E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga çiftit shqiptar, u kapen 2 kg kokainë në shtëpi

Policia italiane arreston Tonin dhe Renata Ndrecën, pasi në shtëpinë e tyre u gjetën kokaina e ndarë në doza dhe 70 mijë euro

Një çift shqiptarësh ka rënë në pranga në Itali, pasi janë kapur me 2 kilogramë kokainë. Ky është bilanci i një operacioni të zhvilluar nga skuadra e antidrogës në Vareze të Italisë, operacion i cili çoi në arrestimin e dy bashkëshortëve, Tonin Ndreca, 39 vjeç, si dhe bashkëshorten e tij 26-vjeçare, Renata. Disa kohë më parë, agjentët italianë kanë spikatur lëvizjet e dyshimta të çiftit shqiptar dhe dyshonin se ata ishin përfshirë në tratativa serioze për të siguruar sasi të rëndësishme droge për tregun lokal të zonës. Çifti me dy fëmijë të mitur banonte në kufirin mes zonës së Induno-Olona dhe Varezes dhe pikërisht banesa e tyre konsiderohej nga hetuesit si një pikë e rëndësishme referimi për sigurimin e kokainës në të gjithë këtë zonë. Mëngjesin e së hënës, agjentët e antidrogës vendosën t’i japin fund aktivitetit ilegal të çiftit shqiptar dhe ndërhynë. Pas një mbikëqyrjeje konstante të zonës përreth shtëpisë, në fillim u arrestua gruaja 26-vjeçare, e cila ishte duke hyrë në shtëpi. E ndërgjegjshme për gjendjen e rëndë të krijuar pas vizitës së agjentëve, ajo është përpjekur t’i mashtrojë ata, duke u hequr sikur kishte ndryshuar adresën e shtëpisë. Por agjentët nuk kanë pasur asnjë fije dyshimi dhe së bashku me 26 –vjeçaren shqiptare janë futur në shtëpinë e saj. Brenda shtëpisë ndodhej bashkëshorti i saj, i cili për më tepër qëndronte në Itali pa dokumente. Menjëherë, agjentët kanë nisur kontrollin në shtëpi, i cili rezultoi i suksesshëm: ata gjetën poshtë kundrabufesë së shtëpisë gjashtë qese të mbështjella me celefon, të mbyllura dhe të izoluara me ngjitës skoç dhe me mbishkrimin ‘Rolex’. Pesha e përgjithshme e të gjashta qeseve të gjetura shkonte në dy kilogramë. Përveç kokainës agjentët kanë gjetur dhe aparatura të sajuara për ndarjen dhe paketimin e drogës në qese të madhësive të ndryshme, si dhe rreth 70 mijë euro cash dhe një sërë dokumentesh identifikimi, të cilat tashmë kanë kaluar për verifikim. Çiftit shqiptar i janë vënë menjëherë prangat, ndërsa për dy fëmijët e tyre të mitur, agjentët kanë njoftuar agjencitë e shërbimit social shtetëror për t’i trajtuar dhe marrë nën kujdes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›