E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papunësia në Eurozonë kërcen në 8.9 për qind

Numri i të papunëve në Gjermani u rrit me 58 mijë vetë gjatë prillit, shifër kjo pak më e ulët nga sa pritej, por që ndikoi në rritjen e papunësisë në Eurozonë në masën 8.9 për qind, duke dëshmuar për vijimin e vështirësive ekonomike në kontinent. Qeveria gjermane deklaroi se papunësia mund të rritet me më shumë se 1 milion vetë këtë vit, duke arritur në shifrën e 4.6 milionë vetëve, për shkak se kompanitë janë duke zvogëluar kostot e punës. Gjermania parashikon rënie ekonomike në masën 6 për qind këtë vit, por shpreson se vitin e ardhshëm do të ketë një rritje minimale. Gjermania është goditur nga rënia e kërkesës për produktet e saj industriale në tregun ndërkombëtar. Qeveria gjermane njoftoi se do të shtojë subvencionimet për të punësuarit duke ofruar mbulimin e pjesshëm e pagës së të punësuarve që mund të dalin në rrugë për shkak të krizës. Por ekonomistët besojnë se këto masa nuk do të mund të shpëtojnë vendet e punës dhe se pushimet permanente nga puna për një numër të konsiderueshëm njerëzish në sektorin industrial janë të pashmangshme. Papunësia është rritur në të gjithë kontinentin evropian, ku Spanja ka shënuar rekordin me normë papunësie prej 17 përqindësh.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›