E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy utopi dhe realizmi



Artan FUGA

Konferenca Islamike ka miratuar për herë të parë në mënyrë unanime një rezolutë për Kosovën. Ky zhvillim është perceptuar në opinion si një fitore e rëndësishme jo vetëm e Kosovës, por edhe e diplomacisë së Shqipërisë. (S)a mendoni se ka ndikuar pozita ndërkombëtare e Shqipërisë (anëtarësimi në NATO dhe kandidimi për në BE) në realizimin e kësaj arritjeje diplomatike?

Nuk ka vend për komente. Politika e jashtme e Shqipërisë e ka për detyrë të ndihmojë procesin e njohjes sa më të shpejtë dhe të gjerë të shtetit të ri të Kosovës. Dhe po e bën shumë mirë detyrën e saj. Pa gabime, me sinqeritet, me sukses. Nuk kam ndonjë gjë për të thënë. Por, procesi është i ndërlikuar dhe nuk varet vetëm nga politika e shtetit shqiptar. Ta shohim se çfarë do të sjellë ajo rezolutë praktikisht.

Partitë kryesore politike kanë hapur zyrtarisht fushatën zgjedhore. Çfarë shikoni të veçantë në këtë start elektoral edhe në krahasim me situata të ngjashme të kaluara? A vihen re efekte të ligjit të ri zgjedhor në këtë fillim fushate?

Është një pyetje shumë e gjerë, por interesante. Megjithatë, do të mundohem të jap disa nga mbresat e mia.

Padyshim që vihet re se ligji i ri elektoral ushtron ndikimet e tij. Ndikime pozitive, por edhe shumë ndikime që nuk mund t’i quaj krejt të tilla. Nejse, këtu ndofta jam më shumë subjektiv sesa duhet, meqë sikurse ia kam shprehur në vazhdimësi lexuesit, nuk kam qenë i mendjes se ky ligj elektoral ishte një ndryshim për mirë.

Nuk më pëlqen ta paraqes gjendjen rozë, sikurse bëjnë disa.

Fillimisht kur analizohet fushata elektorale, syri hidhet tek elektorati dhe sjellja e tij.

Ka një mospërputhje në politikën e sotme lidhur me sjelljen e elektoratit që duhet ta shohim me pjekuri, jo në mënyrë amatore dhe me seriozitetin që ajo meriton. Sot për sot, ata që kanë zë, pra ata që shprehen nëpër media dhe nëpër mitingje, pra pjesa e dukshme e fushatës, bën më shumë zhurmë, shfaqet më shumë. Por, nuk është kjo pjesë e popullsisë që do ta vendosë realisht fatin e zgjedhjeve. Ta matësh rezultatin e pritshëm të zgjedhjeve të 28 qershorit duke marrë në konsideratë vetëm pjesën aktive, ta themi: të zhurmshme të popullsisë, kjo do të ishte një gabim fatal për të gjitha partitë dhe liderët e tyre kryesorë. Rezultatin e zgjedhjeve do ta vendosë masa e qytetarëve të thjeshtë, ata që nuk kanë medoemos ndonjë mendim shumë pozitiv për politikën, ndofta ata të cilët nuk i shohin shumë aktivisht detyrat e tyre qytetare në rast zgjedhjesh dhe që ndofta shpesh nuk e dinë mirë se për kë do të votojnë, bile nuk e dinë mirë edhe nëse do të votojnë ose jo.

Pra, unë e ndaj elektoratin në dy pjesë: pjesa e parë është ajo aktivja, që përbën një minorancë, ajo nuk mungon të shëtisë me autobusë e autovetura duke ndjekur liderët. Kjo pjesë ka karakteristikat e veta. Përgjithësisht shpreson të kapë ndonjë vend pune në administratë ose ta ruajë atë që ka pasur. Një pjesë janë militantë ose rrethe miqësore apo familjare njerëzish që kanë të bëjnë direkt me privilegjet e politikës. Individë apo grupe interesi që “kanë hedhur zaret” duke u bërë me një grupim politik, duke u investuar në të qoftë edhe financiarisht apo moralisht e duke pritur avantazhet praktike nesër. Shtresa të ngushta shoqërore që e kanë për zemër të lidhen me një parti politike apo me një tjetër, ta zëmë ish-të persekutuar me Partinë Demokratike apo të djathtën dhe veteranë apo familje nëpunësish të niveleve të caktuara të kohës së totalitarizmit me Partinë Socialiste ose me të majtën. Sigurisht nuk bëhet fjalë për ndarje absolute. Këtu futen pastaj edhe liderë opinioni të niveleve të ndryshme, të cilëve profesioni ua do që të shfaqen në një anë ose në një anë tjetër të peshores politike.

