Katër kompani, kredi të butë nga italianët
Katër biznese private kanë përfituar nga Programi i Qeverisë Italiane kredi me terma të butë, ndërsa të tjera janë ende në proces. Në total, katër subjektet morën 1 milion euro kredi me interesa të ndryshme nga njëra-tjetra, kurse i gjithë fondi në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është 30 milionë euro. Kontratat u firmosën dje, në ceremoninë e zhvilluar mes Ministrisë së Ekonomisë dhe ambasadës italiane. Ekspertëve të Programit për Nxitjen e SME-ve iu janë dashur tre muaj kohë për të vlerësuar kushtet e bizneseve. Kriteret lidheshin me biznesin që nuk mund të ketë jo më shumë se 5 milionë euro kapital dhe jo më shumë se 250 punonjës. Projektet që u firmosën janë të konsultuara ligjërisht dhe financiarisht nga kompanitë shqiptare të konsulencave dhe të analizuara e miratuara nga Bankat Partnere të Programit. Të katërta kompanitë, dy prej të cilave janë eksportuese, që përfitojnë kreditimin e butë, do të investojnë në linja industriale prodhimi.