Breshëri mitralozi mbi kombëtaren e Togos
Autobusi që po transportonte kombëtaren e Togos, në të cilën luan edhe Emanuel Adebajor, është goditur me breshëri mitralozi në kufirin mes Kongos dhe Angolës, vend që do të presë nga e nesërmja finalet e Kupës së Afrikës. Nga sulmi ka mbetur i vdekur në vend shoferi i autobusit, ndërsa dy futbollistë, Akakpo dhe Obilale kanë mbetur të plagosur rëndë. Në të njëjtën gjendje janë edhe mjeku i ekipit, trajneri i portierëve si edhe zëdhënësi për shtyp. Sipas dëshmive të nxjerra në dritë nga mediat franceze, rebelët nisën të gjuanin me breshëri ndaj autobusit për 20 minuta papushim, duke shkaktuar një pellg gjaku. “Serge Akakpo dhe Kodjovi Obilale mbetën të plagosur rëndë dhe sidomos Obilale, është duke humbur shumë gjak, - tha sulmuesi togolez Tomas Dosevi. – Janë plagosur trajneri i portierëve, mjeku ynë dhe përgjegjësi i shtypit. Kishte gjak kudo, nuk e di madje nëse do të luajmë në Kupën e Afrikës”, shtoi ai. Dosevi sqaroi se ai vetë ishte mirë, por të tjerët jo. “Na qëlluan si të ishim qenër dhe na u desh të fshiheshim poshtë sediljeve për 20 minuta për të evituar plumbat”, u shpreh më tej futbollisti. Kupa e Kombeve në Afrikë është një turne i ngjashëm me kampionatin europian dhe do të nisë të dielën. Këtë vit ajo zhvillohet në Angola dhe marrin pjesë 16 skuadra.(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)