E Diel, 1 Nëntor 2026

Brenda një jave nis asfaltimi i sheshit qendror të Kryeqytetit – s’durohet turpi i bashkisë

Ekspertët nisën dje matjet për të përshpejtuar rikonstruksionin e Sheshit “Skënderbej”

Qeveria “Berisha” nuk ka ndërmend ta tolerojë gjatë situatën e papërballueshme të qarkullimit në Sheshin “Skënderbej” si dhe papërgjegjshmërinë e bashkisë së Tiranës në sjelljen ndaj donacioneve prej 10 milionë dollarësh të qeverisë kuvajtiane, akorduar për këtë qëllim. Pas apelit të kryeministrit Sali Berisha për asfaltimin e sheshit “Skënderbej”, Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit nisi dje paradite punën, në sheshin kryesor përmes specialistëve të ministrisë, të cilët bënë matjet përkatëse, duke nisur nga puna edhe hartimin e projektit (që mungon nga ana e bashkisë), për rehabilitimin e sheshit.

“Brenda një jave do të mbarojnë matjet dhe do të nisë puna për asfaltimin e sheshit”, u shpreh Skënder çota zëvendës drejtor i Autoritetit Rrugor Shtetëror

“Pas urdhrit të kryeministrit, Ministria e Transporteve ngriti tre grupe pune dhe ne jemi ndarë për të bërë matjet e nevojshme”, tha ai.

Ndërsa inxhinierja, Aleksandra Mahmutllari tha se pas matjeve do të realizohet projekti për të bërë të mundur asfaltimin e sheshit.

Procesi për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”, erdhi pas angazhimit personal të kryeministrit, por edhe shqetësimit të vazhdueshëm qytetar për këtë zonë. Për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”, bashkia ka pasur në dispozicion mjaft kohe dhe 10 milionë dollarë, dhuratë nga qeveria e Kuvajtit, por siç shihet nga pamjet, qendra e kryeqytetit ishte shndërruar në një gjendje skandaloze, ku as makinat dhe as njerëzit nuk mund të qarkullonin lirshëm.

Ndërkaq, dy ditë më parë, në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha kërkoi që të nisë urgjent rikonstruksioni i sheshit.

“Të shkosh nga xhamia te hotel Tirana të skuqet faqja. Ndaj të nisë menjëherë asfaltimi i sheshit. Nuk ka qendër komune në Shqipëri që të jetë në situatën e qendrës së Tiranës” -theksoi kryeministri Berisha.

Sheshi qendror i shqiptarëve, sheshi i heroit të tyre është në një gjendje katastrofe. “Nuk ka një vend të botës, ju garantoj unë që ti bini planetit nga veriu në jug nga lindja në perëndim nuk gjeni dot një kryeqytet si ku i yni, ku rrugëtimi në shesh është si një horror. Kërkoj me urgjencë planin e asfaltimit”, deklaroi kreu i qeverisë.

Ndërkohë, dje, një nga hispanikët dhe të besuarit e Edvin Kristaq Ramës, krahu i djathtë i tij, Eduart Shalsi, reagoi dje ndaj angazhimit të qeverisë për të ndërhyrë në sheshin “Skënderbej” dhe çlirimin e kryeqendrës së kryeqytetit nga skamja infrastrukturore.

Në kohën kur ekspertët e Ministrisë së Punëve Publike dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve po kryenin matjet përkatëse topografike, Shalsi, i njohur edhe si bashkëparcelizuesi i Tiranës së bashku me Edvinin dhe klanin tjetër përbërës (30 deputetët biznesmenë të grupit parlamentar socialist) u shpreh se qeveria duhet të ndalë punimet sepse sipas tij, është duke penguar rikonstruksionin e sheshit, pavarësisht se asgjëkund në zyrat e Bashkisë nuk flitet për ekzistencën e një projekti konkret apo plani të mirëfilltë, siç pretendon Shalsi dhe Edvini.

Në kushtet e një neglizhence totale dhe fshehje të fondeve të qeverisë dhe donacioneve të ndryshme për këtë zonë nevralgjike të kryeqytetit, ndërhyrja nga ana e ekzekutivit ishte e vetmja zgjidhje për të kapërcyer gjendjen “horror” të sheshit “Skënderbej”. Për 10 vjet me radhë, Edvin Rama ka gënjyer dhe mashtruar, vjedhur dhe përvetësuar disa dhjetëra paketa fondesh, duke u maskuar pas përzgjedhjes së një plani përfundimtar.

Angazhimi i qeverisë për të rikonstruktuar sheshin qendror, është i vetmi mjet shpëtimi për taksapaguesit kryeqytetas.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›