Breshëri plumbash mbi lokal, 3 të plagosur
Shkodër Tre persona janë plagosur, teksa ndodheshin brenda një lokali, ndërsa autori i krimit i ka shpëtuar prangave të policisë. Ngjarja ka ndodhur në 22.10 në lagjen “Ndoc Mazi”, tek vendi i quajtur “Ura e Thive” në Shkodër. Burime nga policia pohojnë se në një prej lokaleve që ndodhet në katin e parë të një pallati të ri kanë qenë duke qëndruar me njëri-tjetrin Mark Kroni, 21 vjeç, Fran Ndrecaj, 20 vjeç dhe Nikolin Lika, 18 vjeç. Autori ende i paidentifikuar ka qëlluar nga jashtë lokalit, duke i plagosur tre të rinjtë e më pas është larguar me shpejtësi. Kanë qenë të tjerë persona që ishin në lokal ato që u kanë dhënë ndihmën e parë, duke i transportuar në spitalin e Shkodrës tre të plagosurit. Sipas dëshmive që ka grumbulluar policia, autori ka qëlluar nga jashtë dhe mendohet të jetë larguar me një mjet,ndërsa nuk dihet akoma nëse objekt ka qenë ndonjë prej të plagosurve. Nga të dhënat e policisë dyshohet se ngjarja ka lidhje me një plagosje të bërë disa muaj më parë, më 19 qershor po në këtë lagje. Sipas policisë, kjo është pista kryesore e hetimeve që po ndjek policia.