Pjesa e pazhurmshme e elektoratit, ajo që do të vendosi në fakt për nga numri i saj i konsiderueshëm, qëndron, pret, studion, nuhat, por duhet ta dini se ajo nuk ka atë kut matës sikurse e kanë analistët politikë. Ajo është një masë e çuditshme, me karakteristikat nga më të ndërlikuarat. Rri e vrojton qetësisht deri në çastin e fundit. Duket si ai “elefanti” i mirë, fisnik, që duket sikur e ka zënë gjumi, sikur mund t’ia hedhësh kollaj, sikur mund t’ia kalosh mizën nën noçkë pa ndonjë telash të madh, sikur është inercial, por në fakt nuk është kështu. “Elefanti” e ndjek gjithçka që ndodh rrotull dhe befas, në çastin që duhet, ngrihet, dhe shkon të pijë ujë pikërisht atje ku ka dëshirë. Është pikërisht kjo masë e madhe, e panumërt që nuk ka sondazh që e mat. Ajo ka kujtesë afatgjatë, ajo di të dallojë fare mirë kandidatin për deputet serioz dhe të përkushtuar nga demagogu, atë që është i thjeshtë, nga mendjemadhi, atë që di të ketë suksese dhe ta mbrojë fort kauzën e tij nga një individ që i qëndron larg punës.

Dhe mos kujtoni se kjo masë e qetë di shumë gjëra dhe kupton fort gjëra nga ato që shpalosin liderët si modele zhvillimi, ide ndryshimi, shifra. As i hyn fare atyre analizave, sepse nuk është e thënë se është arsyeja që e përcakton sjelljen e saj elektorale. Jo, jo. Përgjithësisht nuk e mbivlerësoj arsyen, ka intuitë qenia njerëzore. Është intuita që në këtë rast ndihmon, arsyeja kërkon të dhëna racionale. Kjo masë e padukshme e elektoratit ka intuitën si mjet orientimi, nuk e interesojnë fjalët, por pas tyre nuhat të vërtetën nga e rrema. Ata që i qëndrojnë nga afër politikës, në media, e kanë shpesh vështirë ta bëjnë këtë, janë subjektivë, sepse kanë interesa që i orientojnë, ndërsa masa e gjerë e elektoratit, ajo e pjesë e popullsisë që ndofta nuk pret t’i ndryshojë asgjë nga rezultati i zgjedhjeve, sido që të dalë ai, besoj se i sheh më objektivisht rrethanat, personazhet politike, gjërat.

Për sa i përket përmbajtjes së fjalëve që shprehen në hapësirën publike dhe që kanë të bëjnë me politikën, dalloj së paku tre pozicione kryesore. Dy pozicione më duken utopike, kurse i treti është i vlefshëm, pra vërtet i diskutueshëm.

Pozicioni i parë është ai i militantëve që konsiderojnë se modeli i tanishëm i gjërave është perfekt dhe se nuk ka asgjë për t’u përmirësuar. Është një qëndrim utopik.

Modeli i dytë, përsëri utopik, është ai i kritizerëve të çdo gjëje dhe me themel, me rrënjë, i atyre që dëshirojnë të ndryshojnë themelet e gjithçkaje, t’i nxjerrin rrugës kalldrëmin, të cilët në politologjinë e sotme quhen “fondamentalistë”. Mos ngatërrojmë termin, nuk ka të bëjë me fondamentalizmin fetar. Do të thotë vetëm se pretendojnë të ndryshojnë themelet. Politikisht, e meta e këtij qëndrimi ka të bëjë me paverifikueshmërinë shkencore të këtyre qëndrimeve. Pra, pyetja që u bëhet këtyre është: Nëse gjithçka duhet filluar nga e para, ku e dimë ne që ajo që do të fillojë nga e para, pra që do të jetë krejt ndryshe, është apo do të jetë më e mirë se kjo e sotmja? Kjo është pyetja që ngrihet sot kudo në botë nga pikëpamja e logjikave politike.

Midis këtyre utopive politike, është edhe përqasja realiste, e cila duke parë arritjet e deritanishme, pranon se asgjë nuk mund të jetë perfekte, dhe kërkon të modifikojë, të thellojë reformat, të korrigjojë, sepse vërtet ar e flori të kulluar në realitetin shoqëror nuk ka. Këtu shoh se bëjnë pjesë ata njerëz, politikanë, intelektualë, nga të gjitha grupimet politike, të cilët kanë kuptime të qarta, jo utopike, për Shqipërinë e sotme. Inxhinieria sociale, pra reformimi i shoqërisë, nuk është një punë laboratori ku një nxënës i mirë, pasi hap një libër teorie, kërkon të aplikojë si dogma ato që kujton se i di më mirë se të tjerët. Është tjetër gjë politika e vërtetë, përkushtimi intelektual për të bërë e thelluar reforma...

