E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata dënon me 32 vjet burg trafikantët e armëve

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar dje me 32 vjet burg katër të pandehurit e akuzuar për "trafik të municioneve". Gjyqtarja Flora Hajderinaj ka vendosur dje dënimin me nga 8 vjet burg secili për dy vëllezërit Blerim dhe Flamur Mehaj, për të pandehurin Bajram Çelepia gjykata dha dënimin e saj me 9 vjet burg, ndërsa për anëtarin tjetër të grupit, Ismail Gjoreta, u dha dënimi me 7 vjet burg. Katër të pandehurit janë vënë në pranga më 23 janar të vitit të kaluar, në sajë të operacionit të koduar "Parashuta", në zonën e Bushatit në Shkodër, pranë kompleksit "Argenti". Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ka rezultuar se të pandehurit kanë tentuar të trafikonin një sasi të konsiderueshme municionesh. Dy seanca më parë prokuroria ka kërkuar dënimin e katër të pandehurve me 44 vjet burg. Ndërsa gjatë pretendimeve të tyre përfundimtare, Blerim Mehaj ka marrë përsipër autorësinë e krimit, duke përjashtuar të pandehurit e tjerë. Ai ka treguar se të pandehurit e tjerë nuk kishin dijeni për municionet. Gjatë arrestimit, të pandehurve prokuroria ju sekuestroi granata dore ofensive, defensive dhe kundra tank, ndezës granatash, si dhe 80 mijë lekë të reja të përfituara nga trafikimi i armëve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›