantazhet dhe mundësitë që sjell dinamika e tregut ballkanik.

CEZ derdh në arkën e shtetit 102 milionë euro, ikën Dollapi

Kompania çeke që ka blerë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka derdhur në arkën e shtetit shumën 102 milionë euro, vlerë me të cilin ajo bleu kompaninë shqiptare. Menjëherë pasi është bërë derdhja e lekëve për llogari të shtetit shqiptar nga kompania çeke, drejtori i saj, Seit Dollapi dhe Këshilli Mbikëqyrës kanë dhënë dorëheqjen. “Gjatë këtyre 4 vjetëve, dhe, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit, kohë në të cilën OSSH-ja ka operuar si një kompani e pavarur, bashkë me Këshillin Mbikëqyrës, stafin dhe punonjësit në të gjithë vendin, i kemi shërbyer vetëm një qëllimi; mirëmenaxhimit të kompanisë, duke siguruar kështu furnizim 24 orë me energji dhe duke e bërë kompaninë tërheqëse për investitorët e huaj”, - ka deklaruar Dollapi pas dorëheqjes.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›