Ja le të marr për shembull modelin shqiptar të bujqësisë.

Nuk ka dyshim se ai mbështetet në ekonominë e vogël familjare bujqësore. Të gjithë e dimë.

Cili është qëndrimi utopik ndaj saj? Së pari, të thuash se ai është një model perfekt, më i miri në botë, pa vese dhe të meta. Nuk mund ta thuash këtë qoftë edhe duke parë se ky model ka limite objektive në rendimentet e prodhimit bujqësor.

Qëndrimi i dytë, po aq utopik, shumë më tepër utopik se i pari, është ai që konsideron se në bujqësi do të duhej të ndryshonte gjithçka. Dëshirë e mirë: ta kthejmë bujqësinë familjare në një furnizuese të tregut dhe si krijuese e lëndëve të para për industrinë tonë të përpunimit të produkteve bujqësore.

Utopi!

Kurrë nuk mund të ndodhë që ekonomia e vogël bujqësore familjare të bëhet konkurruese në treg. Do të ishte një katastrofë e vërtetë po ta mendoje këtë gjë.

Veç këtyre qëndrimeve utopike, është realizmi, pozicioni i tretë, i cili njeh faktin që modeli i sotëm bujqësor i vendit është rezultat historik i jetës sonë, ka sjellë gjëra pozitive, është ai që mund të ishte se përndryshe do të kishte qenë tjetër, por që ka mundësi ndryshimesh të tjera. Por në radhë të parë ka nevojë të krijohet tregu i tokës bujqësore, dhe kjo e shoqëruar me ndryshime të tjera graduale që duan kohë, vite, për t’u bërë. Por ekonomia e vogël familjare bujqësore kurrë, në asnjë vend, nuk ka pasur mundësi të kthehet në konkurruese në treg. Por, kjo është një histori që kërkon analiza serioze, të thella, nuk mund të zgjidhet me dëshira të mira. Kështu ndodh edhe për problemin e turizmin rregullimin urban, kulturën, arsimin, modelin tonë shtetëror, pra me gjithçka.

Unë shoh në terrenin e debatit shoqëror, gjithandej, tre pozicione themelore, dy utopi dhe një realizëm.

Nga ana tjetër vrojtoj edhe partitë politike, kandidatët për deputetë si veprojnë në kushtet e sotme të fushatës elektorale.

Edhe një herë e theksoj se në listat e kandidatëve për deputet gjej personalitete tek të cilat ia vlen të kesh besim. Por, nuk do të ndalem këtu. Do të shoh ato elemente të cilët krijojnë probleme.

Ajo që më shqetëson është se në listat e kandidatëve për deputet nëpër qarqe ka raste jo të pakta kur personat që figurojnë atje si kandidatë nuk kanë asnjë lidhje politike, kulturore, apo përfaqësimi identitar me qytetarët e asaj zone.

Pastaj ka edhe raste kur janë paraqitur në listat për kandidatë për deputetë edhe individë që vijnë pa pasur asnjë identitet politik të spikatur, pa një të kaluar politike, parashutohen nëpër zona elektorale. Mund të më quani sa të doni konservator, por kam bindjen e plotë se kandidatura e dikujt për t’u bërë deputet duhet të ketë qenë më parë e pasur me veprimtari politike. Nuk mund të pranohet që një kandidat për deputet të karikohet me energji politike tërësisht nga jashtë, duke marrë nga energjia e partisë, e liderit të partisë, apo nga pasionet e militantëve për një parti të caktuar.

Po kështu nuk do të më dukej fare e drejtë që dikush që vihet në pjesën fituese të një liste kandidatësh për deputet të përfitonte nga votat e të gjithë asaj liste, pra edhe nga ata persona që janë vendosur qysh në fillim në pjesën humbëse. Thjesht nuk është e drejtë. Dhe e dini se përse Sepse në Kuvend ai nuk do të përfaqësojë thjesht atë listë, partinë, por në radhë të parë veten e tij. Deputeti para së gjithash është një person politik, moral, ligjor personal. Pra edhe legjitimitetin duhet ta ketë personal. Shtetet e konsoliduara sot nga pikëpamja demokratike kërkojnë që përfaqësuesi i popullit të marrë legjitimitet personal, jo në lista partiake. Ka individë nëpër listat e kandidatëve për deputetë, të cilët po të kishin dalë vetë personalisht para votuesve nuk do të kishin fituar kurrë vota. Tani ata do të mund të vijnë në Kuvend për shkak të partisë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›