E Shtunë, 31 Tetor 2026

I presin 120 rrënjë ullinj nga inati bashkëfshatarit, arrestohen 2 vëllezërit

19/02/2009  Ishin grindur disa ditë më parë. Të prangosuri të moshës 60 dhe 66 vjeç

FIER- Presin ullinjtë e bashkëfshatarit të tyre, arrestohen pas disa orësh nga policia 2 vëllezërit. Kanë qenë dy vëllezër ata që kanë rënë në pranga, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë prerë bashkëfshatarit të tyre 120 rrënjë ullinj 15-vjeçarë. Burimet zyrtare të policisë së Fierit, pohuan për mediat se janë arrestuar dy vëllezërit L. S. dhe R. S. përkatësisht 66 dhe 60 vjeç, banorë të fshatit Cakran në rrethin Fier. Arrestimi i tyre u bë se në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë prerë natën 120 rrënjë ullinj të moshës 15-vjeçare, bashkëfshatarit të tyre K. S. Po sipas këtyre burimeve, mësohet se dy vëllezërit disa ditë më parë kishin debatuar me K. S., dhe për punë inati ata i kishin prerë 120 rrënjë ullinj atij. Ky i fundit ka kryer denoncimin në polici sapo ka parë ullinjtë e prerë dhe aty ka treguar se tek cilët persona ai dyshonte. Policia ka shkuar më pas në Cakran, 18 km larg Fierit dhe ka bërë fillimisht shoqërimin e tyre për në polici. Pasi janë marrë në pyetje, ata kanë pranuar se janë autorët që kishin prerë ullinjtë e bashkëfshatarit të tyre. Ata kanë deklaruar se i kanë prerë brenda natës të gjithë rrënjët e ullirit në shenjë zemërimi ndaj bashkëfshatarit të tyre, duke i kryer këtij të fundit një dëm të madh ekonomik, pasi ullinjtë ishin të një moshe të madhe dhe jepnin prodhim të kënaqshëm. Ky veprim ka ardhur disa ditë pas një sherri që kanë pasur 2 vëllezërit me të dëmtuarin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›