Mesic në Kosovë: Historia nuk mund të kthehet pas
PRISHTINE- Duke iu drejtuar Parlamentit të Kosovës, gjatë një seance solemne të thirrur për nder të tij, presidenti i Kroacisë, Stipe Mesic tha se vizita e tij në Kosovë ishte interpretuar në mënyra të ndryshme. Por, ai tha se vinte në Kosovë si mik i shqiptarëve, i serbëve dhe popujve të tjerë dhe se kjo vizitë nuk ishte e drejtuar kundër askujt. Mesic i bëri thirrje Serbisë të mos e pengojë integrimin e serbëve dhe e ftoi këtë vend që ta pranojë realitetin e ri në Kosovë. “Federata jugosllave është shkatërruar dhe dihet botërisht se me fajin e kujt është shkatërruar. Rrota e historisë nuk kthehet më pas dhe as Kosova nuk mund të rikthehet më në Serbi”, tha Mesic. Arkitektura e këtij rajoni, sipas Mesicit, është e përfunduar dhe i tërë rajoni duhet të integrohet në Bashkimin Evropian. “Tash është vetëm çështja se me çfarë shpejtësie disa vende të caktuara do t'i bashkohen BE së", tha Mesic. (e.n/qik/BalkanWeb)