E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brian Filipi, “Ervin Skela” i Italisë



Një talent i ri shqiptar po rritet me shpejtësi në futbollin italian. Një lloj “Ervin Skele” i ri, me të njëjtat karakteristika e nuhatje për gol. Mesfushori i ri shqiptar Brian Filipi ka fituar zemrat e stafit teknik të Ravenës, tifozëve të saj, por dhe vëmendjen e shtypit italian. Është gazeta italiane “La Voce”, që në numrin e sotëm (28 korrik) shkruan se “për të riun Filipi, sezoni i ri premton shumë”. Lezhjani 19-vjeçar, së bashku edhe me futbollistin tjetër Xherbino Polo, ishin edhe autorët e dy golave të parë të Ravenës për këtë sezon, në një ndeshje të zhvilluar para disa ditësh. Filipi realizoi golin në minutën e 11-të pas një aksioni të bukur të Kavanjës, vetëm dy minuta pasi Polo kishte shënuar golin e parë në një ndeshje brenda grupit. Filipi është një nga 28 lojtarët e grumbulluar nga tekniku Aztori, dhe sipas “La Voce” i ka të gjitha mundësitë për të qenë pjesë e formacionit të parë të skuadrës së Serisë C1, edhe pse ende nuk i ka mbushur 19-vjeçët. “Filipi, shqiptari ende jo 19-vjeç, prodhim i shkollës së të rinjve të Miljaços, është lojtari që tekniku i ri i Ravenës ka grumbulluar në grupin e 28-lojtarëve të thirrur në grumbullimin e parakampionatit në Riolo Terme”, - shkruan “La Voce”. Vetë Brian thotë për gazetën italiane. “Zyrtarizimi i kësaj zgjedhje më ishte konfirmuar me përfundimin e turneut, por tjetër gjë është ta dish se do të shkosh atje, dhe tjetër gjë është ta përjetosh. Si me trajnerin, ashtu dhe me lojtarët kam ndërtuar një ‘feeling’ optimal”, - thotë Filipi gjatë intervistës së tij. “Nga Aztori (trajneri) vlerësoj më shumë ndershmërinë e tij, për t’i trajtuar të gjithë njëlloj, si të rinjtë ashtu dhe veteranët”.
Raporti i Filipit me Ravenën është zhvilluar vetëm gjatë sezonit të kaluar, pasi ai më parë luante për të rinjtë e Cervias, skuadër me të cilin kishte luajtur edhe disa ndeshje në Serinë D. “Paraqitjet e shkëlqyera me fanellën verdheblu të djaloshit Brian, atëherë vetëm 17-vjeç- shkruan më tej ‘La Voce’, - bindën Ravenën të besonte te ai e për ta sjellë në një vitrinë më të rëndësishme për kampionatin e të rinjve. Dhe kontributi i tij nuk mungoi, duke shënuar gjashtë nga 16 golat e realizuar nga skuadra e të rinjve të Ravenës. “Jo keq për një gjysmësulmues të vendosur në krahun e djathtë të vendosur nga mister Miljaço (trajneri)?, - pyet ‘La Voce’. “Lë të themi se jam i kënaqur nga rendimenti, edhe pse nuk ia dola të jap plotësisht më të mirën time, pasi jo pak herë kam qenë i detyruar të stërvitem me skuadrën e parë”, - thotë Filipi. Lojtari i lindur në Lezhë flet edhe për golin e tij të parë me Ravenën. “Një pjesë e madhe e meritës së këtij goli shkon për Kavanjën, i cili bëri një aksion të shkëlqyer, duke më nxjerrë të lirë në pasimin e dytë të topit. Përsa i përket të ardhmes sime, - përfundon Filipi, - tani besoj se vullneti i drejtuesve është të më mbajnë, dhe po mu dha kjo mundësi të madhe, do të përpiqem ta shfrytëzoj me të gjitha mënyrat”.
Ndërkohë seleksionuesit e kombëtareve shqiptare të moshave nuk u ka shpëtuar pa rënë në sy progresi i Brian Filipit, i thirrur së pari me formacionin U-19 e më pas me atë, U-21. “Debutimi më këtë skuadër (U-21) është parashikuar kundër Greqisë, më 20 gusht, në një takim të vlefshëm për kualifikueset e Euro 2009. Është e panevojshme të tregoj emocionet që ndjej për të përfaqësuar vendin tim, dhe duke ditur se çfarë vëmendje do të ketë, do të shërbejë si një stimul për të bërë më të mirën time”, - thotë Filipi për gazetën italiane.

29 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›