Breshëri automatiku në një parking, dëmtohen tre mjete
Breshëri automatiku kanë alarmuar policinë e kryeqytetit dy net më parë te vendi i quajtur Kthesa e Kamzës. Ngjarja ka ndodhur në një parking makinash, ku persona të paidentifikuar kanë dëmtuar rëndë tre mjete, duke qëlluar me armë zjarri. Burimet policore shpjeguan se njoftimi për këtë ngjarje është dhënë në sallën operative rreth orës 22:00 të së mërkurës. Sipas telefonatës në sallën operative, në Rrugën e Durrësit, te kthesa e Kamzës, në parkingun e Ilir Shtufit është qëlluar me automatik dhe janë dëmtuar tre automjete. Me t‘u njoftuar, në vendngjarje kanë shkuar uniformat blu, që kanë bërë disa kontrolle në zonë. Pak metra më tutje, në afërsi të një hoteli, efektivët e policisë kanë mundur të gjejnë dy automatikë, të cilët mendohet se janë përdorur nga autorët. Nga ana tjetër, është marrë në pyetje pronari i parkingut, si edhe roja. Policia dyshon se kjo ngjarje ka ardhur për arsye konkurrence, por kjo nuk është pista e vetme hetimore. Por, ngjarja i ka kaluar për ndjekje të mëtejshme seksionit kundër krimeve ndaj jetës, pasi dyshohet se autorët, ende të paidentifikuar, kanë pasur si qëllim të vrasin ndonjë të pranishëm në parking.