E Diel, 1 Nëntor 2026

Brenda qershorit, pushteti vendor të ketë gati buxhetin

Bashkitë në të gjithë vendin kanë afat deri më 1 qershor që të dorëzojnë në Ministrinë e Financave programin buxhetor afatmesëm, në të kundërt do të ndëshkohen me sanksione. Por nuk ishte ky qëllimi i seminarit të djeshëm të organizuar nga USAID, i cili ka nisur punën me kohë për trajnimin e zyrtarëve të pushtetit vendor, në mënyrë që të arrihet një produkt cilësor rreth të ardhurave dhe shpenzimeve. Të pranishëm në seminar ishin zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, drejtori i Projektit, David Smith, specialistë të fushës, si dhe përfaqësues nga bashkitë. Çështja kryesore lidhej rreth mënyrës së plotësimit të formularit, brenda të cilit paraqitej kërkesa për financim projekti. Sikurse veproi me të gjitha ministritë dhe institucionet e tjera, Ministria e Financave kërkoi, në bazë të ligjit të ri, që edhe bashkitë të plotësojnë një program buxhetor afatmesëm, deri në vitin 2012, nga ku mësohet qartë prioriteti i çdo njësie. Në fillim të 2009-s, ministria ka dërguar në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore një udhëzim për hartimin e projektbuxhetit afatmesëm 2010-2012. "Udhëzimi shpjegon me detaje anët teknike të procesit të buxhetit afatmesëm, procedurat dhe rolin aktorëve në këtë proces", u shpreh Shehu. Kurse Smith tha se "Programi për Qeverisjen Vendore në Shqipëri, projekt i USAID, i cili ka filluar të zbatohet që prej tetorit 2007 dhe do të vazhdojë deri në qershor të vitit 2011, ka si objektiv të tijin përmirësimin e qeverisjes vendore nëpërmjet zhvillimit ekonomik vendor dhe gjithëpërfshirës".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›