Censusi, 115 fëmijë romë të paregjistruar
ELBASAN Rreth 540 romë në Qarkun e Elbasanit, mes të cilëve 115 fëmijë, rezultojnë të paregjistruar në gjendjet civile, apo që nuk figurojnë në skemat e sigurimeve. Sipas OJF-ve, fenomeni bëhet më problematik pasi fëmijët e paregjistruar përjashtohen nga mundësia e arsimimit dhe mund të jenë objekt i organizatave të trafikut apo grupeve të tjera kriminale. Në bashkëpunim me organizatat jofitimprurëse dhe me financimin nga Fondi i Mirëbesimit i OKB-së për Sigurinë Njerëzore, me mbështetjen e qeverisë japoneze, është mundësuar regjistrimi në 57 raste si dhe pajisja me libreza të shëndetit, për të përfituar lehtësirat në shërbimet shëndetësore shtetërore për 150 anëtarë të dy komuniteteve rome e egjiptiane. Për mbarëvajtjen e procesit dhe për të lehtësuar komunikimin me komunitetin rom dhe egjiptian, INSTAT-i ka punësuar si operatorë të anketimit për Qarkun e Elbasanit edhe 5 punonjës që u përkasin këtyre dy komuniteteve. Për këto komunitete ka një projekt integrimi në kuadër edhe të dhjetëvjeçarit rom. Ky projekt përfshin periudhën korrik 2010 – korrik 2013 dhe parashikon dhënien e asistencës për frekuentimin e kurseve profesionale dhe për punësim. Deri më tani janë regjistruar 57 romë, por nevojiten ende fonde për regjistrimin e dhjetëra të tjerëve që nuk figurojnë në regjistrat e gjendjeve civile. F.S.